Koncepte për ‘artin’ e politikës…

 

Nga Vladimir Lulaj

Në Shqipëri nuk ekziston asnjë akademi shtetërore për ‘artin politik’. Thuajse shumica e deputetëve të gjindshëm janë rastësorë, pa përvojë’, madje nuk kanë ‘talentin’ dhe as kulturën e duhur për t’u bërë politikanë profesionistë. Por si t’i shmangim këta politikëbërës anonimë, që krejt befas vijnë nga ‘hiçi’ politik dhe vetëhumbasin brenda ‘humnerës’ së pamëshirshme të ‘hiç’-it politik?.

Politikëbërës me pamjaftueshmëri profesionale

Kryeherit na bën përshtypje fakti se politikanët tanë profesionistë nuk kanë koncepte të drejta dhe të qarta mbi natyrën e brendshme të shtetit ligjor demokratik, si dhe raportet e kufizuara të pushteteve ekzistues politikë në marrëdhënie shërbimi dhe varësie me Shtetin Juridik Shqiptar. Jo vetëm berishianët, por edhe politikëbërësit majtistë, nëpërmjet nomenklaturës së kufizuar, të pakontrolluar dhe jollogaridhënëse të pushteteve të përkohshëm politikë, nuk po heqin dorë nga fryma dhe prirjet për të ‘kapur, pushtuar dhe komanduar Shtetin’. I dëgjoni ‘klithmat’ e qeverisë ‘hije’ berishiane?; ‘bërtimat’, sharjet, tifozërinë e shfrenuar partiake, mizanskenat e ngjashme dhe steriotipe, predikimet, kanosjet, mungesën e etikës, dëshirën ‘lajthitëse’ vetëm për të folur kundër qeverisjes konstruktive dhe mosdëshirën për të dëgjuar dhe respektuar prioritetet dhe strategjinë pragmatiste, immediate dhe perspektive të Shtetit Shqiptar?… Shqipëria ende vuan nga sëmundja kronike e ‘qeverisjes partiake të vendit’ dhe koncepti i gabuar se nuk mund të ketë shtet pa qeverisje të pakufizuar partiake. Kryeministri aktual, z. Edi Rama ka deklaruar se është i gatshëm ‘ që të ecë së bashku me opozitën’ lidhur me realizimin e reformave të paralajmëruara në Drejtësi. Por ‘deputetët politikë’ të ‘qeverisë hije’ berishiane nuk kanë vullnet dhe as dëshirë për të kryer këtë rol monitorues ndaj pushtetit politik qeverisës, që menazhohet nga politikëbërësit majtistë. Ata nuk kanë mbaruar asnjë akademi politike dhe, përveç strategemave destruktive berishiane’, nuk njohin gjë tjetër më racionale; ndaj pranojnë natyrën objektive dhe mbipartiake të Shtetit Juridik, që rekruton, monitoron dhe udhëheq brenda vetes politikëbërësit partiakë, të zgjedhur me votim të lirë nga shoqëria civile shqiptare. Politikëbërësit partiakë s’e kuptojnë rolin dhe detyrimin që kanë për të qenë kurdoherë të bindur, konformistë dhe në shërbim permanent të strategjisë kombëtare të shtetit. Fatkeqësisht ata nuk e njohin doktrinën filozofike të Shtetit Juridik; ndaj nuk e dinë se, (duke mbetur të monitoruar, në konkurrencë transparente dhe llogaridhënëse në raport me alternativat qeverisëse të pushteteve të përkohshëm politikë,) integralisht dhe konceptualisht janë kurdoherë pjesë përbërëse, në vartësi, në dispozicion, ose nën komandën strategjike të Sovranit Shtet Ligjor. Politikëbërësit njehsojnë strategjinë partiake me strategjinë e shtetit, madje konsiderojnë se Strategjia e Shtetit nuk ekziston; sepse vetë Shteti, konceptohet ‘si një ngrehinë pa zot’, që duhet kapur, pushtuar dhe komanduar në interes të klientelës së kufizuar të militantëve partiakë. Berishianët s’duan t’ia dinë për administratën e pavarur publike dhe shtetërore. Sipas konceptit të tyre, fitorja e pushtetit politik justifikon ‘pushtimin partiak’ të administratës permanente; ndaj, duke qenë të ndërgjegjshëm për keq-qeverisjen 8 vjeçare, përpara rënies nga pushteti i deleguar elektoral, morën masa drastike për të kompesuar humbjen me retorika dhe demagogji boshe; si dhe masa konkrete për të ruajtur ndikimin e tyre politik brenda sistemit të zakonshëm gjyqësor, si dhe te militantët partiakë të emëruar në administratën shtetërore, me synimin që të zhvillojnë destruktivitet ‘nga brenda’ gjatë qeverisjes Rama-Meta. Në këtë kuadër kanë zhvilluar deri ‘greva urie’ me kontigjentin berishian të larguar drejtësisht nga administrata e pavarur shtetërore, për shkak të pamjaftueshmërisë së tyre profesionale dhe veprimtarisë partiake destruktive, që kanë zhvilluar para dhe gjatë fushatës elektorale të qershorit 2013. Sipas berishianëve të larguar nga pushteti, pas humbjes së rëndë elektorale, themelet e pushtetit partiak mbrohen me çdo kusht, duke mos lejuar që të futen në administratën shtetërore jo vetëm militantët e partisë rozë, por as profesionistët e pavarur nga ndikimi politik i partisë berishiane.

Dobësitë e vetëqeverisjes gjyqësore

Raporti i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit në Këshillin e Europës (GRECO) ka kritikuar mosfunksionalitetin efikas të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si organ kryesor vetëqeverisës, duke theksuar se: “nuk ka qenë plotësisht funksional për vite dhe kjo ka pasur një ndikim negativ në përzgjedhjen, avancimin në karierë, trajnimin dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve.” Koha ka treguar dobësitë e vetëqeverisjes gjyqësore nëpërmjet zhvillimit të Konferencës Gjyqësore vjetore kombëtare; që pa dashje, minohet nga ndjenjat dhe psikologjia e ‘solidaritetit të brendshëm profesional’ të vetë këtij komuniteti. Filozofi i shtetit modern, Monteskieja, ka sqaruar lidhur me unitetin e shtetit juridik, si dhe kontrollin reciprok të pushteteve të pavarur shtetërorë. Brenda pushtetit ekzekutiv qendror ekziston monitorimi dhe kontrolli i brendshëm administrativ, por është pushteti i pavarur gjyqësor, që nëpërmjet kontrollit gjykativ në katër nivele gjykimi, përfshi edhe gjykimin përfundimtar të konceptit kushtetues, jep verdiktin e drejtësisë lidhur me veprimet, mosveprimet, vendimet dhe mosvendimet e marra nga strukturat e pushtetit ekzekutiv. Por jo vetëm pushteti gjyqësor ka juridiksion për të ushtruar kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv; sepse edhe pushteti qendror ekzekutiv, që është më i rëndësishëm se pushteti i pavarur gjyqësor, kontrollon dhe mbështet veprimtarinë e sistemit gjyqësor, duke bërë emërime në administratën e gjyqësorit, si dhe ushtruar kontroll, procedime dhe ndëshkime disiplinore e administrative ndaj veprimtarisë antiligjore të gjyqtarëve, brenda niveleve të sistemit të zakonshëm gjyqësor.

Lind pyetja problematike: Kush e kontrollon veprimtarinë e Gjykatës së Lartë dhe atë të Gjykatës Kushtetuese”? De facto nuk i kontrollon askush, sepse pushteti kryesor i Shtetit, që sipas Hegelit është kurdoherë pushteti legjislativ, konstatohet i përçarë, ose i asnjanësuar nga pushtetet e pakufizuar politikë. Ndaj, pavarësisht se kryeministri aktual, z. Edi Rama, ka deklaruar se do të udhëheqë pa bërë gabimet e ish-kryeministrit Berisha; pra nuk do t’a pengojë opozitën për të luajtur rolin e vet konstruktiv në dobi të shoqërisë civile dhe shtetit ligjor të Shqipërisë; por ky koncept shtetëror mbipartiak nuk është kuptuar drejt nga liderët militantë të partisë blu; të cilët, frymëzuar nga stili destruktiv berishian, edhe kur ndodhen në ‘skalion të dytë, ose reservë’ të pushtetit politik shtetëror ekzekutiv dhe juridik të Shqipërisë, duan t’a komandojnë tërë Shtetin unik Kombëtar.

Orientimi sipas verdiktit elektoral

Të paktë janë njerëzit që e kuptojnë kontradiktën midis pushtetit legjislativ dhe pushtetit politik, apo disakordancën pozitë opozitë; ashtu siç janë edhe më të paktë personat që dinë t’a dallojnë ndryshimin thelbësor midis shtetit politik dhe shtetit ligjor në tërësi. Koncepti vulgar i pushtetit legjislativ niset nga ideja ekzistuese e shtetit që kemi sendërtuar aktualisht, kurse filozofia e së drejtës së shtetit modern ekzistuesen e sheh në raport me shkallën më të zhvilluar të rendit shtetëror; sepse ky është themeli mbi të cilin larton rendin shtetëror pushteti legjislativ. Politikëbërësit e Francës në gjysmën e parë të shekullit të XIX kishin arritur në përfundimin se “në demokracinë e vërtetë shteti politik zhduket”. Tashmë, pas një shekulli e gjysëm, politikëbërësit shqiptarë nuk janë në gjëndje t’a “zhdukim” shtetin politik nga “demokracia e vërtetë”; çfarë do të thotë se jo vetëm nuk e kemi arritur dot këtë lloj demokracie, por, më kryesorja, ende nuk e konceptojmë drejt ndërtimin harmonik të saj. Politikëbërësit berishianë pranojnë vetëm qeverisjen partiake të shtetit, ndaj s’e dinë se pushtetet politike janë klauzola të përkohëshme, ose eventualitete të verdiktit elektoral të shoqërisë civile shqiptare, të cilat vihen në shërbim, nën vartësi funksionale dhe nën kontrollin e rreptë ligjor të punëdhënësit Shtet Kombëtar Juridik. Pra pushtetet e përkohshëm politikë rekrutohen nga Shteti unik Shqiptar si kolektiva punëmarrës të specializuar për të kryer profesionin e politikëbërësit. Shteti Ligjor, ky mjet integral, me intelekt vetqeverisës dialektik, që zotëron ndërgjegjen humane të Imperativit Kategorik Kombëtar dhe është pronë e patjetërsueshme në shërbim të Sovranit Popull, ka nevojë për të punësuar një nomenklaturë të kufizuar politike punëmarrëse; e cila përzgjidhet sipas verdiktit elektoral të shoqërisë civile shqiptare dhe ka tagër menaxhimi katër vjeçar vetëm brenda pushtetit shtetëror ekzekutiv. Por konceptet e lartpërmendura s’pranohen nga berishianët destruktivë; të cilët ende nuk dinë atë që dinin politikëbërësit e Francës qysh në shekullin e 19-të, që në shtetin modern pushteti politik ‘zhduket’… Profanët vazhdimisht ‘teshtijnë’ dhe ankohen nga trendi, ose pritshmëria e stinës së Shtetit Ligjor; sepse duan që pushtetet e përkohshëm politikë të komandojnë dhe kenë në vartësi e nën kontroll krejt shtetin dhe jo të ndodhë e kundërta, që partitë politike të jenë ligjërisht të ndara, të kontrolluara dhe në vartësi të Shtetit Juridik Kombëtar të Shqipërisë.

‘Nxitur’ nga detyrat strategjike të përcaktuara nga vendim-marrja e BE, qeverisja aktuale e socialistëve, njëlloj si Bashkimi Europian, rëndom po flet për domosdoshmërinë e reformimit të sistemit gjyqësor dhe “ndëshkimin” e prokurorëve dhe gjyqtarëve të ‘korruptuar’; por de facto nuk ka asnjë rezultat të dukshëm dhe konkret lidhur me normalizimin e gjendjes në sektorin strategjik të pushtetit të pavarur gjyqësor. Partia ish qeverisëse blu, nëpërmjet deputetit partiak, z. Gerd Bylykbashi, mjaft herë ka deklaruar me ‘forcë dhe ton patetik’ se ‘Bashkëqeverisja Rama-Meta duhet të heqë dorë nga spastrimi i administratës publike’. Me fjalë të tjera, deputetët partiakë të opozitës ‘blu’ ushtrojnë trysni politike negative për të mbrojtur me çdo kusht superstrukturën destruktive berishiane të ‘konservuar’ brenda administratës ‘publike dhe të depolitizuar’ të Shtetit. Ky skenar synon të disinformojë opinionin publik dhe asnjëanësojë të gjitha veprimet konstruktive të veprimtarëve idealistë; të cilët ‘klithmave profanike’ të qeverisë ‘hije’, u përgjigjen me veprimtari të paepur në shërbim të shtetit ende partiak dhe të paunifikuar në pikëpamje ligjore. Duke pritur stinën e munguar të Shtetit Ligjor jemi lodhur duke parë dhe dëgjuar ‘gërr-mërret’ joracionale të ish kryetarit të PD, z. Sali Berisha, që shpreson se më 21 qershor Populli i Tiranës do votojë për Kryetar Bashkie ish gjinekologun, z. Halim Kosova; i cili tashmë vetbeson se ‘zotëron’ edhe talentin e paushtruar të politikëbërësit. Përballë këtij partiaku ‘të lodhur’ berishian konkuron moderatori i palodhur, që posedon aftësi, oratori, shpirt demokratik dhe vision të shkëlqyer perëndimor; politikëbërësi djaloshar, z. Elion Veliaj. Le të presim verdiktin e Popullit.

 

SHKARKO APP