Koncerti “VOYAGE” ndez Teatrin “Migjeni”, Benet Beci: “Një mbrëmje që Shkodra do ta mbajë mend gjatë”

Nga Albert Vataj
Shkodra, qyteti që mban në shpirt historinë e artit shqiptar dhe që frymon kulturë në çdo gur dhe frymëmarrje të saj, përjetoi një nga ato mbrëmje të rralla ku muzika nuk dëgjohet vetëm, ajo ngrihet mbi skenë si një shpallje e së bukurës dhe prek zemrat si një premtim i përjetshëm, si një zgjim i shpirtit të korifejve, atyre që janë gurët e rëndë në themelet e këtij tempulli. Në Teatrin “Migjeni”, aty ku brezat kanë lënë gjurmë të pavdekshme, u ndez një tjetër faqe e artit të madh: një natë ku drita, dinjiteti artistik dhe krenaria qytetare u bashkuan në një koncert që Shkodra do ta kujtojë gjatë.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale emocionin e asaj që ai e përshkruan si “Një mbrëmje që Shkodra do ta mbajë mend gjatë”.

Bëhet fjalë për koncertin “VOYAGE”, ku dy prej figurave më përfaqësuese të artit shqiptar në botë, sopranoja Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi, ndezën skenën e Teatrit “Migjeni” me një performancë të nivelit ndërkombëtar.
Publiku shkodran përjetoi një shfaqje të jashtëzakonshme, një udhëtim të vërtetë shpirtëror që nisi nga eleganca pariziene dhe përfundoi në thellësinë emocionale të Shkodrës. Zëri i pastër, aristokratik dhe gjithmonë mbresëlënës i Inva Mulës, i ndërthurur me interpretimin brilant të Genc Tukiçit, krijuan një atmosferë ku arti ngrihet mbi kohën dhe vendin.
Nën dirigjimin e mjeshtres Elda Laro, Orkestra Simfonike e Shkodrës dhe Kori Polifonik “Prenk Jakova” sollën një harmoni të rrallë, duke dëshmuar se tradita dhe profesionalizmi i institucioneve artistike të qytetit mbeten shembull për mbarë vendin. Salla u mbush me emocione të sinqerta, ndërsa duartrokitjet e gjata shpërthyen si mirënjohje ndaj një mbrëmjeje që i rikujtoi Shkodrës rolin e saj të pazëvendësueshëm në kulturën kombëtare.
“Faleminderit Inva Mula, Genc Tukiçi dhe të gjithë artistëve për madhështinë e kësaj mbrëmjeje. Arti e nderoi Shkodrën”, përfundon mesazhi i kryebashkiakut Beci.
Kjo mbrëmje ishte më shumë se një koncert; ishte një dëshmi se Shkodra vazhdon të jetë altari ku arti ringjallet, lulëzon dhe ngrihet mbi çdo sfidë të kohës. Në qytetin e poetëve, muzikantëve, virtuozëve dhe vizionarëve të kulturës shqiptare, nata e “VOYAGE” ishte një rikthim i shkëlqimit, një kujtesë e fuqishme se Shkodra nuk është thjesht një vend, është një histori e gjallë e artit që vazhdon të shkruhet me dinjitet dhe madhështi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?