Koncesionet në Shëndetësi drejt fundit. Sterilizimi, Check-Up dhe hemodializa do të menaxhohen nga shteti
Tri shërbimet koncesionare në sektorin e shëndetësisë pritet të rikthehen tërësisht në administrimin e shtetit. Shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është i pari që ka kaluar në menaxhimin e sektorit publik.
Me përfundimin e dy kontratave të tjera, check-up-it, i njohur si kontrolli bazë mjekësor, që përfundon në shtator, dhe shërbimit të hemodializës, kontrata e të cilit mbyllet në nëntor, edhe këto shërbime do të administrohen nga një operator i vetëm publik.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se të gjitha këto shërbime do të jenë nën drejtimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHIS).
“Me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, OSHIS do të administrojë edhe dy shërbime kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët: check-up-in dhe dializën. Kjo do të thotë më shumë standardizim, më shumë kontroll mbi cilësinë, më shumë efikasitet dhe, mbi të gjitha, më shumë siguri për pacientët. Ne po ndërtojmë një operator publik të fortë, të aftë për të garantuar shërbime të qëndrueshme dhe me standarde të njëjta në të gjithë vendin”, u shpreh ministrja.
Gjatë vizitës në ambientet ku do të zbatohet modeli i ri i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, Sala theksoi rëndësinë e këtij procesi për sigurinë e pacientëve dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.
“Sterilizimi është një nga hallkat më kritike të sigurisë së pacientit. Qendra e re garanton procese të standardizuara, kontroll të plotë të cilësisë dhe gjurmueshmëri në çdo fazë të procesit, duke mbrojtur njëkohësisht pacientët dhe personelin shëndetësor. Ky është një investim që rrit cilësinë, ul rrezikun e infeksioneve dhe forcon besimin te shërbimi publik shëndetësor”, tha ajo.
KOHA JONË SONDAZH

