Konferenca e Tiranës/Kur Iljaz Ahmeti i përmendte shpenzimet e byrosë Enver Hoxhës

DOSSIER /60-vjetori i

Nga Skifter Këlliçi

(vijon nga numrat e kaluar)

“Sapo hyra në sallën, ku zhvillohej konferenca,-shkruan Enver Hoxha,-më rrethoi një atmosferë që më shtoi akoma edhe më tepër besimin te forcat: Delegatët, sapo më panë, u ngritën më këmbë, shpërthyen në brohoritje për Partinë dhe Komitetin Qendror”. (“Titistët” ,faqe 556). Por, ç’tha Enver Hoxha në fjalën e tij në konferencë? Ai e nisi ashtu siç kishte paramenduar-urtë e butë: “Me sa kam kuptuar unë,-tha ai,-sidomos dje, konferenca nuk ka marrë atë drejtim të vërtetë që duhej të niste. Me këtë nuk them se nuk duhet të ngrihen probleme ose pyetje, por çështja është se këtu disa janë kufizuar me këto… Në qoftë se janë të vërteta të thënat se ka varfëri në popull, më duket se është i drejtë problemi edhe si të zhduket kjo varfëri”. Ngaqë nuk është në gjendje si t’i përgjigjet këtij problemi që ishte ngritur me forcë në konferencë, Enver Hoxha , siç shihet faqeza, bën lojëra fjalësh, duke bishtëruar hapur dhe pa skrupull. Më pas vazhdon: “Tani çështja është se a e ka bërë Komiteti Qendror një analizë të thellë në dritën e Kongresit të 20-të në lidhje me kultin e individit dhe, mbi të gjitha, a ka ngjarë në vendin tonë? Komiteti Qendror nuk e ka bërë një gjë të tillë, por këtu duhet të ruhemi nga shabllonizmi”.

Përsëri lojëra fjalësh, të cilat dëshmojnë se edhe ai e kishte shumë të vështirë të sqaronte të pranishmit për problemet që kishin ngritur me sinqeritet e çiltërsi. Pa iu përgjigjur si duhet kësaj pyetjeje, Enver Hoxha hidhet te një pyetje tjetër e vështirë për t’i dhënë përgjigje, që kishte të bënte me marrëdhëniet me Jugosllavinë:  “Komiteti Qendror thotë të varrosim të kaluarën dhe të lidhim miqësi me Jugosllavinë, të shëndetshme, të sinqertë, të fortë, si edhe më përpara…Dhe unë jam takuar me Tempon. Kam biseduar së bashku me të dhe ai më tha: “Mos shikoni disa vogëlsira, shoku Enver…T’i harrojmë ato që kanë ndodhur”. Pra, përsa na përket neve, fajet tona këto janë, ato ne i themi haptazi dhe tani po bëjmë përpjekje për t’i përmirësuar më shumë marrëdhëniet me Jugosllavinë…”. Këto autokritika Enver Hoxha nuk i bëri vetëm në konferencë para delegatëve, por, më pas, edhe në Kongresin e 3-të të Partisë. Mirëpo, çuditërisht, në veprën “Hrushovianët”, të botuar më 1979, ai këtë takim e paraqet me kërcime akrobatike, në formë diametralisht të kundërt”:

“Vazhdoi kështu të më tregonte për vështirësitë që kishin pasur dhe tha se qenë të detyruar të merrnin ndihma nga vendet e Perëndimit me kamatë të rëndë…I fola, ( Tempos, SK) dhe unë për përparimet që kishte bërë vendi ynë gjatë kësaj kohe dhe vështirësitë që kemi pasur dhe kemi ende. I fola për komisionin e Liqenit të Ohrit, ku pala e tyre po i zvarriste diskutimet, po më tha se ai nuk dinte gjë… Ja kështu kaloi takimi që më kurdisën sovjetikët me Tempon… Në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë s’do të kishte pranverë e shkrirje akulli në fushën ideologjike dhe se nuk kishim në mend të mbyteshim në pellgjet e ujërave të turbullta të hrushovianëve e të titistëve”. (“Hrushovianët”, faqe 132-133, 1979)

Natyrisht, shumë të vështirë e pati Enver Hoxha t’u përgjigjej pyetjeve për varfërinë që kishte pllakosur te masat e gjera të popullit.  “Këtu u ngrit një pyetje, -vazhdoi ai,-a e di udhëheqja gjendjen e mjerueshme të popullit, apo jo. Vënia e çështjes në këtë mënyrë, nuk është e drejtë… Partia nuk ka thënë se pa luftë, pa përpjekje dhe vështirësi, pa shtrënguar rripin, nuk mund të krijohet bollëku… Po të mos harrojmë ku kemi qenë dhe ku jemi”. Përsëri lojëra fjalësh, pa pashpjeguar rrugët për të dalë nga gjendja e mjerueshme, që kërkonin të pranishmit në sallë. Dhe këto lojëra fjalësh vazhdojnë edhe më pas: “Tani për çështjen e funksionarëve: Shumë mirë u bënë kritika për ato që kemi bërë. Mundet që edhe vetë të kemi gabuar, mundet që atyre u japim më shumë, mundet që edhe ne vetë marrim më shumë. Për këtë gjë ne do të marrim masa edhe çështjen do ta shohim, por çdo gjë me frymën e drejtë marksiste”.

Kurse në veprën “Titistët”, këto fjalë të shqiptuara në konferencë, ai, jo vetëm nuk i citon, por shkruan se teksa fliste, delegatët thërrisnin nga vendi: “Kjo është e vërtetë! Të rrojë Partia! Vetëm disa kokrra aty-këtu stononin nga e përgjithshmja”. (“Titistët”, faqe 546, 1982). Pasthirmat e mësipërme, që përmend Enver Hoxha, nuk janë aspak e vërtetë që të jenë dëgjuar në sallë dhe aq më tepër të jenë shkruar në procesverbalin e kësaj konference. Sidoqoftë, në sallë gjatë fjalës së tij, dëgjoheshin duartrokitje, natyrisht të imponuara nga të qenit e tij në presidium. Pritej që pas fjalës së tij askush nuk do të ngrihej të diskutonte në frymën e diskutimeve të mëparshme. Por nuk ndodhi kështu. Në vazhdën e diskutimeve që ishin bërë deri atëherë, në foltore u ngrit për të diskutuar ushtaraku Iljaz Ahmeti. Diskutimi i tij qe jo vetëm i ashpër ndaj udhëheqjes për problemet për të cilat Enver Hoxha kishte dhënë shpjegime të përcipta dhe të tërthorta, por edhe shumë i guximshëm, po të marrim parasysh se disa metër larg tij, në presidium ishte vetë diktatori. I befasuar nga shifrat dhe faktet që numëronte Iljaz Ahmeti gjatë diskutimit të tij, Enver Hoxha në mënyrë vulgare, duke thyer kështu edhe normat më elementare të etikës, aq më tepër në një forum të tillë partie siç qe Konferenca e Tiranës, e ndërpreu atë disa herë. Megjithatë, Iljaz Ahmeti vazhdoi diskutimin e tij, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kjo na detyron që t’i paraqesim lexuesit thuajse të plotë një pjesë të shkëputur nga procesverbali i konferencës, për të krijuar një bindje të plotë për guximin e këtij komunisti, në debat të ashpër me diktatorin. (Nga Fondi 2 i Komitetit të Partisë së Tiranës,dosja A,A/1.A/2): Shoku Iljaz Ahmeti: Shoku Enver në lidhje me trajtimin që i duhej bërë udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, unë kam bërë llogaritje. Kështu, për shembull, kandidatët dhe anëtarët e Komitetit Qendror arrijnë të marrin së bashku me shofer, shtëpi pushimesh etj., mbi 70 mijë lekë në muaj, domethënë 1 milion lekë në vit… Shoku Enver: Të dalësh ti, shoku Iljaz, me llogarira se sa shpenzon një anëtar i Komitetit Qendror, kjo nuk është serioze. Nga i ke marrë këto të dhëna që për një anëtar të Komitetit Qendror u shpenzuakan kaq lekë? Leri këto gjera këtu në konferencë!

Shoku Iljaz: Unë kam të drejtë të jap mendimin tim dhe të lutem, shoku Enver, të mos më ndërpresësh fjalën.

Shoku Enver: Dakord, por edhe unë kam të drejtë të them mendimin tim. Jam sekretari i parë unë, nuk lejoj të na nxjerrësh llogarira këtu. Unë them se këto që paraqet ti, janë tendencioze. Janë për diskriminimin e udhëheqjes së Partisë. Anëtari i Komitetit Qendror të Partisë marrka një milion lekë në vit. Nga e nxjerr këtë? Një milion nuk marr unë që jam sekretari i parë i partisë. Unë ta ndërpres fjalën, sepse kam edhe unë për të folur për ty.

Shoku Injac Mazi (nga salla): Çdo anëtar partie ka të drejtë t’i thotë konferencës mendimet e tij. Ne themi se duhet të inkurajohet kritika.

Shoku Enver: Si e kupton demokracinë ti, zotëri?

Shoku Injac Mazi: Unë nuk jam zotëri, por jam komunist. Unë demokracinë e kuptoj kështu: Shokët nuk duhet të flasin të nervozuar: ju shprehni mendimin tuaj, ai shpreh mendimin e tij.

Shoku Enver: Dakord, por nuk është demokratike kjo, të më dalë Iljaz Ahmeti me llogarira të tilla për diskriminimin e udhëheqjes së Partisë.

Shoku Iljaz: Unë, përderisa jam anëtar partie, nuk është e drejtë të më pritet diskutimi….Përderisa në Komitetin Qendror të Partisë janë 18 vetë farefis, neve na preokupon se kritika dhe autokritika nuk mund të jetë ashtu siç thotë shoku Enver….

Kishte ardhur koha që tani diktatori të niste mësymjen e tij të përbindshme.

Kjo ndodhi ditën e tretë të konferencës, pra  më 16 prill. Dhe tani ishte shumë më i përgatitur pas një nate të shqetësuar. Dhe mund të fliste sa herë të donte, të ndërpriste kë të donte e si të donte, duke thyer çdo normë morale, veç të mposhtte përfundimisht edhe përpjekjen sado të vogël të ndonjërit që kërkonte ta kundërshtonte, si Iljaz Ahmeti. Të tërë delegatët do t’i bënte zap… “Dua të them,-fillon diskutimin e tij ai,-se në konferencë ka pasur elementë që kanë mashtruar besimin tuaj të drejtë ndaj udhëheqjes, frymës së partisë…Kjo çështje, mendon Komiteti Qendror, do të ndreqet me siguri. Partisë duhet t’i flasim hapur…”. Po a kishte më hapur se sa mënyra me të cilën kishin folur deri atëherë diskutantët, duke vënë në dukje ato që përmendëm më sipër e të cilat e kishin tërbuar diktatorin, që thoshte edhe tani që partisë duhej… “t’i flasim hapur?..”.Ç’hipokrizi!… “Tani Komiteti Qendror,-vazhdoi ai,-më ka ngarkuar që ta ndihmoj konferencën në këtë drejtim. (Pra, që ta asfiksoj, ta shkatërroj, S.K)). Partia duhet të thellohet, të gjykojë dhe të zbulojë rrymën dhe qëllimet e këtyre elementëve që e çuan konferencën në këtë rrugë. Tani, ashtu si i bënë udhëheqjes pyetje nga salla, edhe unë do t’u bëj pyetje shokëve “të zellshëm” që t’i shpjegojnë konferencës se ç’i shtyu ata që të sulmonin udhëheqjen. (Të gjithë dakord).

Diktatori nënvizon shprehjen “të sulmonin udhëheqjen”. Pra, të tëra diskutimet e deriatëhershme, që nuk ishin gjë tjetër veçse konstatime, të cilat, madje, në një mënyrë a tjetër, i kishte pranuar vetë, tani i quan sulme… Si pasojë, duke krijuar këtë psikozë te delegatët, që kurrë nuk prisnin që ai të përdorte këtë mjet kërcënimi të hapur, ai vërsulet  mbi Niazi Jahon, sekretarin e Komitetit të Partisë së Tiranës për sektorin e propagandës, mbi Nesti Zoton, të deleguarin e organizatës bazë të partisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”, dhe drejtor i saj, mbi Vehip Demin, i deleguari i organizatës bazë të partisë së Radio Tiranës, mbi Vandush Vincanin, të deleguarin e Komitetit Qendror të Partisë, Iljaz Ahmetin, që përmendëm më sipër. “Armiku,-thotë ai,- lëshon llum çdo natë kundër udhëheqjes tonë. E ç’nuk thotë, njëmijë e një poshtërsi”. Po e rrjepin popullin e shtypur, e kanë lënë pa bukë, populli vuan…”. Pse këta njerëz i ruajtën këto gjëra për këtu në konferencë? Ç’i shtyu ata të veprojnë kështu? Pse kaq kollaj mendojnë këta njerëz se do të vihej Partia kundër udhëheqjes? Por sa gabojnë!…”

Me fjalë të tjera ai i identifikonte diskutuesit e mësipërm me armikun që villte vrer kundër popullit dhe Partisë. Pra, ata këtej e tutje, nuk do të cilësoheshin veçse si armiq. Dhe jo vetëm ata, por edhe të tjerë që kishin gjykuar të diskutonin si ata. Por sulmi i diktatorit vazhdon tani edhe më me ashpërsi:

“Ju që na flisni si bilbila, mos mendoni vallë se konferenca do t’ju lejë të kaloni kaq kollaj këtej? Jo, nuk do t’ju lejojë kaq kollaj…”(Pra, ju e në sallë suluni atyre, se lejen e keni nga unë).  Pastaj Enver Hoxha i drejtohet Niazi Jahos, sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës, me këto fjalë:  “Elementë që kërkojnë t’i bëjnë varrin Partisë, kanë muaj që punojnë duke thyer rregullat organizative dhe po përgatisin një sulm të padrejtë antimarksist kundër shtabit udhëheqës të Partisë….Prandaj konferenca duhet të thellohet për këto çështje dhe të marrë vendime, sepse duhet të mendojmë se këtu në Tiranë ngjau kjo dhe në një shkallë të tillë nuk ka ngjarë kurrë në Parti …Partia ka fat se do të ishte më keq që kjo të ngjiste në kongres”.

Në këtë rast Enver Hoxha shprehet me shumë sinqeritet. Kuptohet vetvetiu se ç’do të ndodhte me të vërtetë sikur këta diskutantë, ose të tjerë si ata, të ishin ngritur në një forum të tillë si Kongresi i 3-të dhe të mbanin diskutime të tilla para delegatëve të ardhur nga rrethet e gjithë Shqipërisë e, për më tepër, para delegacioneve të vendeve miq, kur vetë ai trumbetonte me pompë për sukseset e “mahnitshme” dhe jetën “e lumtur” që kalonte populli shqiptar nën udhëheqjen e Partisë.

Kjo konferencë zhvillohej në kohën kur në vendet e tjera të demokracive popullore kishin nisur të zbatoheshin vendimet e Kongresit të 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik, dhe, para së gjithash, lufta kundër kultit të individit në këto vende që kishte sjellë rehabilitimin e Rajkut në Hungari, të Kostovit në Bullgari, të Gomulkës në Poloni, të Slanskit në Çekosllovaki etj., viktima të shtypjes staliniste të udhëheqjeve të atyre vendeve, ashtu siç ishin Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova, Bedri Spahiu etj., që, veç të tjerash, ishin dënuar sepse kishin vënë në dukje prirjet e theksuara diktatoriale të Enver Hoxhës për të vendosur mbi partinë unin e tij. Ja, kësaj i parapriu Enver Hoxha duke nisur sulmin e tij mizor mbi frymën liberale, sipas vendimeve të Kongresit të 20-të që kishte nisur të frynte në këtë konferencë. Kështu diktatori, nga i ftuar, u kthye në inkuizitor që gjykonte ata që kishin bërë pyetje dhe që kishin diskutuar sipas së drejtës që u jepte statuti i Partisë dhe demokracia e brendshme e saj, duke dëshmuar hapur  se artikulli i tij, botuar para disa ditësh në gazetën “Zëri i Popullit” për t’i lënë rrugë të lirë kritikës pa droje nga poshtë, ishte një demagogji e neveritshme.

Pra, në mënyrë të tërthortë, ai u kumtoi të tërë pjesëmarrësve në Konferencën e Tiranës: “Ju , dritëshkurtër që i duartrokitët dhe brohoritët këta që bënë pyetje dhe diskutuan kundër Partisë dhe kundër meje, tani suluni atyre, se rrugë tjetër, siç e shihni, nuk ka”. Kështu ai e përmbysi rrjedhën e kësaj konference që po zbulonte se pas tisit që kishte ngritur vetë diktatori dhe lakenjtë që i rrinin pas, fshihej drama e një populli që vuante nga një shtypje e egër. Jo vetëm kaq, por shumë diskutantë të tjerë, që do ta merrnin fjalën në vazhdën e diskutuesve të parë, i tërhoqën diskutimet e tyre. Në mbrëmjen e ditës së dytë të Konferencës së Tiranës, ashtu si Mehmet Shehu, edhe Enver Hoxha vajti të “falej” te ambasadori sovjetik, Krillov,të cilit menjëherë i rrëfeu plot krenari si kishte vepruar me Iliaz Ahmetin, aq sa dhe titulli i raporti të Krillovit është:“Enveri: Si i dërmova rebelët”. “Nuk u përmbajta,-i tha Enver Hoxha ambasadorit sovjetik,- dhe që nga vendi për këtë shpifje i shpalla luftë këtij demagogu, si rezultat i së cilës ai u detyrua të ikte nga tribuna. Kjo sigurisht që, ishte pak e ashpër nga ana ime, por t’u jepje liri këtyre qëndrimeve demagogjike, duke vlerësuar edhe situatën e përgjithshme të konferencës, ishte gjithashtu e palejueshme. E gjitha kjo shkaktoi thyerjen e njohur në punën e konferencës dhe pastaj delegatët nisën me vlerësime kritike”.(Sipas  raportit të Krillovit, sekret, ekz. nr, 1 1maj 1956,në arkivat ruse, nga Ferdinand Dervishi).

  Por Enver Hoxha në bisedë me Krillovin u ndodh në pozitë të vështirë, sepse duhej të justifikohej edhe për një problem tjetër shumë të rëndësishëm, që po e rendis më poshtë:  “Puna është se pasi mora në Kongresin e 20-të të PK të B.Sovjetik tekstin e raportit  të fshehtë  të Hrushovit, ne nuk mundeshim që përmbajtjen e tij t’ia bënim të ditur popullit dhe prisnim një sinjal nga KQ i PK të B.Sovjetik,  ndërkohë që, në RD Gjermane, Hungari e Poloni shokët vepruan sipas mënyrës së tyre dhe gjerësisht ranë dakord me të gjitha  çështjet  që kanë të bëjnë me kultin e individit  duke na e kaluar në këtë pikë”.(Po aty).  Ç’gënjeshtra, ç’hipokrizi, të cilat nuk kanë nevojë për komente.

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP