Konferenca financiare e Vjenës- Shqipëria me rritjen më të shpejtë në rajon në 2017-ën

Progresi i Shqipërisë drejt ekonomisë me rritjen më të shpejtë në rajon në vitin 2017 ishte tema e tryezës së rrumbullakët, organizuar me mbështetjen e Bankës Kombëtare Tregtare, në kuadër të konferencës financiare në Vjenë.

I pranishëm në punimet e konferencës, ministri i Financave, Arben Ahmetaj bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore ekonomike në vend përgjatë tre viteve të shkuara dhe projeksionet për vitin 2017.

Nga pikëpamja financiare, sipas Ahmetajt, në vitin 2013 vendi ishte në një situatë kritike, me detyrime të prapambetura që shkonin deri në 5.2% e GDP. “Pas skanimit që iu bë borxhit publik, ai u rrit nga 64% në rreth 70% e PBB. Qeveria hyri menjëherë në një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, bazuar në Artikullin 4, e cila pas pak javësh do të përmbyllet me sukses duke u konsideruar si një nga programet më të suksesshme të FMN, jo vetëm në rajonin tonë”, shpjegoi ministri.

Sipas tij, në vitin 2016, të ardhurat u rritën me 2.5% e GDP krahasuar me nivelin ku i morëm, ndërsa borxhi publik filloi një trajektore serioze rënëse në 2016, që sipas projeksioneve tona, në vitin 2017 do të vazhdojë uljen e mëtejshme deri në 69.1% e GDP, duke shënuar për herë të parë një nivel më të ulët nga sa e morëm në 2013”

Sa i takon rritjes ekonomike në 2017, Ministri tha se sipas vlerësimeve të FMN Shqipëria do të jetë vendi i dytë me rritjen më të madhe në bllokun e vendeve ish-komuniste pas Rumanisë.

Ndërkohë që tre vjet më parë rritja 3% dukej tabu, tashmë është fakt dhe viti 2017 sipas projeksioneve tona do të shënojë një rritje në kufjitë 3.7% – 3.8%””, theksoi ai.

Ministri Ahmetaj renditi edhe disa nga reformat të cilat i cilësoi si tejet të guximshme, si atë në sektorin energjetik, reforma administrative territoriale, reforma në pensione, ajo për menaxhimin e financave publike.

Ne jemi ndër vendet e para në rajon, që në kuadër të ligjit të ri organik të buxhetit, kemi shkruar në ligj një rregull fiskal ï cili detyron cdo qeveri që të ulë borxhin cdo vit me të paktën 1% deri sa të arrijmë së paku nivelin e 45% të PBB” , theksoi Ahmetaj.

Ai përmendi se qeveria do të prezantojë së shpejti një paketë projektesh investimesh publike të formës së Partneritetit Publik Privat, në masën 1 miliardë dollarë, projekte të cilat do të krijonin premisa për një rritje ekonomike rreth 6% në vitet që vijnë. Nga ana tjetër Ministri theksoi se kjo paketë është e mirëmenduar në përputhje të plotë me ligjin e ri organik të buxhetit për të mos cënuar konsolidimin fiskal dhe angazhimin për uljen e borxhit publik.

Sipas tij, viti 2016 shënoi një rekord historik të investimeve të huaja direkte që në rastin e Shqipërisë, përtej disa legjendave urbane, është 9.5% e GDP.

Ministri prezantoi edhe reformën në drejtësi që sipas tij, ishte një reformë shumë e vështirë në aspektin politik por dha një mesazh të qartë të të gjitha palëve për vullnetin e përbashkët për të reformuar një nga problematikat më të mëdha që ka hasur biznesi në 25 vite, përfundoi Ministri.

Konferenca Financaire “Euromoney”, forumi për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, që u mbajt në Vjenë këtë vit u fokusua tek zhvillimet e ekonomisë globale në 2017 dhe sfidat e financimit të sektorit publik.

Pjesëmarrës në konferencën me mbi 1100 të ftuar të nivelit të lartë, ishin edhe ministrat e financave të vendeve të rajonit, Hungarisë, Kroacisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

SHKARKO APP