Konferenca ndërqeveritare me BE-në, Rama: Synojmë më shumë progres, le ta tundim këtë shtëpi dhe ta bëjmë realitet
Kryeministri Edi Rama e cilësoi mbylljen e ndërmjetme të kapitullit 20 si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Gjatë konferencës ndërqeveritare në Luksemburg, ai falënderoi Presidencën irlandeze, komisioneren Marta Kos dhe vendet anëtare për mbështetjen dhe angazhimin në procesin e integrimit. Rama pranoi se Shqipërinë e pret ende një rrugë e gjatë, por theksoi se vendi është i përgatitur për të përmbushur objektivat. Kryeministri po ashtu shprehu pritshmëritë për përparim të mëtejshëm deri në samitin e ardhshëm të Planit të Rritjes dhe Forumit të Investimeve, që pritet të zhvillohen në Tiranë.
“Falënderime për Presidencën irlandeze dhe për Martën dhe ekipin e saj. Së fundmi, në radhë, por jo nga rëndësia, falënderoj të gjitha vendet anëtare për besimin, mbështetjen dhe angazhimin gjatë gjithë procesit. Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por jemi të përgatitur për t’ia dalë. Pres me padurim që të mbahet samiti i ardhshëm i Planit të Rritjes, së bashku me Forumin e Investimeve në Tiranë. Deri atëherë, jam plot shpresë se do të kemi bërë edhe më shumë progress”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te rëndësia e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, duke e cilësuar mbylljen e ndërmjetme të kapitullit 20 si një vlerësim për punën e bërë deri më tani. Sipas tij, objektivi i vendit nuk është thjesht vijimi i reformave, por intensifikimi i përpjekjeve për të përmbushur kushtet e anëtarësimit.
“Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap vendimtar drejt vendit të saj të drejtë në BE. Mbyllja e ndërmjetme e kapitullit 20 është njohje më tej e reformave që ka realizuar Shqipëria dhe reformave që vendi ka vazhduar të ndërmarrë. Ju dëgjova qartësisht, i dashur Thomas, ju doni të bëni edhe më shumë, ne duam së paku të bëjmë dyfishin. Le të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët dhe le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet”, tha Rama.


