Konflikti për pagat e gjyqtarëve, ministri Gogu: Zgjidhja jepet të martën
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu thotë se boshllëku ligjor i krijuar lidhur me pagat e gjyqtarëve pritet të marrë zgjidhje në Kuvend, me nisjen e sesionit të ri parlamentar ditën e martë.
Në një deklaratë për mediat këtë të shtunë, Gogu u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka shfuqizuar bazën ligjore ekzistuese, duke krijuar pamundësi për zbatimin e tij nga Ministria e Financave.
“Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi, në mungesë të formulës dhe autorizimit ligjor. Ministria e Financave nuk mund të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, kjo mospërputhje duhet të plotësohet tërësisht aty ku Kushtetuesja e ka përcaktuar se duhet të zbatohet”, deklaroi ministri.
Sipas Gogut, ndërhyrja ligjore duhet të jetë e qartë dhe të mos lërë hapësirë për interpretime. “Në ligj nuk duhet të ketë asnjë ekuivok. Të martën, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, ky boshllëk ligjor do të plotësohet”, tha ai.
Ministri theksoi gjithashtu se zgjidhja e situatës nuk duhet të vijë përmes përplasjes mes institucioneve, por përmes ndërhyrjes së Kuvendit. “Zgjidhja nuk është përplasja e institucioneve, por në Kuvend, në ditët e ardhshme, që pritet të jenë ditë të ngarkuara pune”, përfundoi Gogu.
KOHA JONË SONDAZH

