Kontrolli i xhamive rebele

 

Komuniteti Islamik i Shqipërisë kërkon ndihmën e shtetit për t’u përballur me imamët rebelët që i rezistojnë autoritetit të tij.

Nga Fatjona Mejdini, BIRN

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, KMSH po kërkon ndihmën e shtetit për të shuar rezistencën e një numri xhamish në lidhje me disa probleme që lidhen me pronat dhe takimet e imamëve që predikojnë në to.

Pas masakrës së Parisit, që ka rritur alarmin kundër ekstremizmit fetar në të gjithë botën, KMSH ka dyfishuar përpjekjet për të vënë xhamitë rebele nën kontrollin e tij dhe po kërkon ndihmën e shtetit në këtë detyrë.

Shqetësimet rreth ekstremizmit u shtuan në mars 2014 kur dy imamë të vetëcaktuar që drejtonin xhami të pavarura nga KMSH u arrestuan me akuzat e rekrutimit të xhihadistëve për të luftuar për grupet radikale islame në Siri.

Kreu i komunitetit islamik në Tiranë, Ylli Gurra, tha për BIRN se përfaqësuesit e KMSH po takohen me institucione shtetërore përfshirë policinë në lidhje me çështjet e sigurisë brenda komunitetit mysliman dhe do të takohen së shpejti me përfaqësues për t’u përballur me legjislacionin e pronave, në lidhje me pronësinë e disa xhamive rebele.

“Ne nuk duam të përsëritet e shkuara dhe po bëjmë çdo përpjekje ligjore për të parandaluar lulëzimin e ideve ekstremiste në këto xhami. Këto ide kanë inkurajuar dhjetëra shqiptarë të shkojnë në Siri për të luftuar mes terroristëve,” tha Gurra.

Ai tha se është detyra e tyre të vëzhgojnë çdo aktivitet fetar që lidhet me besimtarët myslimanë.

“Ne duam të ruajmë harmoninë fetare në vend dhe traditën paqësore të islamit që myslimanët shqiptarë kanë predikuar historikisht. Ne duam të kontribuojmë në ruajtjen e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë si një vend ku fetë e ndryshme jetojnë në paqe,” vazhdoi ai.

KMSH, formuar në vitin 1923 dhe rikrijuar në 1990 pasi u kthye e drejta e praktikimit të fesë në Shqipërinë dikur ateiste, është e vetmja organizatë myslimane që shteti njeh dhe bashkëpunon.

Duke pasur këtë pozicion ekskluziv, pretendon të drejtën për të administruar dhe mbikëqyrur çdo xhami në Shqipëri, pasi organizata të tjera fetare myslimane nuk janë të regjistruara zyrtarisht në gjykatë apo të miratuara nga Komiteti Shtetëror për Kultet.

KMSH administron pronat e rreth 850 xhamive në vend, por rreth shtatë xhami rebele veprojnë jashtë juridiksionit të saj.

Ilir Hoxholli, ish-kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet – institucioni qeveritar që ndërvepron me institucionet fetare – tha për BIRN se këto xhami jashtë juridiksionit të KMSH janë ndërtuar ilegalisht.

“Këto xhami janë ndërtuar pa leje, nuk janë legalizuar dhe nuk janë mbështetur nga ndonjë organizatë e miratuar apo krijuar me vendim gjykate,” tha ai.

“Nëse ata marrin mbështetjen e KMSH, legalizimi i tyre është i mundur. Nëse jo, ato do të kenë vështirësi për të marrë lejen ose nuk do ta marrin fare,” shtoi ai.

“E drejta e fesë është e mbrojtur nga kushtetuta, por kjo nuk do të thotë se kjo e drejtë mund të shkelet pa ndjekur ligjin e shtetit,” vazhdoi ai.

Pavarësisht problemit të pronave, çka e shqetëson KMSH më shumë është fakti se imamët e këtyre xhamive nuk janë të caktuar nga struktura e tij por janë vetëshpallur.

Një nga imamët rebelë, Armand Ali, që predikon në xhaminë e Unazës së Re, e mirënjohur pasi imami i mëparshëm, Abdurrahim Balla, u arrestua dhe u burgos nën akuzat e terrorizmit.

Armand Ali, xhamia e të cilit vepron jashtë juridiksionit të KMSH, tha për BIRN se KMSH po shkel ligjin ndërkombëtar mbi lirinë e fesë duke u përpjekur të drejtojë ekskluzivisht dhe të ketë kontroll mbi xhamitë shqiptare.

“Kjo shkon kundër ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, që garantojnë lirinë e fesë për këdo pa dallim,” tha ai.

“KMSH do të kontrollojë çdo xhami në Shqipëri, duke shkelur të drejtën e fesë për ata që i frekuentojnë këto xhami,” shtoi ai.

Imami i vetëshpallur gjithashtu thotë se liderët e KMSH janë të caktuar dhe të kontrolluar nga shteti shqiptar, duke shkelur parimin e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të komunitetit.

“Pretendimet e tyre do të vlenin vetëm nëse Shqipëria të drejtohej nga sheriati, jo nga një shtet laik siç është tani,” pretendoi ai.

Pyetur rreth reputacionit të xhamisë së tij, meqënëse imami i mëparshëm u arrestua për terrorizëm, Armand Ali tha se ajo ishte diçka e së shkuarës.

“Nuk ka akuza të tilla të bëra ndaj meje. Predikimet janë të hapura dhe kushdo mund të vijë e të dëgjojë,” tha ai. “Akuzat e bëra ndaj paraardhësit tim nuk janë provuar ende edhe pas 30 seancash gjyqësore,” vazhdoi ai.

Në censusin e fundit në vitin 2011, rreth 60 për qind e shqiptarëve janë deklaruar si myslimanë.

Artikujt investigativë të publikuar nga BIRN Albania kanë zbuluar se rreth 90 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë kanë shkuar në Siri nga viti 2012 deri në 2014 për t’iu bashkuar forcave të ISIS.

SHKARKO APP