FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Korça elektrizohet nga “Moto & Rock Festival” / Rama përcjell atmosferën: Kryeqyteti i verës festive!

Korça ka konfirmuar edhe një herë statusin e saj si kryeqendrë e turizmit kulturor dhe festave verore në Shqipëri. Këtë fundjavë, qyteti i serenatave dhe kalldrëmeve historike ndryshoi tërësisht ritëm, duke u përfshirë nga energjia e jashtëzakonshme e “Moto & Rock Festival”, një event që bëri bashkë pasionin për shpejtësinë dhe shpirtin rebel të muzikës rock.

Atmosfera elektrizuese e këtyre dy ditëve ka tërhequr edhe vëmendjen e Kryeministrit Edi Rama. Përmes një fotogalerie të publikuar në rrjetet e tij sociale, kreu i qeverisë ka përcjellë pamje nga festa masive, duke dëshmuar gjallërinë dhe fluksin e jashtëzakonshëm të vizitorëve që zgjodhën Korçën për të kaluar këto ditë pushimi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që në natën e parë, festivali dëshmoi se do të ishte një sukses i vërtetë. Mbi 60 motoristë nga vendi dhe rajoni, me mjetet e tyre të zhurmshme dhe plot stil, zbarkuan në qytet duke krijuar një paradë spektakolare. Ata u mirëpritën nga qindra vizitorë, turistë vendas e të huaj, si dhe adhurues të panumërt të muzikës rock, të cilët mbushën sheshet e qytetit për të përjetuar një mbrëmje ndryshe nga të tjerat.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përtej pasionit për dy rrotat, motori kryesor i festës ishte muzika live. Skena e festivalit u ndez nën ritmet e fuqishme të Urban Band dhe zërit potent të Renis Gjokës. Artistët arritën të përcillnin emocione të forta dhe një energji shpërthyese tek publiku, i cili këndoi dhe kërceu nën dritat e një Korçe që shkëlqente nga festa.

Ky aktivitet rikonfirmon strategjinë e suksesshme të qytetit juglindor për të krijuar një kalendar të pasur eventesh përgjatë gjithë sezonit veror. Me “Moto & Rock Festival”, Korça provoi se di të jetë sa romantike dhe tradicionale, aq edhe moderne, dinamike dhe e hapur ndaj rrymave që sjellin adrenalinë dhe turizëm të qëndrueshëm.

AV/KJ

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?