Koronavirusi dhe paragjykimet ndaj pakicave aziatike në Francë

Franca njoftoi rastin e gjashtë të koronavirusit të ri këtë javë dhe riatdhesoi qytetarët e saj nga qyteti kinez Wuhan, i goditur nga virusi. Por përsëri në Francë, kinezët dhe të tjerë në komunitetin e gjerë të Azisë Lindore atje thonë se po bëhen objektiva të diskriminit. 

Sa shpejt po përhapet koronavirusi, po aq shpejt duket se po përhapet edhe paragjykimi. Në Japoni, Korenë e Jugut, Itali – dhe tani Francë. Këtë javë hashtagu francez #JeNeSuisPasUnVirus – Unë nuk jam një virus – u përhap me shpejtësi në Twitter.

Një kinez i intervistuar në kanalin BFMTV të Francës – duke fshehur fytyrën në mënyrë që të mos njihet — përshkruan se ndërsa dilte nga një palestër në Paris u sulmua nga adoleshentë, të cilët qeshnin dhe i thoshin: “Po vjen koronavirusi”.

Kinezët etnikë nuk janë të vetmit që vihen në shënjestër. Një rrëfim në mediat sociale përshkruan një grua vietnameze e cila shmanget nga njerëzit përreth saj. Aziatikë të tjerë thonë se udhëtarët e tjerë në transport publik largohen prej tyre, ose vendosin shami para fytyrës.

Në një intervistë televizive, Laetitia Chhiv, drejtuese e shoqatës së të rinjve kinezë në Francë, tha se koronavirusi po i jepte hapësirë racizmit të fshehtë.

Artikulli i një gazete franceze, Le Courrier Picard, me titullin “Alert i Verdhë” në kopertinën e saj të dielën e kaluar dhe një artikull redaksional “Një rrezik i ri i verdhë” duket se kanë ndihmuar në këtë aspekt. Gazeta shpejt kërkoi falje, duke thënë se kjo ishte e paqëllimshme, por dëmi është bërë.

E intervistuar nga një koleg, gazetarja Linh-Lan Dao tha se nuk mund ta besonte titullin e Courrier Picard – “Jemi në shekullin XXI”, tha ajo.

E gjithë kjo vjen pasi Franca raportoi një rritje të akteve raciste dhe ksenofobe në vitin 2019 – deri 130 përqind më shumë nga një vit më parë. Ndërsa pjesa më e madhe e përqëndrimit të vëmendjes ka qenë tek hebrenjtë dhe muslimanët, kinezët etnikë gjithashtu janë vënë në shënjesër vitet e fundit. Linja e qeverisë është toleranca zero ndaj diskriminimit.

Në vitin 2016, mijëra kinezë organizuan protesta pasi një 42-vjeçar u vra pranë Parisit nga tre burra që përpiqeshin të vidhnin çantën e shoqëruesit të tij. Nuk ishte sulmi i parë – dhe aktivistja kineze kundër dhunës Tamara Lui thotë se nuk ka qenë i fundit.

Lui thotë se të njëjtat paragjykime gjatë sulmeve të së kaluarës ndaj komunitetit kinez –që vihen në shënjestër pasi shihen si të pasur dhe punëtorë – po shihet edhe sot me shpërtimin e koronavirusit.(VOA)

SHKARKO APP