KQZ i kthen përgjigje kompanisë postare: Tërhiq presionin për kamatvonesat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje kompanisë DHL në lidhje me vonesën e pagesës për shërbimin postar të ofruar gjatë votimit të diasporës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj.
Në përgjigjen e saj, KQZ thekson se detyrimi për pagesë lind vetëm pasi të verifikohet kryerja e shërbimit sipas objektit të kontratës.
Vetëm dorëzimi i faturave në sistem nuk e detyron automatikisht institucionin që të bëjë pagesën apo të paguajë kamatvonesat, deklaron KQZ.
“Kjo është praktikë standarde kontraktuale dhe ligjore,” thekson KQZ, duke shtuar se shërbimi i marrë përsipër nga DHL duhet të provohet se është kryer në sasi, cilësi dhe kohë. Pranimi i kryerjes nga KQZ detyron institucionin që të paguajë për shërbimin e marrë.
KQZ rikujton se është e angazhuar për përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj DHL në bazë të Kontratës nr. 1358/20 prot., datë 04.04.2025, për shërbimin postar për votuesit nga jashtë vendit.
“Për të vijuar me këtë proces, DHL është udhëzuar që:
Të revokojë kërkesën për kamatvonesat;
Të autorizojë një përfaqësues për të koordinuar me KQZ hartimin e dokumentit (procesverbalit) për pranimin e shërbimit;
Të ridërgojë faturat sipas shteteve”, thuhet në përgjigjen e KQZ.
KQZ thekson se përmbushja e këtyre kërkesave do të mundësojë pagesën e menjëhershme të detyrimeve ndaj DHL.
Institucioni vlerëson gjithashtu se votimi për herë të parë i votuesve nga jashtë, në këto zgjedhje, u realizua me sukses, pavarësisht sfidave të kohës dhe faktorëve të tjerë objektivë dhe subjektivë, dhe e falënderon DHL për angazhimin e saj si partner kontraktual në këtë proces.
KOHA JONË SONDAZH

