KQZ jep alarmin: Procesi zgjedhor rrezikon të futet në kolaps
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për pengesat, sipas këtij institucioni, që po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, u shpreh se angazhimi si komisioner i KZAZ-ve, KQV-ve apo grupeve të numërimit, nuk e konsideron angazhim për qëllime politike apo elektorale, por sipas KQZ-së, kjo konsideron vetëm si një angazhim administrativ.
“Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat për dhëniet e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje”, tha Hoxha.
Më tej zëdhënësja foli edhe për vonesën e këtyre përgjigjeve apo të mosdhënies së lejeve për të ushtruar funksionin e komisionerit zgjedhor. Kjo situatë për KQZ-së, po pengon administrimin e procesit zgjedhor, pasi komisionerët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor.
“Mosrespektimi i qoftë edhe i një afati ligjor, ndikon negativisht në të gjithë veprimtarinë e administratës zgjedhore në funksion të organizimit dhe të administrimit të zgjedhjeve. Pa komisionerë nuk mund të ketë zgjedhje, ndaj drejtuesit e administratës shtetërore duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të mos bëhen pengesë”, shtoi zëdhënësja.
Deklarata e KQZ
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për pengesat që i po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.
Ashtu si në Kodin Zgjedhor edhe në VKM nr. 473 të datës 1.06.2017, angazhimin si komisionerë të KZAZ-ve, KQV-ve apo GNV-ve, nuk e konsideron angazhim për qëllime politike apo elektorale, por e konsideron vetëm si një angazhim administrativ.
Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat në dhënien e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje.
Vonesa e këtyre përgjigjeve, mos dhënia e lejeve për të ushtruar funksionin e komisionerit zgjedhor po pengon administrimin e procesit zgjedhor, pasi komisionerët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor.
Mosrespektimi i qoftë dhe një afati ligjor, ndikon negativisht në të gjithë veprimtarinë e administratës zgjedhore në funksion të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve.
Pa komisionerë nuk mund të ketë zgjedhje, ndaj drejtuesit e administratës shtetërorë duhet të jenë përgjegjshëm dhe të mos bëhen pengesë.
Nëse kjo situatë problematike e krijuar vetëm për 720 komisionerët e KZAZ-ve, vijon edhe për rreth 37 mijë komisionerët e KQV-ve dhe GNV-ve, procesi zgjedhor rrezikon të futet në kolaps.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të administratës publike, që të reagojnë menjëherë pas këtij apeli të KQZ-së, dhe të mos krijojnë pengesa artificiale të cilat cënojnë procesin zgjedhor.