Kreu i SPAK: Finalizojmë strategjinë kundër krimit të organizuar, objektiv ulja me 70% e çështjeve të prapambetura
Në komisionin për Çështjet Ligjor dhe Administratën Publike, u zhvilluar sot seanca dëgjimore me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2025.
Në fjalën e tij, Braho theksoi se SPAK ka trajtuar rekomandimet e Kuvendit si pjesë të konsolidimit të saj institucional, me fokus forcimin e analizës strategjike, rritjen e cilësisë së hetimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Konkretisht, Braho u ndal tek masat e marra për zbatimin e rekomandimeve kryesore të Kuvendit dhe te hapat që SPAK ka ndërmarrë për secilin prej tyre.
Braho bëri të ditur se SPAK ka ngritur një grup pune dhe një mekanizëm ndërinstitucional për analizën e grupeve të krimit të organizuar, ndërsa me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë po përgatitet Vlerësimi Strategjik i Kërcënimit nga Krimi i Organizuar.
“Ky dokument do të paraqesë karakteristikat kryesore të grupeve kriminale, tregjet ku ato veprojnë, mënyrat e veprimit, shtrirjen territoriale dhe ndërkombëtare. Ai do të analizoj edhe lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Synimi është që ky dokument të bëhet publik brënda këtij viti dhe të shërbejë për herë të parë si një instrument i hapur strategjik për orientimin e politikës penale, analizës institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese”, tha ai.
Sa i përket masave të sigurimit, Braho tha se është ngritur një grup pune për analizimin e praktikës së viteve 2021-2025. Sipas tij, procesi synon të vlerësojë standardin e kërkesave të Prokurorisë së Posaçme dhe mënyrën se si ato janë trajtuar nga gjykatat, me qëllim përmirësimin e praktikës hetimore.
“Qëllimi nuk është vetëm nxjerrja e një statistike, por vlerësimi i standardit të kërkimeve tona, mënyrës se si ato janë vlerësuar nga gjykatat dhe nevojës për përmirësim të mëtejshëm të praktikës”, tha ai.
Në fushën e krimeve zgjedhore, Braho deklaroi se gjatë periudhës 2021-2025, SPAK ka trajtuar mbi 230 materiale dhe ka regjistruar më shumë se 150 procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 materiale dhe janë regjistruar 46 procedime penale.
“Këto të dhëna tregojnë se strategjia dhe task-forca kanë rritur kapacitetin e SPAK-ut për të administruar në kohë indiciet, për të filtruar rastet sipas kompetencës dhe për të orientuar më mirë bashkëpunimin ndërinstitucional”, tha ai.
Në raportimin e tij, Braho njoftoi gjithashtu se institucioni po punon për zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara në hetimet financiare, përfshirë analizën e blockchain dhe gjurmimin e kriptovalutave. Ai theksoi se aktualisht SPAK ka akses në 22 nga 40 databaza shtetërore dhe synon zgjerimin e këtij aksesi.
“Këto fusha të reja nuk janë më thjesht mbështetëse të hetimit penal. Ato janë kthyer në pjesë thelbësore të hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit modern”, tha ai.
Një tjetër prioritet sipas Brahos, mbetet unifikimi i metodologjisë hetimore, përmes standardizimit të procedurave për mbledhjen dhe administrimin e provave, në përputhje me jurisprudencën kombëtare dhe atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Braho bëri me dije se është miratuar edhe Strategjia për Reduktimin e Çështjeve të Mbartura 2025-2027, e cila tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit. Sipas tij, objektivi është ulja me mbi 70% e çështjeve të prapambetura, duke reduktuar në 10% dosjet e regjistruara në vitin 2020 e më herët dhe në 20% ato të vitit 2021.
“Për SPAK-un, ky rezultat nuk përbën vetëm një përmirësim statistikor. Ai tregon se trajtimi i çështjeve të vjetra është kthyer në një proces të monitoruar periodikisht. Qëllimi ynë është që reduktimi i backlog-ut të vijojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar njëkohësisht cilësinë e hetimit, respektimin e të drejtave procedurale dhe përfundimin e çështjeve brenda afateve sa më të arsyeshme”, tha ai.
Në lidhje me Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve, Braho tha se gjatë vitit 2025 vijoi zbatimin dhe konsolidimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, me synim aktivizimin e plotë të moduleve, rritjen e efikasitetit dhe gjenerimin e statistikave në kohë reale.
Sa u përket rritjes së efikasitetit të BKH-së, Braho theksoi se SPAK ndodhet në fazën përgatitore për hapjen e procedurës së rekrutimit të 40 hetuesve të rinj në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), me synim forcimin e kapaciteteve në inteligjencën kriminale, hetimet financiare, kriptovalutat dhe krimin kibernetik.
“Ky riorganizim është i nevojshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku prova digjitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa veprimet klasike procedural”, tha ai.
Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, drejtuesi i SPAK bëri të ditur se gjatë vitit 2025 institucioni ka marrë 95 kërkesa për ndihmë juridike nga 17 shtete dhe ka dërguar 156 kërkesa drejt 31 shteteve. Ndërkohë, numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është rritur nga 26 në 32.
“Këto të dhëna tregojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është më vetëm kanal komunikimi apo shkëmbim formal informacioni, por pjesë e përditshme e hetimit penal, veçanërisht në çështjet ku veprimtaria kriminale, asetet, provat dhe personat e përfshirë shtrihen në disa juridiksione. Për këtë arsye, SPAK do të vijojë të intensifikojë bashkëpunimin me Eurojust, Europol, OLAF, agjencitë e Bashkimit Evropian, partnerët strategjikë dhe autoritetet homologe, me qëllim rritjen e shpejtësisë, cilësisë dhe efektivitetit të hetimeve me dimension ndërkombëtar”, tha Braho.
Sipas tij, rekomandimet e Kuvendit kanë shërbyer si një pikë e rëndësishme orientimi për punën e SPAK-ut gjatë vitit raportues.
Ai nënvizoi se rekomandimet janë përkthyer në ndryshime konkrete të mënyrës së punës së përditshme.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

