Kriminelët me brekë të plazheve tona
Nga Ardit Rada
Vrasja e dy turistëve çekë në Shqipëri ishte jo vetëm një lajm i pazakontë e tronditës, por tejet dëmtues për imazhin e vendit. Fatmirësisht autori u gjet në kohë dhe shoqëria u distancua në mënyrë të mençur, por milionat e hedhura për promocion nga qeveritë ndër vite nuk do të kthehen mbrapsht në fitime pasi gjithësesi për këdo të huaj që kërkon në Google me fjalët kyçe “tourists in Albania” do t’u dalë lajmi i kobshëm i Reuters për Anën dhe Mikaelin, vdekje për të cilat ndjesë paçim ne.
Kjo ishte sa për të thënë se fajin e shlyem me botën, ndërsa sot turizmi i Shqipërisë po grinë edhe të vetët. Në rrjetin më popullor ku politikanët kanë zaptuar hapësirat më të mëdha, prej disa ditësh qarkullojnë një mori faturash, kryesisht nga jugu i vendit. Ose më saktë, nga zonat më të lakmuara si Uji i Ftohtë, Dhërmiu dhe Ksamili. Janë fatura që ta zënë bukën në grykë dhe sado të rëndë ta kesh xhepin, e ndjen se dikush jo vetëm po ta ngul thellë thikën, por edhe po ta rrotullon.
Një mëngjes 30 mijë lekë, një drekë për dy persona 100 mijë lekë dhe 4 mijë lekë një birrë me gotë qesharake plastike, janë tre imazhet e para të copave të letrave që kamarierët me brekë plazhi në ato që shqiptarët i quajnë ‘beach bar’, t’i përplasin në tavolinë apo t’i rrasin në dorë dhe bëjnë tutje pa thënë gjysmë fjale sikur u ke zënë derën. Akoma edhe më tutje bën vaki të jetë pronari i restorantit, edhe ai me brekë e që shijon rërën që ia merr badihava qeverisë me pesë lekë qiraja dhe në rastin më të mirë na e jep neve 10 mijë lekë dy metra katrorë hije.
Të isha i vetëm në këto që them, do të paguaja qimet e kokës e nuk do t'jua bëja publik faktin sesi ma futën e s’ua nxorra, por fatmirësisht i kanë publikuar të tjerë njerëz. Pak ditë më parë një kolegu ynë gazetar kërkonte bankomat në Llogora dhe u zhgënjye kur nuk gjeti, por për karta e salltanete është matanë kufirit. Tek ne i duan pará të thata. Ato që i marrim me fije, duan të na i zhvasin me tufa.
E megjithatë copat e letrës, që nuk janë as kuponë tatimorë, fotografohen nga viktimat e radhës e bredhin fejsbuqeve. Komentohen e mallkohen, ndërsa të gjithë ngrejmë pyetjet: A kontrollohen këto biznese? Nëse po, si? Nëse jo, pse?
Shqipëria nuk ka 12 muaj behar. Një muaj të këtij sezoni na e morën fushata e zgjedhjet. Dy të tjerë që na mbetën për vete, mesa duket do rrjepim njëri-tjetrin.
javanews.al