Krishtlindja dhe korrupsioni nuk mund të shkojnë bashkë!
Nga Gjergj Meta/
Një nga figurat më emblematike të përgatitjes për Krishtlindje, në liturgjinë e krishterë katolike, është Gjon Pagëzuesi. Një njeri të cilit i ikin kryet vetëm për një arësye, sepse tha të vërtetën (Mk 6,14-29). Raporti me të vërtetën, e këtë nuk duhet të lodhemi kurrë t’ia përsërisim vetvetes, kushtëzon thellësisht cilësinë e jetës tonë e sidomos kur kjo e vërtetë jo vetëm kërkon të thuhet apo të mbrohet, por kur ajo kërkon të jetohet. Në këtë të dielë III të kohës së ardhjes, ndërsa horizonti i Krishtlindjes afrohet gjithnjë e më shumë, Gjon Pagëzuesi dhe leximet në përgjithësi na ftojnë të ulemi me këmbë për tokë.
Së pari dalin në pah notat e gëzimit të një ngjarje që po afrohet (Sof 3,14). Zoti është afër (Fil 4,5) e ky është shkaku i gëzimit, haresë e galdimit të njeriut. Vetëdija e një Zoti të afërt është një siguri që jep gëzim edhe atëherë kur erërat fryjnë kundër e duket sikur e shkundin barkën e jetës tonë. Shën Pali është i mbërthyer në zinxhirë kur i fton Filipianët të gëzojnë në Zotin. Kjo sepse gëzimi nuk është një gjëndje e jashtme, por diçka që buron nga brenda njeriut dhe është dhuratë nga lart. Në këtë Vit të Mëshirës Ungjilli i Lukës na tregon për gëzimin që Zoti provon kur një mëkatar kthehet (Lk 15). Ka një gëzim të njeriut për çlirmin nga e keqja, por ka edhe një gëzim të Zotit (Sof 3,17-18). Kjo e djelë është më e afërta me Krishtlindjen e kështu notat e gëzimit shtohen në pritje të saj. Vepra e Zotit, hyrja e tij në histori është shkaku i gëzimit tonë.
Kjo ardhje e Zotit ka nevojë për një përgjigje. Të djelën e kaluar Gjon Pagëzuesi na ftonte për “t’i përgatitur udhën Zotit” (Lk 3,4). Ungjilli i kësaj të diele na jep përgjigjen se çfarë do të thotë të përgatisësh udhën e Zotit. Turmave që e pyesin se çfarë duhet të bëjnë Gjoni u përgjigjet: “Kush ka dy palë petka le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu” (Lk 3,11). Solidariteti është një bashkëndarje e jo dhënie e një teprice:të ndash ushqimin me atë që nuk ka e kjo jo vetëm për Krishtlindje. Solidariteti me ata që kanë nevojë është përgatitja më e mirë për Krishtlindje.
Po ashtu te Gjoni shkojnë edhe dy kategori njerëzish të tjerë:tagrambledhësit dhe ushtarët (mëkatarët publikë). Gjoni nuk iu kërkon as më shumë e as më pak se sa të jenë korrektë me detyrën e tyre. Të parët ishin tagrambledhësit të cilëve u kërkon të mos korruptohen: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar” (Lk 4,13). Ndërsa ushtarëve u thotë: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jinni të kënaqur me rrogën tuaj” (Lk 4,14). Asgjë më shumë e asgjë më pak se sa detyra. Në fakt besimi në Zotin nuk ndryshon gjëndjen time të jashtme, por ndryshon për nga brenda jetën time dhe si pasojë ndryshon nga përjashtë. Në konkretësinë e jetës zbatohet Fjala e Hyjit, në historinë e çdo dite.Solidariteti dhe drejtësia sociale nuk janë gjëra që i takojnë vetëm një rendi politik apo ekonomik, por janë kërkesa të vetë rendit hyjnor. Kjo do të thotë të përgatisësh Krishtlindje.
Mendoj shpesh se si për Krishtlindje ka shumë pushtetarë, politikanë e njerëz publikë në përgjithësi, të akuzuar e të përfolur për korruposion dhe krime që shkojnë e u bëjnë urimet krerëve të krishterë duke harruar qëKrishtlindja dhe korrupsioni nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Buzëqeshjet në media, shtrëngimet e duarve, ndërsa je i zhytur në padrejtësi, nuk shkojnë me një klimë Krishtlindje. Në veçanti të krishterët që kanë role publike, por që e dinë se kanë dyert të zhytura në krim ekonomik apo çfarëdo krimi, u kërkohet patjetër të hyjnë në logjikën më të thellë të Krishtlindjes duke kërkuar rrugën se si Krishtlindja të ndryshojë jetën e tyre. Ndryshe ne nuk jemi gjëkundi. Kjo na kërkohet të gjithëve. Është e vetmja rrugë që çon drejt gëzimit të vërtetë, gëzimit të zemrës.