Krishtlindja e pleqve të Lulishtes 1 Maji
-Albanian Stories
Nga Rudina Xhunga/
Një gur dominoje godet tavolinën. Një dorë e vogël dhe e imët i kthen gurët me një shpejtësi marramendëse. Një zë i acaruar bërtet: Luaje mo burrë, se na çmende. Një tjetër ia pret: Do të dalësh? Bjeri dyshit, ore.
Në një letër të verdhë shënojnë pikët me laps. Një gotë rakie rri fshehur. Ashtu, të grumbulluar në stolat e parkut, me nga një copë karton nën vete dhe gazeta të vjetra mbi tavolina, ata mblidhen çdo ditë, gjithë ditën, në grupe 7, 8 vetë. Janë pleqtë e “Lulishtes 1 Maji”. Beteja e jetës së tyre, është ajo lojë me domino.
Edhe kur të flasin, nuk e shkëpusin vëmendjen nga loja. Aty të gjithë e njohin njëri-tjetrin, ia dinë sëmundjet, profesionin, pensionin. Kanë qenë gjeneralë, shoferë, veterinerë, mësues, punëtorë. Ka mes tyre, të sëmurë, të vuajtur, të heshtur, të ditur, me humor, me fëmijët larg, pa gruan. “Kjo është më e keqja, – të thonë. – Mos të lëntë Zoti, pa gruan në pleqëri”.
Me Zotin, nuk i kanë mirë punët. E kujtojnë vetëm kur në park është një shok më pak. Kur ikin, për të mos u kthyer, shokët e dominosë. Vetëm atëherë, thonë, o Zot. Pjesën tjetër të kohës, janë ateistë. Dhe mjekë të vetes. Ismaili, është me diabet. I është fiksuar që mjeku i ka thënë të pijë raki, se i bën mirë për sëmundjen. Gjenerali i thotë mos: “Është si serumi që futet në gjak. Do mbetesh në vend, ndonjë ditë”. Për të vdekur, kam, – ia kthen Ismaili.
Abdullahu do të dijë më shumë për ligjin për pensionet. Mua nuk më zë rritja, – thotë. Po cave këtu do iu rritet. Mirë ne, po këta që vijnë vërdallë, me makina e drogë, ku do marrin pension kur të bëhen sa ne? Se e dinë kollaj, e dinë rini, gjithë jetën. Të vijnë një ditë këtu, te lulishtja jonë. Kjo është jeta. Vjen e të kërkon llogari, një ditë, si e ke shpenzuar…
Një grua bionde ka një kafe aty afër. E pyes, a vijnë pleqtë aty; – Ku kanë lekë ata, thotë. Kur e pyes, a iu çon ndonjëherë kafe falas, ma kthen; Janë të gjithë spiunë, atë punë kanë bërë. Nuk ke për çfarë t’i duash. Hanë pensionin tonë. Se me radhë është kjo punë.
Abdullahu nuk është prej tyre, më thotë duke qeshur, kur e sheh që shkoj prapë te tavolina e tij. Është burrë i mirë.
Abdullahu ka qenë oficer. I kanë rënë flokët nga kapelja. “Më hoqën nga puna kur erdhi Demokratikja, se nuk isha nga veriu, – thotë. Kush ishte nga veriu nuk paguante drita, ujë. Po ky që ka ardhur, ua ka mbledhur. Naaa,. S’ka më tani.
Abdullahu jeton me gruan dhe djalin e madh, që prej tetë vjetësh pret të bashkohet me fëmijët dhe nusen në Angli. Nuk e lejojnë. I thamë, mos hajde, po kishte merak për ne dhe mbeti. Tani plaka kujdeset për të gjithë. Kemi pensionin tim. Marr 280 mijë lekë të vjetra. Për Krishtlindje do marrim dhe shpërblim. I vogël, po bën punë.
Epo nuk jemi të gjithë të pasur si Xhemali, të thonë, duke qeshur, duke treguar me gisht pezakun e tavolinës përballë.
Xhemali i ka sytë bojëqielli, është 85 vjeç. Ka vënë një shall të zi dhe të tregon një histori gjithë ngjyra, nga ato që e ke të pamundur ta besosh dhe, kur ngre sytë nga burrat e tjerë, për konfirmim, ata qeshin dhe të thonë: “Nuk shton, jo. Ka qenë partizan i ’42-it. Ka larë opingat e Myslym Pezës”.
Ishte 12 vjeç kur e kapën gjermanët, me 45 partizanë të tjerë, në Polis të Elbasanit.
“Në fillim na çuan në Kosovë, pastaj në Zemun të Jugosllavisë dhe në fund, në Mat’hauzen. Më liruan në tetor të ’44-ës.
Atëherë Xhafer Deva, ministri i kohës, komunikoi me kampin dhe çoi një letër me emrat e shqiptarëve që duheshin liruar. Të gjithë ata qenë nga Vlora. Unë isha nga Peza, po më shpëtoi një kolonel gjerman. Ma lexoi emrin, edhe pse nuk isha në atë listë. Ai më thërriste Sava. Unë e kam Xhemal, po atij kështu ia quanin djalin që kishte tre vjet pa e parë. Dashuria më shpëtoi, dashuria e tij për të birin”.
Sava, trego si të rrihnin atje, e shtyjnë pleqtë e tjerë dhe kur Xhemali nuk flet, vazhdojnë vetë: I lidhnin mbi tavolina, të zhveshur dhe i rrihnin derisa humbisnin ndjenjat. Pastaj i fusnin në sapun…
Kur Xhemali u kthye nga kampi, Tirana ishte tjetër. Afër xhamisë, në qendër i dhanë një tas ushqim. Iu desh kohë të kthehej në shtëpi. Në Pezë e dinin të vdekur. Kishin bërë një djalë tjetër dhe i kishin vënë emrin Xhemal.
Pastaj, bëri shkollën e mesme. Punoi në shtypshkronjë për një kohë të gjatë. U bë Sekretar Partie.
Tani që iku Partia, e paguan Gjermania, thonë miqtë e tij. Merr 2000 euro në muaj.
Xhemali i kundërshton: “Po, jo more, se 600 mijë marr. Kam marrë edhe dy këste, më të mëdha, po kaq. Gjermania është mbushur me refugjatë, nuk ka më lekë për ne të kampeve”, – thotë duke ikur. E presin nusja dhe djali.
Të tjerët që nuk i pret njeri, vazhdojnë bisedën deri vonë. Flasin për Gjermaninë, Merkelin, për çudinë me të djathtën në Francë, për kohët e reja që kanë ardhur dhe kanë shkelur çdo gjë të vjetër e të vërtetë.
“Nuk ka më punë me dinjitet, – të qahen. Nuk ka as punë, as dinjitet. Lekë s’kemi pasur kurrë, po ishim të ndershëm. Ç’u bë kështu?”
Flasin e flasin, për veten, për botën, për të shkuarën, për të gjitha. Në atë copë park, pas bustit të Çajupit, ku çdo gjë ngjan më e vjetër sesa mosha e tyre. Tavolina të prishura, kasolle të kalbura, stola të ftohtë. Plepa me degë të prera, bari i shkelur që nuk rritet, një copë lulishte gri.
Kalova prapë sot dhe i pashë. Ishin të gjithë aty. Më erdhi të shkoj një natë, para Krishtlindjeve, dhe ta zbukuroj atë park, ta mbush me drita dhe pemë feste; poshtë pemëve të vë panetonë, cigare, çokollata, raki, verë të ngrohtë, dhuratë nga dyqanet përballë. Pastaj, kur të kenë ndarë dhuratat, si fëmijët në mëngjesin e festës dhe të ulen, biondja që i di për spiunë, t’iu çojë kafenë falas, ndërsa byrektorja përballë t’u dhurojë byrekë, të gjithëve. Kaq duan ata. Në muzg të një jete madhështore. Pak vëmendje.
Është një ëndërr e vogël feste. Në mos unë, një njeri që më lexon, mund ta bëjë realitet. Ku i dihet. Po vijnë Krishtlindjet!
Më shkruaj në: dritarerudina@gmail.com
MAPO