Krishtlindja si shkencë: Neurobiologjia e gëzimit
Atmosfera e krishtlindjeve pushton metropolet europiane për javë të tëra. Pse aroma e biskotave, verës së nxehtë, "Last Christmas" në radio sjell buzëqeshje feste çdo vit? Fenomeni krishtlindje në fokusin e neurologjisë.
Para krishtlindjeve rritet doza e gëzimit dhe e haresë për festën: Shumë vizitorë qëndrojnë në tregjet e krishtlindjeve, ngrohin duart me verën e nxehtë, nga të gjitha anët vërshojnë tingujt e këngëve karakteristike. Të gjitha këto mjaftojnë për të ndezur në tru që më parë një gjendje hareje para festës. Krishtlindjet kujtohen si diçka e bukur që nga fëmijëria. Për studiuesin e neurologjisë, Manfred Spitzer "krishtlindjet ndodhin në trurin tonë."
Neurobiologjia e para-festës
Ka shumë gjëra që shkaktojnë tek njerëzit gëzimin para krishtlindjeve. Mund të thuhet se "ne festojmë më 24 festën e dashurisë, duke kënduar, duke ngrënë ëmbëlsirat karakteristike, duke shkëmbyer dhurata dhe mendojmë njëkohësisht vërtet për gjërat që na lidhin dhe solidaritetin", thotë studiuesi. Thjesht data 24 është një arsye që sjell ndjenja pozitive. Data 24 dhjetor në histori ka qenë një data e ekuinoksit dimëror. Për njerëzit kjo datë do të thotë fund i ditëve të zymta të dimrit dhe rikthimin e dritës. Një arsye për të festuar kjo. Por edhe muzika luan rol në krishtlindje: Ajo çaktivizon ato areale në tru që janë përgjegjëse për ndjenjën e frikës. Në të njëjtën kohë ajo ndez ndjenjën e gëzimit. Sipas studiuesve kur dëgjojmë këngën tradicionale të krishtlindjeve "O Natë e qetë, o natë e shenjtë" kjo na i sjell në mënyrë të dyfishtë ndjenja pozitive në tru: Muzika në vetvete dhe me këtë edhe ndjenja e gëzimit para festës.
Shkenca e neurobiologjisë nuk sqaron vetëm lidhjen tonë emocionale me krishtlindjet, ajo na ndihmon të kuptojmë se si të bëjmë dhuratat e duhura, thotë Manfred Spitzer: "Kush merr një dhuratë të papritur, gëzohet edhe më shumë." Është efekti i surprizës ai që bën të bashkëveprojnë neurotransmentuesit dhe hormonet që janë përgjegjëse për zgjimin e ndjenjës së lumturisë. Pra festa e përbashkët, pjekja e biskotave me familjen, këngët e krishtlindjeve, bërja e dhuratave – të gjitha këto ndezin ndjenjën e gëzimit që më paeë dhe çojnë në një rezultat: Sistemi i shpërblimit në tru aktivizohet.
Dhuratë në mendje
Truri është organi më i rëndësishëm i njeriut. Shkenca e neurologjisë nuk përpiqet të kuptojë vetëm funksionimin e tij, por edhe lidhjen mes aktivitetit të trurit dhe botës së ndjenjave. Gati 100 milione neurone komunikojnë përmes 100 bilionë sinapsesh. 300 impulse dërgohen në një sekondë. Receptorët stimulues shpërbyles në tru reagojnë ndaj ngacmimeve të jashtme – si gëzimi për konsumimin e një çokollate ashtu edhe ndaj sinjaleve që paralajmërojnë gëzimin e mëvonshëm, si për shembull gëzimi para festës: Neurologu Gerhard Roth e shpjegon këtë procedim: "Hipotalami prodhon neurotransmentuesin dopamin. Ky ndikon në pjesën frontale të trurit, aty ku dopamina shndërrohet në një opium të posaçëm të trurit. Ky shndërrim shkakton ndjenjën e gëzimit tek ne." Kështu ndjenja e gëzimit para krishtlindjeve është shumë më e fortë se vetë ardhja e evenimentit.
Tregu u krishtlindjeve, Potsdam
Gëzimi përpara është gëzimi më i bukur
Hareja e gëzimit para festës mban të gjallë ndjesinë se gjërat mund të bëhen edhe më të bukura, se sa mendojmë ne. Prandaj ky gëzim përpara është gjëja më e bukur. "Ka qeliza në tru, të cilat kodojnë ndjenjën e gëzimit, dhe qeliza të tjera që kodojnë ndenjën e paragëzimit". Thënë ndryshe: Kur shikon gjëra, të cilat premtojnë një shpërblim, atëherë gëzimi është edhe më i madh.
Sepse sipas shkencës, gëzimi përpara evenimentit është një forcë mjaft motivuese. Disa madje kanë një ndjesi aq të fortë sa u dridhen duart kur marrin dhuratën. "Dridhja e gishtave është në të vërtetë reagimi i trupit i një ndjenjës së gëzimit, se çfarë na pret pas hapjes së dhuratës. Prandaj hapja e dhuratës është një përjetim ekstra", thotë studiuesi Manfred Spitzer.
Por jo për të gjithë krishtlindjet janë festa e gëzimit. Psikiatri Thomas Schläpfer nga Universiteti i Bonn-it, thotë se në kohën e krishtlindjeve psikologët kanë shumë punë. "Krishtlindjet për shumë vetë nënkuptojnë stres, ditë të zymta, dhe kjo është edhe një kohë kur shtohen depresionet."/DW/