Krishtlindje pa emër
Nga Novi Rosaj/
Thuajse të gjithë politikanët shqiptarë, mediet tradicionale dhe portalet shqip dhe faqet e zgjeruara, me shumë a më pak fansa në Facebook dhe Tvvitter po shkruajnë me dhjetëra herë të njëjtin emërtim: "Atmosfera e Festave" ose "Atmosfera e Festave të fundvitit". Madje, duke ilustruar këto edhe me foton e pemës kristiane, që çuditërisht nuk ja cilësojnë emrin e vërtetë. Kaq e përgjithësuar në gjithë kombin është kjo, a thua se në gjuhën shqipe nuk ka një emërtim për këtë! I njëjti keqpërdorim i emërtimit vihet re si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, si në Durrës, po ashtu në Korçë e Prizren e qytetet e tjera a thua e kemi bërë të gjithë “me fjalë” këtë mosmirënjohje vëllazërore. Çdo festë ka një emër, pikërisht sepse ka një domethënie dhe festimi është shenjë mirënjohjeje për vlerat që ajo mbart. Festimi në trojet shqiptare më të drejtë po simbolizohet fillimisht me Pemën e lartë të Krishterë të zbukuruar me qirinj e drita të ndryshme, por duke e keq quajtur “Atmosferë Festash”. Sipas meje, kjo bëhet qëllimshëm dhe se shumica e shqiptarëve gabojnë “me pahir”. Në mbarë botën, prej dhe nga prejardhjen, këtë festë e quajnë Krishtlindje. Kurse ne shqiptarët ja "riparojmë" emrin në "Atmosfera e festave të fundvitit". Atëherë lind pyetja, për cilën festë e keni fjalën o ju festar? Duke ju kërkuar ndjesë, shpreh keqardhjen bashkëkombësve të mijë, sipas mendimit tim, ata që ja fshehin emrin dhe meritat kësaj feste duken primitivë. Sigurisht, po njëlloj duken edhe ata që e përgjithësojnë në shumës duke mos shqiptuar as “Krishtlindje”, por si "në për dhëmbë", "atmosferë festash" sepse me sa duket “mishi ju pëlqeka, por pa kocka”.
Për pjesën dërrmuese të shqiptarëve është e qartë se kjo është pema e krishterë. Për ata që nuk e dinë, kjo pemë është përzgjedhur zyrtarisht që në vitin 1419 (ndoshta edhe më parë, por nuk janë gjetur dëshmi për këtë) nga një shoqëri furrxhinjsh në Fraiburg të Gjermanisë. Pema e Krishterë u desh të priste deri në 1730 që të pasurohej me qirinj të ndezur.
Në Vatikan Pema e Krishterë u vendos për herë të parë në vitin 1982 në sheshin e Shën Pjetrit. Por që nga viti 1996 pema më më e lartë në botë gjendet në Dortmund dhe i kalon 45 m. Disa të dhëna interesante për këtë "Pemë" janë se ajo ka një bazament prej 120.000 kg dhe pesha e "Pemës" me gjithë skeletin shkon në 40.000 kg. E përbërë nga 1700 pisha të vogla dhe e ndriçuar nga 48000 llamba të vogla si dhe zbukurime të ndryshme. Në këtë vend, pra në Gjermani janë përdorur për Krishtlindje të 2013-ës rreth 30 milionë pemë, ku janë shpenzuar mbi 616 milionë € vetëm për pemët e krishtera.
Por edhe në trojet shqiptare më shumë shpenzime për mendimin tim janë të nevojshme dhe me të drejtë. Fakt është se, kështu zbukurimesh shteti ynë nuk bën shpesh edhe pse vetë qytetaret janë ata që e paguajnë faturën e dhuratës. Shumë njerëz pohojnë se: "Nuk kemi bukë për të ngrënë e këtu harxhohen lekët e taksapaguesve për shpenzime të pa nevojshme". Por nuk janë të gjithë njëlloj. Jetojmë në kapitalizëm e për fat të mirë larg asaj që për vite na u imponua të jetuarit "një për të gjithë e gjithë për një".
Kështu që, për ata që e kanë mundësinë është një gjë e mirë që atmosfera e festimit shtohet duke u mbështetur edhe nga organizimi shtetëror. Por të shkretën pse nuk e çojmë deri në fund këtë veprim të mirë pa e gjymtuar? Pse të mos i themi emrin Festës së Krishterë e madje, edhe me shkronja të mëdha për të respektuar qytetarinë tonë europiane të krishterë? Sipas meje, zbukurimet bëhen pikërisht për t’i treguar perëndimit se, “ne jemi si ju, pra edhe ne kemi kështu”…
Ashtu siç dëshirojnë myslimanët të urohen për Bajram edhe të krishterët me shumë dëshirë presin urimet për Krishtlindje. Ashtu siç shkruhet në trojet shqiptare nëpër rrugë dhe tabela “Ramazan” për muajin e Ramazanit e madje, bllokohet trafiku ndërsa falen në rrugë, do të ishte jo përçarëse, por shumë vëllazërore po të shkruhej gjatë Dhjetorit Krishtlindje në vend të “Atmosferë festash”. Në fund duke ju uruar të gjithë të krishterëve të kalojnë bukur Krishtlindjen, po ashtu urimi shkon për të gjithë myslimanët shqiptarë të festojnë të gëzuar sepse rrënjët dhe gjakun shqiptarët i kanë të njëjta.