Kriza dëmton ekonominë. Parashikimi: Mund të zerojë rritjen ekonomike In
Shqetësimit publik mbi pasojat që kriza politike mund të ketë për ekonominë, kryeministri Edi Rama i dha këtë përgjigje.
“Nuk kemi akoma shenja shqetësuese, por brenda parashikimeve tona, nëse PD nuk hyn në zgjedhje mund të kemi një fazë tremujore lëkundjeje, pastaj gjithçka do të jetë në normalitet. Mbajeni mend këtë dhe regjistrojeni. Në tetor mund ta përdorni prapë nëse s’do jetë kështu”, deklaroi Rama.
Por optimizmi i kryeministrit përplaset me përvojën botërore. Në vitin 2011 Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një nga studimet më të plota mbi pasojat që krizat politike kanë në ecurinë e ekonomisë.
Ekspertët e FMN analizuan të dhënat e 169 vendeve të botës për një periudhë 44-vjeçare, nga viti 1960 deri në 2004-ën. Ajo që gjetën ishte se destabiliteti politik ul në mënyrë drastike rritjen e ekonomisë, duke dekurajuar aktivitetet prodhuese dhe investimet.
Sipas FMN-së, çdo ndryshim qeverie, i materializuar në zëvendësimin e kryeministrit ose të 50 për qind të ministrave ul mesatarisht rritjen ekonomike vjetore të një vendi me 2.39 pikë përqindje.
Goditja transmetohet nga tre kanale, ulja e produktivitetit në ekonomi, rënia e investimeve dhe shkurajimi i kapitalit njerëzor, tre faktorë përcaktues për zhvillimin ekonomik të një vendi.