Kriza shpirtërore, që meriton më shumë vëmendje prej nesh

Nga Ndriçim Kulla  

Personalisht mendoj se ka ardhur koha që projekteve tona për të përcaktuar të ardhmen t’u mëshohet edhe njëherë me force ideja se “kultura është qendra e botës që na intereson të ndërtojmë” dhe se, edhe për të bërë politikë, njeriu nuk ka asnjë mjet tjetër përveç kulturës, përreth së cilës kjo botë lipset të sillet, të artikulohet e të organizohet. Në këtë sens, kultura shfaqet si evoluimi dhe formimi i shpirtit të humanitetit të njeriut. Prej personit(njeriut) lindën shkenca dhe filozofia moderne, prej tij nisi edhe  “epoka e madhe e të drejtave të njeriut”.

Kultura, programet partiake apo projektet e shoqërisë civile, lipset detyrimisht të qendërzohen te njeriu, te “përkujdesja” ndaj individit, duke pasur parasysh të gjitha cilësitë dhe veçoritë e tij karakteristike.  

Në bazë të mësimeve që na japin dijet filozofiko-sociologjike, ky njeri mund të ndahet në këto tipe kryesore: njerëz të prirur parësisht ndaj materializmit dhe grumbullimit makut të parasë me çdo mjet, njerëz me prioritet kryesor shprishjen e shfrenuar e shpesh të padobishme të parasë për gjëra kryesisht sipërfaqësore, e bashkë me të edhe të kohës aq shumë të nevojshme për mijëra aktivitete të tjera  dhe, tipi më i ri i populluar kryesisht nga të rinjtë dhe të apasionuarit e lojërave në kompjuter, videove, filmave dhe aktiviteteve të pafundme sportive dhe zbavitëse në tv. Në shikim të parë, mund të thuhet se kjo do të qe anatomia e shumë shoqërive edhe më të evoluara se jona. Mirëpo ajo që godet e thërrmon arsyen është ndarja dhe përqindja dërmuese që këta tipa zënë në shoqërinë shqiptare, në kurriz të njerëzve inteligjentë dhe me kulturë që duhet të mbizotërojnë.

A nuk shihet kudo sot tek ne në Shqipëri me të vërtetë një makutëri e pazakontë për modelet më të fundit të makinave prej qindra mijëra dollarë? A mund të perceptohet normalitet kur një turmë e tërë njerëzish flasin e diskutojnë vetëm sesi e si të armatosen me modelet më të fundit të celularëve apo me modelet më të fundit të markave më të shtrenjta të rrobave? A nuk harxhohen lumenj të tërë pijesh e parash nëpër lokalet e Tiranës (madje jo vetëm për fundjavë, por ditë për ditë), ashtu si në të gjitha qytetet tona më të mëdha? Madje ka një klasë njerëzish, që nuk e quan jetë të mosbërit e dy-tri pushimeve luksoze në vit, në vendet më të shtrenjta të turizmit botëror. Dhe harrohet fare se nga vijmë. Kur për çdo njeri, edhe për një komb, është thelbësore të kthehet e të shohë se nga ka ardhur, është vitale t’i dijë e t’i njohë rrënjët, problemet e mëdha dhe të mprehta që ka vetë përpara kësaj panorame. A s’është e gjitha kjo një shenjë e thekshme e aventurizmit tonë proverbial? A s’është e gjitha kjo simptomë e rënduar e krizës sonë shpirtërore, që na shpie në tejkalimin e palogjiktë të caqeve dhe mundësive tona të deritanishme. A s’është e gjitha kjo një verbëri jo vetëm intelektuale, por edhe sociale, me pasoja të drejtpërdrejta në ndërgjegjen kombëtare? A s’është ky luks e qejf i pafre, një kalërim i pakontrolluar i vetëvlerësimit aspak objektiv të vetvetes dhe sqimës së gabuar për një të ardhme të lumtur? E tekefundit, s’është e gjitha kjo një mosrespektim i pathemeltë i vetë identitetit të çdo individi?

Shfaqjet e hareshme plot “jazz” e kërcime, “soire” e kremtime “shoqërish të larta”, fushqeta, zhurmë e potere, tym e zbrazëtim shpirtëror….Ky është  qytetërimi   ynë i mrekullueshëm! Ky është përparimi ynë i hatashëm!

Të duket sikur jeta thotë: Rroni e bëni qejf, argëtohuni sa më fort që të mundeni! E      veshja modeste fillon të njihet si turp, artikujt apo emisionet edukuese të përbuzen, librat që s’janë me dashuri jo më të lexohen, por as të shihen…duke shpënë gjithçka në shërbim të kultit të mishit dhe qejfeve. Ky kult lyp medoemos pranë vetes një kult tjetër, atë të parasë. Qejfet kushtojnë e kushtojnë shtrenjtë. Lypen të holla, shumë të holla për t’u argëtuar sa më shumë. Prej këtej nisin varg ngatërresat, hajnitë, marrëveshjet e fshehta, rrenat, mashtrimet. E për t’i mbuluar të gjitha këto, lypen prapë të tjera të holla; të holla për të mbyllur gojët…e për t’u dhënë bakshishe “ndihmësve” që të lihen në mes hetimet e për t’i “thyer” gjykatësit me lloj-lloj mbrapshtish. E pasojë e këtyre dy kulteve është edhe një i tretë: kulti i vetvetes. Qejfet dhe paratë s’janë për asgjë tjetër, por vetëm për të mikluar dashurinë ndaj vetvetes. Nuk shikohet e nuk çmohet asgjë pos vetvetes, madje gjithë të tjerët duken si shkallë për të lartuar veten. Kësisoj, njeriu zhytet i tëri në kreni e egoizëm.

Të gjitha këto copëza përshkrimesh, që mund të formojnë fare mirë mozaikun e shoqërisë së sotme shqiptare, japin të kuptojnë me qartësi se qytetërimin shqiptarët në njëfarë mënyre po e kuptojnë mbrapsht. E kjo për faktin thelbësor se njeriu para së gjithash ka një shpirt, i cili ka nevojë dhe lakmi të ushtrohet dhe kultivohet, gjë të cilën s’mund t’ia sjellin muzika a disqet e saj më të reja, filmat apo makinat me sa më shumë cilindra, e as çdolloj dëfrimi tjetër, edhe gratis qoftë. Aq më keq që e gjitha kjo ushqen drejtpërdrejt një krizë të thellë shpirtërore, krizë kjo shumë më e rrezikshme se të gjitha të tjerat, pikërisht pse arrin të brejë a të thërrmojë themelet e çdo organizimi shoqëror e deri te themelet e një qytetërimi të tërë. Historia, mësuesja e jetës, na dëfton se skepticizmi dhe materializmi janë mikrobet më rrënimqarë të të gjitha shfaqjeve të qytetërimeve. Krizat politike, financiare apo shoqërore kapërcehen, por kriza shpirtërore, duke qenë një e zezë që terratis mendjen e s’të lejon të shohësh rrezikun që të kanoset, që e “egërson” njeriun dhe e bën bishë të etur veç për qejf e para, është tepër e vështirë që të kapërcehet. Ajo është krizë mbi krizë, ndaj meriton kujdesin më të madh nga ana e secilit prej nesh. Madje kjo është çështja më e rëndësishme që duhet të shtrohet për zgjidhje më shpejt se çdo çështje tjetër.

Vërtet njeriu i këtij brezi, natyrshëm duket më i mençur dhe kuptohet se ka më shumë kapacitet kuptues sesa i brezave të mëparshëm. Mirëpo, ky kapacitet tek ai s’arrin të vihet fare në përdorim. Dhe kjo jo se vulgari e beson veten super të shkëlqyer dhe jovulgar,  dhe se ai e shpall dhe e dikton kudo të drejtën e vulgaritetit ose e kthen vulgaritetin në një të drejtë. Komanda mbi jetën publike e ushtruar sot prej vulgarit, nga pikëpamja intelektuale është ndoshta cilësori më i rëndë i krizës së sotme. E kjo sepse idetë e njeriut të turmës nuk janë ide të vërteta e as zotërimi i tyre nuk është kulturë. Një ide është një zënie shah-mat e së vërtetës. Kështu që kushdo që dëshiron të ketë ide, duhet ta përgatisë më parë veten për rrokjen e saj apo për të pranuar rregullat e lojës së diktuara prej saj. Ndaj, nuk mund të bëhet fjalë për ide aty ku nuk ekziston kurrfarë pranimi i një serie standardesh, të cilave është e mundur t’iu përgjigjesh brenda dimensionit të diskutimit. Të kesh ide, të formosh opinione është identike si t’i drejtohesh një autoriteti të cilit ti i nënshtrohesh, i pranon kodet dhe vendimet, e për këtë arsye beson se forma më e lartë e marrëdhënieve ndërshoqërore është dialogu në të cilin shtrohen për diskutim arsyet e ideve tona

Të lexuarit e bën të madh një komb, e prej këtej, të edukuarit, të nxënit me njohuritë më të dobishme për mbarëvajtjen e shoqërisë dhe strukturave të saj demokratike dhe sociale.

Mund të jetë një orvatje e lodhshme, plot sakrifica, një rrugë e gjatë, që ka të bëjë me rrënjosjen e një disipline, e një edukate, por gjithsesi është rruga e vetme që kemi – përtej partive dhe politikave të tyre – për të krijuar njerëz-qytetarë a qytetarë të ditur a qytetarë me ndërgjegje të fortë kombëtare.

E me të përcaktuar qëllimin final, duhet detyrimisht të mendojmë thellë edhe për rreziqet që mund t’i kanosen edukimit të ndërgjegjes për fitimin e një kulture të tillë. E kjo sepse ato janë të shumta. Gjithsesi, më të dëmshmin prej tyre, dijet filozofiko-sociologjike cilësojnë sot “industrinë e kulturës”. Shfaqja më e rrokshme në praktikë e këtij rreziku është pikërisht fenomeni i ashtuquajtur “star-system” ose ndryshe manipulimi apo kallëpzimi i shijeve, opinioneve, orekseve apo parapëlqimeve të njerëzve mbi bazë të disa klisheve të caktuara, të formuluara e të diktuara nga ana e mjeteve të ndryshme të komunikimit dhe trysnia e vazhdueshme e marketingut të tyre. Shembuj të tillë, pothuajse në të gjitha aktivitetet e shoqërisë sonë gjen plot, duke filluar që nga best-sellerizimi i librave – jo në lartësinë që kërkon kategoria – falë reklamave të pareshtura në shtyp, radio apo televizorë, deri te “popullarizimi” – përtej cilësisë reale – nëpërmjet së njëjtës metodë, të emisioneve, që jepen me atë pompozitet që paraqiten, kur janë thjesht makijazhe me kremra nga më të çuditshmit,  që kallajisin politikën.

E pas këtyre shembujve konkretë të rreziqeve që mund t’i kanosen fitimit të kulturës dhe cilësisë së saj, do të qe me vend t’i mëshonim fort praktikës se si duhet të arrijmë në realizimin e aspiratave që shtrojnë të dy komponentët përbërës të kësaj lëvizjeje: “kultura është njeriu” dhe “njeriu është kultura”. Antidoti është një dhe i vetëm: rrënjosja dhe edukimi i ndërgjegjes së fitimit të një kulture të tillë, e nëpërmjet saj edhe i një ndërgjegjeje të fortë kombëtare.

MAPO

SHKARKO APP