Kronika tragjike e Konferencës së Tiranës (14-20 prill 1956)
Nga Skifter Këlliçi*
Prolog
Një ditë vere të vitit 1995 më ndali në rrugë një burrë disi i thyer në moshë. Kjo ndodhi pasi në një gazetë të përditshme kisha shkruar përherë të parë pas shembjes së komunizmit rreth Konferencës së Tiranës dhe pasojave tragjike të saj. Më pyeti nëse e njihja. Ngrita supet me ndrojtje se nuk po kujtohesha se cili ishte ky i panjohur.
“Jam Injac Mazi”,- më tha, pastaj dhe më vuri me mirënjohje dorën në sup.
Atëherë u kujtova se ky burrë ishte pikërisht ai që në ditën e dytë të Konferencës së Tiranës, që ishte mbajtur në prill të vitit 1956, kishte bërë një veprim që deri atëherë nuk kishte pasur guxim ta bënte, jo më ai që ishte një punëtor në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, por asnjë anëtar i Byrosë Politike.
Ndërkohë që diktatori Enver Hoxha po sulmonte me tërbim ushtarakun e lartë Ismail Ahmeti, i cili që nga foltorja e kësaj konference me qetësi po radhiste privilegjet e udhëheqjes së partisë që jeton e zhytur në bollëk, kur populli, siç theksoi detyrohej “të hante zorrët e bagëtive”, Injaci ishte ngritur dhe i kishte thënë: “Çdo anëtar partie ka të drejtë t’i thotë konferencës mendimet e veta. Ne themi se duhet të inkurajohet kritika”. Dhe kur diktatori në kulmin e zemërimit i kishte shfryrë me mëri: “Kush je ti, mor zotëri”, ky punëtor i ishte përgjigjur pa iu dridhur qerpiku: “Unë nuk jam zotëri, jam komunist. Unë demokracinë e kuptoj kështu: Shokët nuk duhet të flasin të nervozuar. Ju shprehni mendimin tuaj, ai shpreh mendimin e tij”.
Kjo ndodhte pikërisht 60 vjet më parë, në sallën e Teatrit të Estradës së Shtetit,me të vetmin ndryshim, se në skenë nuk po luheshin skeçe, kuplete dhe parodi, por një dramë, deri atëherë drama me madhe në gjirin e PPSH-së, ku komunistë të ndershëm ngriheshin dhe kritikonin brenda rregullave të partisë udhëheqjen dhe vetë kreun e saj, Enver Hoxhën, por edhe drama e popullit, që pas 12 vjetësh lirie, kur ky tiran kishte premtuar jetë të begatë në shoqërinë e re komuniste, shihte se kjo jetë po ngrihej vetëm në një lagje të Tiranës, që quhej Blloku i Udhëheqësve.
Fillimi i një flladitjeje
Më 13 prill të vitit 1956, një ditë para fillimit të konferencës së Tiranës, Enver Hoxha, botonte një artikull me titull “Marksizëm-leninizmi mëson se populli është krijuesi i historisë”. Ndër të tjera ai vinte në dukje: “Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik e dënoi me të drejtë kultin e individit të krijuar nga Stalini në vitet e fundit të aktivitetit të tij që i solli kaq dëm Bashkimit Sovjetik. Është detyrë e përhershme e Partisë sonë të luftojë kultin e individit në çdo formë që të shfaqet ai, për të vendosur kolegjialitetin si parim udhëheqës të partisë… E rëndësishme është që çdo anëtar partie të kuptojë se në parti nuk mund të ketë frikë… Çdo anëtar partie të shprehë në parti mendimin e të kritikojë me forcë të metat në punë dhe ata që janë përgjegjës për këto të meta…”.
Kjo konferencë mbahej vetëm dy muaj pas Kongresit të 20-të të PK të BS, ku kishin ndodhur ato dukuri që vinte më sipër në dukje Enver Hoxha. Kuptohet se rreth 500 delegatët e kësaj konference, shumica dërmuese e të cilëve ish-partizanë që kishin luftuar për çlirimin e atdheut pavarësinë dhe lumturinë e tij , të nxitur nga fjalët kaq të sinqerta dhe të ngrohta të atij që quhej biri i shtrenjtë i popullit shqiptar, erdhën në konferencë të diskutonin, ashtu siç vazhdonte Enver Hoxha më poshtë:
“Nuk jemi për ashpërsimin e luftës së klasave, prandaj në asnjë mënyrë nuk duhet ta nxisim atë…Në mjaft raste janë dhënë dënime dhe akuza të fryra, sidomos në periudhën deri në Kongresin e Parë të partisë, në nëntor 1948”.
Për një njeri që nuk do të dinte se ç’rrugë kishte ndjekur dhe do të vazhdonte të ndiqte Enver Hoxha, do të krijohej bindja se ai, bënte një autokritikë në këtë artikull dhe premtonte që në Shqipëri të zbatoheshin norma me të vërtetë demokratike, të cilat deri atëherë ishin shkelur dhunshëm, e që nuk do të përsëriteshin më. Ja përse ky artikull, i cili pati atëherë një jehonë të madhe, u shtonte besimin komunistëve dhe aq më tepër delegatëve të të kësaj konference të flisnin më hapur, të shtronin me guxim ato probleme që deri atëherë i kishin mbajtur të kyçura në vetvete dhe që kishin të bënin me fatet e ardhshme të shoqërisë komuniste.
Dhe këto probleme, në një mënyrë a tjetër, i kishin ngritur edhe në diskutimet që kishin bërë në mbledhjet e organizatave të partisë. Madje, mbi bazën e këtyre diskutimeve, anëtarët e byrove të këtyre organizatave kishin hartuar edhe diskutimet që të deleguarit e tyre do t’i mbanin në këtë konferencë.
Ishte kjo arsyeja që ata e ndienin veten kaq të shpenguar ato ditë në prag të Konferencës së Tiranës. Një frymë e re po ndihej jo vetëm midis komunistëve, por edhe te njerëzit e thjeshtë.
Kjo ishte aq e vërtetë, saqë në atë periudhë pati shenja të zbutjes së luftës së klasave që u shfaq në dhënien e të drejtave të studimit edhe fëmijëve me biografi të keqe e madje edhe me prindër të burgosur, si edhe emërime ose mbajtje në punë edhe të atyre që për arsyet e mësipërme, ishin hequr nga puna, ose ishin gati për t’u hequr.
E njëjta frymë ndihej edhe në fushën e letërsisë dhe arteve. Kishte vërshuar dhe më shumë përkthimi i veprave, shfaqja e pjesëve teatrale, operistike nga arti dhe letërsia e huaj. Por gjendja ekonomike e masave mbetej gjithnjë e më e vështirë. Hendeku midis udhëheqjes që jetonte në begati, madje edhe e një shtrese kuadrosh të nomenklaturës komuniste, nga zëvendësministra e deri te drejtorë institucionesh, me anë triskash speciale e dyqanesh me artikuj të konsumit të gjerë dhe popullit, që ngrihej, veç të tjerash, me natë për të blerë dy-tre litra qumësht, ishte shumë i madh.
A kishte udhëheqja e lartë dijeni për këto probleme, a e dinte ajo se ç’po ndodhte në popull e sidomos midis komunistëve në prag të Konferencës së Tiranës? A e parashikonte ajo se çfarë pyetjesh dhe diskutimesh do të bëheshin atje?
Enver Hoxha dhe lakenjtë e tij byroistë nuk është se nuk i dinin që këto probleme që do të ngriheshin në këtë konferencë, por kurrë nuk gjykonin e se do të ndodhte ajo që do të përshkruaj më poshtë.
Në raportin e mbajtur nga Fiqrete Shehu, sekretare e parë e Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, një raport tipik burokratik, ajo merrej me analiza, të rëndomta të kësaj natyre, me kritika, shifra e fakte të fryra nga sfera të ndryshme të institucioneve e ndërmarrjeve prodhuese e jo prodhuese të kryeqytetit…
Është e vërtetë që i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë në këtë konferencë ishte Beqir Balluku, anëtar i Byrosë politike, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, por është po aq e vërtetë që Enver Hoxha, sekretari i parë i K.Q të PPSH-së, ato ditë ndodhej në Vlorë për të përgatitur raportin që do të mbante në Kongresin e 3-të të Partisë, i cili do të zhvillohej pas disa javësh, fakt ky që dëshmonte se ai nuk parashikonte asnjë të papritur të pakëndshme nga punimet e konferencës, veç diskutimeve dhe kritikave për të cilat kishte dhënë orientime në artikullin e botuar në “Zërin e Popullit” të një dite më parë, të cilat i citova më sipër.
Por ai nuk kishte parashikuar kurrë pyetjet dhe pastaj diskutimet, të cilat shpërthyen në konferencë nga goja e sa e sa delegatëve, që tronditën nga themelet jo vetëm Komitetin Qendror, por, mbi të gjithë, atë vetë dhe që e detyruan të lërë Vlorën dhe të vinte, siç do të shohim, në pikë të vrapit në Tiranë, për të mbytur pakënaqësitë që vlonin prej vitesh në shpirtin dhe zemrën e komunistëve të thjeshtë, që u shpreh hapur në pyetjet që ata i bënë presidiumit të konferencës. (Ishin ato pyetje dhe pas tyre dhe diskutimet e shumë delegatëve që sollën si pasojë që Konferenca e Tiranës që duhej të zgjaste si zakonisht dy ditë, nga diskutime të tjera dhe ndërhyrjet brutale të vetë Enver Hoxhës, zgjati plot shtatë ditë, 14-20 prill 1956).
Qenë pyetje, të cilat po i rendis ashtu siç i kam gjetur në dosjen e ruajtur në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit në Tiranë, ku përshihen materialet e kësaj konference: nga NISH Tulla, Kombinati i Tekstileve “Stalin”, Ministria e Bujqësisë, Radio Tirana, Gazeta “Bashkimi”, Instituti Lartë Pedagogjik, Ndërmarrja e Projektimit, Politeknikumi “7 Nëntori”, Kinostudioja “Shqipëria e re”…madje edhe nga të deleguar nga shkolla e Partisë “Lenin”.
Ja disa prej tyre:
“Pse nuk ka kritikë konkrete për punën, për shokë ministra e anëtarë të Komitetit Qendror si dhe kuadro të tjerë kryesorë?’
“A ka raste që njerëz që kanë kritikuar shokët me përgjegjësi të jenë persekutuar?”
“Përse Komiteti Qendror i Partisë së Punës nuk nxori asnjë konkluzion në frymën e Kongresit të 20-të PK të Bashkimit Sovjetik lidhur me të metat e partisë sonë, siç bënë partitë komuniste dhe punëtore të vendeve të tjera?”
“Përse nuk është sqaruar partia në mënyrë të organizuar mbi Partinë Komuniste të Jugosllavisë?”
“Në vetë Komitetin Qendror ka shumë shokë, burrë e grua. Përse nuk shikohet ky problem në udhëheqjen e Partisë, (Enver Hoxha-Nexhmija, Mehmet Shehu-Fiqrete, Liri Belishova-Maqo, Hysni Kapo-Vitoja…”
“A nuk është tepruar që funksionarët të marrin ushqim të garantuar sa të duan e të mbajnë kuzhinierë me lekë nga qeveria?”
“Si është çështja e kultit të individit te ne dhe ajo në Byronë Politike?”
“Ulja e pagesës së punonjësve si mund të përputhet me parullën e Partisë për ngritjen e nivelit të jetesës së popullit?”
“Gazeta polake “Tribuna Ludu”, në një koment që i bënte Radio Tirana, kritikonte Stalinin në lidhje me kultin e individit. Pse kjo nuk u botua në shtypin tonë?”
“Të përgjigjet Fiqrete Shehu se a e ka ajo idenë se çfarë mund të blejë punëtori me 3000-4000 lekë në muaj?”
Pati edhe pyetje edhe më të guximshme. E tillë ishte pyetja e Nesti Zotos, i deleguar i organizatës bazë të partisë së Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe në të njëjtën kohë edhe drejtor i saj: “A e njeh Komiteti Qendror gjendjen e varfëruar të popullit dhe pse nuk tregon haptazi shkaqet e vërteta?” Kjo pyetje u shoqërua edhe me pyetje të tjera të kësaj natyre, si kjo e mëposhtmja:
“Cili është shkaku që rrogat e funksionarëve të lartë të Partisë e të shtetit u rritën, kurse të punonjësve të thjeshtë nuk luajtën ose u ulën?”
Më pas u bënë edhe pyetje edhe më të ndërlikuara që lidheshin me dënimet e disa kuadrove të larta të partisë:
“Si shikohen nën dritën e Kongresit të 20-të masat e marra kundër Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut dhe Koci Xoxes?”.
E përsëris, nuk qenë pyetje spontane që lindën aty për aty, por pyetje të cilat qenë menduar dhe rimenduar, që ishin shtruar edhe në mbledhjet e organizatave të partisë përpara fillimit të Konferencës së Tiranës, aq më tepër që merrnin shkas jo vetëm nga vendimet e Kongresit të 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik, të cilat, siç thamë ishin diskutuar gjerësisht, por edhe nga artikulli i Enver Hoxhës, botuar pak ditë më parë në gazetën “Zëri i Popullit”.
Në këtë gjendje shumë të nderë, të paparashikuar, as nga byroistët, veç Enver Hoxhës, të pranishëm në sallë, Fiqrete Shehu u detyrua të ngrihej dhe të shprehej se ajo vetë do t’u përgjigjej vetëm pyetjeve që kishin të bënin me byronë provizore të Komitetit të Partisë të Tiranës, sepse ishin “pyetje të karakterit organizativ, kurse pyetjeve të tjera do t’u përgjigjet shoku Beqir Balluku”.
Si pasojë, ajo ia la përgjegjësinë të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë. Dhe Beqir Balluku, kuptohet, i ndodhur në një pozitë shumë të vështirë, u detyrua të ngrihej dhe t’u përgjigjej pyetjeve, kur tërë sytë e pjesëmarrësve në konferencë, ishin drejtuar nga ai dhe vetëm ai…
“Beqir Balluku, -më kujtonte instruktori i Komitetit të Partisë së Tiranës, Myfit Vigani, i pranishëm në sallë – u ngrit nga presidiumi ku ishte ulur pranë Fiqrete Shehut dhe iu afrua foltores. Në sallë në ato çaste mbretëroi një heshtje e thellë. Të gjithë të pranishmit prisnin se ç’përgjigje do t’u jepte i deleguari i Komitetit Qendror atyre pyetjeve që kurrë nuk ishin dëgjuar jo më në një konferencë të tillë, por as edhe në një mbledhje të zakonshme të një organizate partie të ndonjë qyteti provincial.”
Ç’është e vërteta, Beqir Balluku, sipas dokumenteve të dosjes së kësaj konference, që ruhet, siç thamë, në Arkivin e Shtetit, disave prej pyetjeve më të rëndësishme nuk iu përgjigj fare, duke lënë të nënkuptohej se ato ishin jashtë kompetencave të tij. Megjithatë, le të shohim përgjigjet e tij për disa nga pyetjet e tjera të të deleguarve:
Pyetjes se pse Partia nuk i kishte bërë një analizë të gjitha çështjeve nën dritën e vendimeve të Kongresit të 20-të, ai iu përgjigj: ”Komiteti Qendror është përgatitur të bëjë një analizë në Kongresin e 3-të”.
Pyetjes, nëse Komiteti Qendror e di gjendjen e varfëruar të popullit, përse nuk i tregon shkaqet e vërteta, Beqir Balluku i dha këtë shpjegim:
”Komiteti Qendror është plotësisht i informuar mbi çfarë bëhet në vendin tonë për ndërtimin e socializmit. Vendi ynë po kalon vështirësi dhe nuk është e drejtë të flitet për varfërinë. Ne kemi vështirësi, mbasi kemi edhe detyrime karshi miqve që na ndihmojnë. Pra, ne ndërtojmë një gjendje ekonomike jo të lehtë”.
Përsa i përket pyetjes që kishte të bënte me trajtimin ekonomik shumë të lartë në krahasim me nivelin e popullit që jetonte në varfëri, i deleguari i Komitetit Qendror dha këtë përgjigje:
“Komiteti Central ka caktuar një rregull për sistemimin e furnizimit të funksionarëve të partisë dhe të shtetit, por me qëllim që t’i përgjigjen vrullit të punës së ngarkuar nga partia jonë. Duhet të jetë kështu, sepse kanë një vrull pune më të madh se një punëtor.”(?!).
Pastaj ai nisi t’i jepte përgjigje pyetjes që prekte problemin e kultit të individit, që ishte shtruar me aq këmbëngulje nga salla:
“Nuk ka vendim të Komitetit Central të Partisë që të mos ketë sanksione kolegjiale,-tha ai. -Prandaj kulti i individit në partinë tonë nuk ka atë që kishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik në vitet e fundit të jetës së shokut Stalin”.
Nga sa shihet qartë, Beqir Balluku nuk qe në gjendje t’u përgjigjej saktë pyetjeve, për të mos thënë që një pjesë të mirë të tyre nuk e preku, ose e kaloi shkarazi…
*(vijon në numrate ardhshëm)