Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj, nën akuzë nga Prokuroria
Pas kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, një tjetër kryetar bashkie i një qarku, atij të Fierit, i duhet të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia. Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj dhe për gjashtë zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, të gjithë në cilësinë e Komisionit të Strehimit, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas prokurorisë, ndaj këtyre zyrtarëve, gjykata ka vendosur fillimisht masën e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Gjithashtu, bashkë me zyrtarët, prokuroria ka marrë të pandehur edhe 6 shtetas të ndryshëm, të akuzuar për “fallsifikim dokumentash”, në rastin e aplikimeve për lehtësira në strehim, për të përfituar nga kuotat përkatëse të Bashkisë.Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të proçedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.Kallzuesit kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Kallzuesit pretendojnë se pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë. Kallzuesit kanë shpjeguar faktin se nuk ka patur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona të cilët janë me prona, biznes ose të afërm të këshilltarëve që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier.
Ndalohet të dalin jashtë shtetit:
1. Baftjar Zeqaj
2. Agron Begaj
3. Fatmir Kajolli
4. Ramiz Hoxhaj
5. Alfred Boçova
6. Selman Braçe
7. Esmeralda Kapllanaj
Akuzohen për falsifikim të dokumentave:
8. Mimoza Kollçinaku
9. Gazmir Dano
10. Enver Lloshi
11. Shaban Selaci,
12. Ylli Dhjari,
13. Faslli Zhara