Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci: Pushuesit kanë fjalë zemre për Velipojën, për këtë perlë të Adriatikut

Albert Vataj

“Qytetarët dhe vizitorët kanë vetëm fjalë zemre për Velipojën këtë fundjavë. Pastërtia, plazhet, kushtet e përmirësuara dhe atmosfera që gjejnë këtu po sjellin çdo ditë më shumë pushues në Perlën e Adriatikut”, shkruan në një postim video të shpërndarë në rrjetet sociale kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Pamjet dhe dëshmitë e përfshira në këtë material video sjellin jo vetëm bukurinë e një prej destinacioneve më të dashura të bregdetit shqiptar, por edhe zërin e atyre që e përjetojnë nga afër këtë realitet. Pushues nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera, familjarë, prindër me fëmijë, të rinj e të moshuar, ndajnë përshtypjet e tyre pozitive për ndryshimet e dukshme që kanë gjetur këtë vit në Plazhin e Velipojës. Ata flasin për një mjedis më të pastër, për një organizim më të mirë të hapësirave publike, për kushte më dinjitoze dhe për një ndjesi mikpritjeje që e bën qëndrimin e tyre më të këndshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fjalët e tyre nuk ka thjesht vlerësime kalimtare, por një bindje e sinqertë se Velipoja po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion që meriton të vizitohet dhe të rikthehesh sërish. Për shumë prej tyre, kjo vijë bregdetare mbetet një nga vendet më të bukura për pushime familjare, ku natyra, qetësia dhe komoditeti bashkohen në një përvojë të plotë verore.

Edhe pse sezoni turistik sapo ka nisur, optimizmi që përcjellin këta pushues është një tregues i qartë i potencialit që ka Velipoja për të qenë ndër destinacionet më të preferuara të kësaj vere. Vlerësimet e tyre shërbejnë si një dëshmi e drejtpërdrejtë se investimet në infrastrukturë, mirëmbajtje dhe shërbime po japin rezultatet e pritshme, duke krijuar kushte më të mira si për banorët ashtu edhe për mijëra vizitorë që zgjedhin këtë perlë të Adriatikut.

Velipoja vazhdon të mbetet një nga mrekullitë natyrore të bregdetit shqiptar. E njohur për shtrirjen e saj të gjerë me rërë të imët dhe të pastër, për vetitë kuruese që i atribuohen kësaj rëre, për ujërat e kthjellëta dhe të cekëta, si dhe për peizazhin e veçantë ku deti takon lagunat, pyjet dhe lumin Buna, ajo ofron një kombinim të rrallë bukurie dhe rehatie. Këto vlera natyrore plotësohen nga një rrjet gjithnjë e më i zgjeruar shërbimesh, strukturash akomoduese dhe hapësirash çlodhëse, të aksesueshme për çdo kategori pushuesi.

Më shumë se një destinacion turistik, Velipoja mbetet një vend ku njerëzit krijojnë kujtime, rigjejnë qetësinë dhe shijojnë mikpritjen karakteristike shkodrane. Ndaj edhe fjalët e pushuesve tingëllojnë të ngrohta e të sinqerta; ata flasin me zemër për atë që gjejnë këtu dhe urojnë me shpirt që kjo mbarësi, ky zhvillim dhe kjo frymë pozitive të vazhdojnë, duke e bërë Velipojën një shembull të suksesit të turizmit shqiptar dhe një krenari të veçantë të veriut të vendit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?