Kryebashkiaku Veliaj në SHBA për të prezantuar Tiranën

Pas marrjes së votëbesimit nga qytetarët edhe për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është ftuar në Shtetet e bashkuara të Amerikës për të prezantuar Tiranën dhe projektet transformuese të saj.

Kryebashkiaku do të hapë Kongresin vjetor me temë “Qytete që rriten me gjelbërim”, ku marrin pjesë mbi 1.000 kryetarë bashkish dhe menaxherë qytetesh nga 200 bashki të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë.

Rasti i Tiranës është përzgjedhur si një histori suksesi, ku transformimet kanë përfshirë gjithë territorin, por edhe kanë mobilizuar çdo grupmoshë, nga adoptimi i kopshteve dhe i konvikteve, tek mbjellja e pemëve dhe krijimi i parqeve të reja në Tiranë, Farkë e Kashar.

Veliaj thekson se ndonëse ka ende shumë punë për të bërë, kur shqiptarët mobilizohen bashkarisht, mund të bëjnë transformime që bien në sy. “Tirana nuk është perfekt, ka ende shumë punë! Por, jam krenar që kur ne shqiptarët mobilizohemi i madh e i vogël, bëjmë transformime që bien në sy! Namin tonë në botë e kemi në dorë vetë – mjaft të vazhdojmë me punë e përkushtim”, shprehet ai.

Plani Vendor për Tiranën 2030, transformimi i Sheshit “Skënderbej” dhe fokusi tek investimet urbane për krijimin e “Pyllit Orbital” përreth qytetit, kanë tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të qyteteve të tjera dhe të urbanistëve në të gjithë botën.

Në vitet e fundit, konferenca “Greater & Greener” ka tërhequr folës dhe liderë nga mbi 20 vende, duke përfshirë kryebashkiakun e qytetit të Nju Jork-ut, Michael Bloomberg, kryebashkiakun e San Franciskos, Ed Lee, Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom etj.

SHKARKO APP