Kryeministri Cipras si Ponc Pilati
Andrea Stefani
Ponc Pilati, prefekti romak i provincës së Judesë nuk ishte fare i bindur për fajësinë e Krishtit. Megjithatë e dënoi me kryqëzim dhe për të “larë duart” përdori demokracinë duke pyetur turmën: Kë të kryqëzojmë, Krishtin apo Barabën? Krishtin! – ulëriu turma. Vox populi, vox dei. Krishtin e kryqëzuan.
***
Të njëjtën taktikë populiste, të larjes së duarve me demokraci, po përdor edhe kryeministri grek Cipras, për të “larë duart” në marrjen e vendimit të rëndësishëm lidhur me pranimin ose jo të kërkesave të kreditorëve. Parlamenti i Greqisë miratoi organizmin e një referendumi dhe Cipras bëri thirrje që t’i thuhet jo kërkesave të BE. Një vendim dinak që sot i thotë BE se ishte vendimi i popullit dhe nesër, kur ekonomia greke të ndodhet e kryqëzuar nga pasojat e daljes nga euro, t’u thotë po grekëve, se janë ata vetë përgjegjës për pasojat me vendimin që morën. Një rast tjetër që provon se dinakëria antike greke nuk ka vdekur.
***
Tamam si Ponc Pilati, edhe Cipras nxori përpara “popullin”, turmat, demokracinë. Taktikë e zgjuar por jo e drejtë. Sepse në demokraci jo të gjitha problemet zgjidhen demokratikisht, me votë. Sepse jo gjithmonë përjetimet e “popullit” përputhen me interesat e vërteta që ai, jo rrallë, nuk i kupton në kohë dhe sa e si duhet. Mendoni sikur në një moment, Banka Qendrore e një shteti, ajo që rregullon politikën monetare, të funksionojë sipas dëshirave të popullit. Ajo pjesë e popullit që ka nevojë për kredi dëshiron që përqindjet e kredisë të jenë sa më të ulëta. Ndërkaq ajo pjesë e popullit që ka depozita në banka, do të donte që interesat të ishin sa më të larta. Kështu një fraksion i popullit do kundërshtonte një fraksion tjetër të popullit. Por, fatmirësisht, Bankat Qendrore nuk marrin parasysh dëshirat e popullit edhe sikur ato të shprehen nga një shumicë dërrmuese. Bankat Qendrore marrin vendime për rritjen apo uljen e interesave nisur nga objektivi i ruajtjes së stabilitetit monetar dhe nxitjes apo edhe frenimit të rritjes ekonomike. Pra funksionojnë jo në përputhje me dëshirat momentale të një pjese të popullit, qoftë kjo edhe në shumicë, pikërisht për të mbrojtur interesat e vërteta të popullit që ai, jo rrallë, nuk i kupton. Po të ndiqte dëshirat e “popullit” Banka Qendrore do i shkaktonte ekonomisë katastrofa shumë të rënda dhe bashkë me këtë, edhe interesave të vërteta të popullit. Një funksionim të tillë “antidemokratik” tepër të çmuar për demokracinë dhe lirinë e njerëzve, kanë edhe institucione të tjera si, për shembull, gjykatat. Ato nuk u binden pasioneve të turmave.
***
Kryeministri Cipras ka zgjedhur rrugën e gabuar. Ka zgjedhur të fshehë kundërshtimin e tij ndaj kërkesave të kreditorëve europianë pas vullnetit të popullit, pas demokracisë. Dhe përgjigja e referendumit dihet. Një “JO” e madhe kundër kërkesave të kreditorëve. Sepse ku ka popull në botë që i pyetur nëse do të paguajë më shumë apo më pak taksa, të përgjigjet “Po”!? Por ka edhe një tjetër padrejtësi në këtë taktikë të kryeministrit Cipras. Eshtë fakti që kur i morën miliardat nga Bashkimi Europian, qeveritarët grekë nuk i kërkuan një mendje popullit grek. As kur i bënë ato miliarda rrush e kumbulla bashkë me popullin, por më shumë për vete. E pse kërkojnë mendjen e tij tani kur ka ardhur ora e pagesave? Një taktikë populiste kjo që nuk parashikon asgjë të mirë, në radhë të parë për Greqinë, por edhe më gjerë.
"DITA