Kryeministri: Do të pastrojmë “fijet e merimangave”, ndërhyrje gjithëpërfshirëse në transport e ujësjellës
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime të thella në transportin publik, ujësjellës dhe hapësirat urbane. Një nga detyrat kryesore do të jetë sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore.
“Është tashmë plotësisht e mundur që t’i pastrojmë qytetet tona nga fijet plastike që ngjajnë me rrjetat e merimangave. Siç tregon edhe inventari, pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë jashtë funksionit, por vazhdojnë të qëndrojnë aty si dëshmi e harresës dhe e mungesës së vëmendjes”, tha kryeministri.
Rama bëri me dije se në 10 ditët e para të korrikut do të prezantohet edhe programi Rilindja Urbane 2.0 që adreson një sërë problematikash duke ndërhyrë në të gjitha pikat që kanë mbetur më pak të investuara.
“Ka ardhur koha që ky proces të marrë një drejtim shterues dhe të adresojë të gjitha pjesët e mbetura pa investime. Në fakt, këto janë shumë më pak sesa pjesët e investuara të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Do të nevojitet një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për t’u dhënë përgjigje edhe nevojave të mbetura të paadresuara në segmentet ende të pambuluara të rrjetit të përgjithshëm.
Së dyti, do të adresojmë nevojën për ta çuar transportin urban dhe interurban në një nivel tjetër. Pika më e dobët mbetet transporti gjatë sezonit të pikut, kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët të lëvizin me transport publik. Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë ku transporti të jetë plotësisht i gjelbër, me autobusë elektrikë, si edhe të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë për përdorimin dhe administrimin e këtyre mjeteve nga bashkitë.
Këtë model do ta shtrijmë në të gjithë territorin e vendit. Do të krijojmë një park logjistik që do t’u shërbejë bashkive për punimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe ndërhyrjet që lidhen me situatat pas emergjencave. Gjithashtu, do të mbështesim një program për krijimin e kapaciteteve më të mëdha dhe më funksionale për parkimet”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

