Kryeministri Edi Rama, merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot, 3 maj, drejt Armenisë, ku do të marrë pjesë të hënën në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Jerevan.
Ai merr pjesë në darkën e mirëseardhjes të shtruar nga Presidenti armen, Vahagn Khachaturyan dhe kryeministri Nikol Pashinyan.
Samiti i Komunitetit do të bëjë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, ndërkohë që Kryeministri i Kanadasë Mark Carney, do të marrë pjesë si i ftuar në samit, duke shënuar herën e parë që një vend jo-europian merr pjesë në takim.
Qëllimi i samitit është që të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin politik për të adresuar çështje me interes të përbashkët, si dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit europian.
Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.
Ditën e hënë, në nisje të Samitit, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të priten nga Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan. Samiti do të bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe Kryeministri i Republikës së Armenisë Nikol Pashinyan.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.
Gjithashtu, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”.
Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij dixhital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.
Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.
KOHA JONË SONDAZH

