Kryeministri kinez që ka nostalgji për Adem Rekën

Nga Skënder Minxhozi- Ben Andoni, JAVA
 
Samiti i Beogradit përfundoi para pak ditësh, me një vitrinë liderësh të Europës Lindore, që u thirrën nga kryeministri kinez Li Keqiang, për të diskutuar për një paketë financimesh që Kina mendon të akordojë për vendet në fjalë…
 
Bëhet fjalë kryesisht për vepra në infrastrukturë, energji e transport, të cilat do të modernizojnë të gjithë rajonin e Lindjes europiane. Por krahas këtij aspekti të rëndësishëm zhvillimor, kjo paketë kredish të buta që gjigandi aziatik përgatitet të hedhë në këtë pjesë të botës, shënon edhe një shkelje këmbësh të sikletshme për Perëndimin: për BE në rradhë të parë, por edhe për SHBA.
 
Shqipëria e ka parë me shumë entusiazëm nismën kineze. Qysh në Samitet e Varshavës (2012) dhe  Bukureshtit (2013), qeveritë shqiptare e kanë mirëpritur iniciativën e Pekinit, për të ndihmuar me kredi zhvillimi Europën Lindore. Tirana zyrtare ka llogaritur lidhjet e vjetra tradicionale që dy vendet kanë patur mes tyre, përfshirë ndihmën e Shqipërisë gjatë afrimit të Kinës Popullore në OKB. Një aspekt që e pasqyron edhe përmbledhja e intervistës së kryeministrit kinez, të cilën po botojmë më poshtë. Lidhjet tradicionale shqiptaro-kineze, kanë qenë dhe janë një potencial i rëndësishëm zhvillimi, por në 25 vjetët e fundit kanë mbetur në suazën e retorikës, pa rezultate konkrete të prekshme.
 
Qeveria shqiptare ka njoftuar se konform nismës kineze, janë identifikuar disa projekte, të cilat po negociohen me Pekinin. Më së pari është rruga e Arbrit, për të cilën u firmos një memorandum mes dy palëve pak ditë më parë.
 
Përveç këtij projekti, janë edhe disa plane të tjera konkrete për bashkëpunim ekonomik, të cilat po i rendisim më poshtë.
 
 
 
Li Keqiang, kryeministri që ka nostalgji për Adem Rekën
 
Miqësia e thellë tradicionale dhe besimi i përbashkët dhe i palëkundur politik, kanë krijuar themele të forta për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, vlerësoi Kryeministri kinez Li Keqiang duke iu përgjigjur pyetjeve të Albania Daily News.
 
Në vigjilje të takimit të tretë ndërmjet udhëheqësve kinezë dhe atyre nga vendet e Europës Lindore, e cila u mbajt të martën në Beograd, Li dha intervistë për mediat e këtyre vendeve.
 
“Miqësia është si vera, sa më e vjetër aq më e mirë”, tha Li duke cituar një thënie të vjetër kineze. Shqipëria dhe shumica e vendeve të tjera në Europën Qendrore dhe Lindore, vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën në ditët e para të themelimit të Republikës Popullore të Kinës në 1949, çka i dha Kinës mbështetje të paçmuar, sipas agjencisë Xinhua.
 
“Ne gjithmonë e kemi ushqyer këtë miqësi të vërtetë”, tha Li.
 
Sipas Kryeministrit, sot, shumëkush në Kinë e mban mend ende kontributin historik që Shqipëria bëri për rivendosjen e të drejtave të ligjshme të saj në Kombet e Bashkuara, në vitin 1971.
 
Pamjet e grave luftëtare të guximshme në filmin “Horizonte të Hapura” dhe veshjet në filmin “Oshëtimë në Bregdet” lanë një gjurmë të pashlyeshme në mendjet e një brezi të tërë të popullit kinez,kujtoi Li.
 
“Gjenerimi i rezultateve më të arritshme nëpërmjet bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm ka qenë një aspiratë e përbashkët të popujve të vendeve tona”, tha Li. Ai shtoi se kjo është edhe mënyra më e mirë për të çuar përpara miqësinë e përbashkët tradicionale.
 
Kryeministri vlerësoi se krijimi dhe zhvillimi i platformës së bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, kanë shtuar një dimension të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe këtyre vendeve, duke injektuar një stimul të fuqishëm në bashkëpunimin dypalësh.
 
Kina dhe Shqipëria po punojnë bashkërisht për të rrokur mundësi të tilla historike, në mënyrë që të nxitin aktivisht bashkëpunimin praktik në transport dhe energji. Takimi i Beogradit do të konturojë një skicë më të detajuar të bashkëpunimit të mëtejshëm dhe do të hapë një derë edhe më të gjerë për një baskëpunim ku përfiton secila palë, duke iu përgjigjur pyetjes së ngritur nga gazeta shqiptare.
 
 
 
“Ne jemi gati të punojmë me Shqipërinë për t’i dhënë vrull bashkëpunimit dhe të shënojmë arritje të reja në bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, dhe në bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë”, deklaroi Li.
 
 
 
***
 
Kanë qenë të pakta samitet e huaja të viteve të fundit, ku Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse, e që  kanë pasur impaktin e samitit të ditëve të fundit. Arsyeja ka qenë e thjeshtë: zyrtarët shqiptarë, edhe pse pjesë e forumeve, traktateve të ndryshme, thjesht kanë qenë në radhët e pasme. Si asnjëherë tjetër, në samitin kinez të Beogradit, kryeministri i vendit Rama, jo vetëm ka qenë në radhën e parë, por edhe është përpjekur ta bëjë protagoniste vendin e tij në grantin e madh prej 10 miliardë dollarësh akorduar nga Kina për Ballkanin. Kështu, Shqipëria, mes të tjerave, ka kërkuar që projekti i madh kinez i SILK-Road, i cili ka një infrastrukturë komunikacioni komplete, të ketë akses dhe në rrjetin hekurudhor të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit.
 
Por, në ditët e samitit, Shqipëria ka paraqitur projektet e saj, ku nënvizimi ka qenë në disa projekte në infrastrukturë, bujqësi, energji nga qeveria e saj. Marrëveshjet për këto bashkëpunime u konfirmuan gjatë takimit që kryeministri Edi Rama pati me homologun e tij kinez Li Keqiang.
 
 
 
Katër projektet
 
Katër projektet thelbësore që paraqiti Shqipëria në Samit lidheshin specifikisht me “Rrugën e Arbrit”, “Autostradën Blu”, Portin e Shëngjinit dhe hekurudhat shtetërore. Kjo e fundit me idenë që të propozohej përmirësimi i të gjithë nyjeve shtetërore dhe pastaj të bëhej lidhja me ato ndërkombëtare, duke e futur vendin në sistemin e fqinjëve: në Veri me Malin e Zi, në Lindje me Maqedoninë dhe në Jug me Greqinë. Ky është një nga projektet që pretendohet se do të financohet menjëherë.
 
E veçanta e përfaqësimit të Shqipërisë në këtë samit, kish të bënte me përgatitjen e saj specifike. Ajo ka bërë një përgatitje speciale në fisha-projekte, për të mos përsëritur gabimet e qeverive paraardhëse, që kanë shkuar në të tilla takime me përshkrime të thata. Në fisha-projektet e kësaj here, ishin të paraqitura në mënyrë shumë konkrete përshkrimet e detajuara dhe kostot e propozimeve. Si rezultat i kësaj pune, të nisur herët, “Rruga e Arbërit” është në fund të negociatave dhe puna për të nisi me marrëveshjen e dy kryeministrave tanë. Porti i Shëngjinit është gati si projekt. “Mendohet që të bëhet port kontanierësh. Ka pak punë studimore, pasi do bëhet studimi i rrymave detare dhe me radhë…Por një nga projektet është edhe zhvillimi i Vlorës. Janë tetë zona të lira industriale dhe një zonë ekonomike, por që nuk ishin ndërtuar. Tani jemi duke mbyllur reformat e zonave të lira dhe industriale”, thotë Etjen Xhafa, Drejtori i Kabinetit të Ministrisë së Zhvillimit të Ekonomisë. Është kërkuar ndërthurje e projekteve kineze me ato të BE-së dhe partnerëve të tjerë. Janë rreth 600 milion Euro për Shëngjinin, që me Rrugën e Kosovës, bëhet shumë i domosdoshëm tashmë për Ballkanin. Vështirësitë e mëtejshme janë ato burokratike, por jo nga pala shqiptare, vëren zyrtari.
 
 
 
Spitalla
 
Interesi më i madh i kinezëve, në fakt, nuk ka qenë vetëm në këto projekte por në disa syresh. Një nga këto ishte Zona e lirë e Spitallës. “Ne jemi në bisedime për Zonën e Lirë Ekonomike të Spitallës, e cila është një zonë prej 500 ha dhe këto negociata prej palës kineze insistonin dhe më tepër, pasi donin dhe 2000ha”, thotë Xhafo. Por, sipas tij, problemi është një gjigand tjetër  kinez, që kërkon një zonë po kaq të madhe. “Problemi jonë është të gjejmë një të tillë hapësirë që të jetë e krahasueshme me të…”. Arsyeja e këtij insistimi lidhet me pozitën e Spitallës.Tregu më i madh i Kinës sot është BE-ja dhe për fat Shqipëria ka disa marrëveshje me BE-në dhe rajonin. Në këto kushte, sipërmarrjes kineze i intereson të jetë më afër tregut dhe me këtë rast të eliminojë tarifat e transportit, që janë problem, ndërkohë që nga territori ynë Evropën e kanë afër dhe po ashtu edhe lëndën e parë, nga ku mund të realizojnë më shpejt dhe pa kosto prodhimet e tyre. Spitalla është një projekt, që do të mundësojë gati 100.000 të punësuar. “Është një projekt masiv. Do dhe pak kohë që të kryhet negociata, pasi ata i marrin dhe i zhvillojnë me faza projektet e tyre dhe do marrin mbështetjen edhe të ndonjë prodhuesi të njohur botëror. Kjo na intereson dhe neve në terma ekonomikë, pasi jemi të interesuar të vijë një prodhues i madh. Në këtë rast, duam të vijë Haier, prodhuesi më i madh i elektro-shtëpiakeve sot në botë që tregun e ka në Evropë”, sipas Xhafës. Spitalla do jetë një zonë, ku do të ketë prodhime elektronike, elektrike dhe industrinë e lehtë. Por jo industri e rëndë, pasi s’është zona e banuar. Investitorëve kinezë u duhet kjo infrastrukturë, pasi Spitalla ka parkun energjetik, impiantin e ujërave të zeza dhe është vetëm 8 kilometra me Durrësi.
 
 
 
Të tjera
 
“Chinese Exim Bank” do jetë Banka nga ku do kalojnë paratë për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”, punimet e të cilës do të fillojnë vitin e ardhshëm , por edhe disa projekteve të tjera. Kryeministri Rama ka deklaruar se Rruga e Arbrit është vetëm fryt i parë i një epoke të re. Bashkëpunimi me këtë bankë ka dhe përparësitë se shumë nga firmat janë shtetërore dhe banka ka fonde shtetërore, sipas zyrtarit. Me shumë interes është pritur edhe një propozim i ri, inincuar nga Shqipëria: lidhja e gjithë zonës ballkanike dhe më gjerë e plot 17 vendeve me “Projektin e madh kinez Silk-road që është një projekt i madh hekurudhor, por që duam të ketë sa me shumë atribute. Tani është vetëm problemi i tyre burokratik, pasi duhet që të lëvizin në strukturat e tyre, përfundon shefi i kabinetit. Ndërkohë që po vazhdojnë tratativat me kompaninë kineze të China Reconstruction Company. Kjo është kompania që mendohet se do të zhvillojë Shëngjinin dhe krejt zonën industriale. Ndërkohë, ata, vetë, kanë filluar punë duke kërkuar partnerë për menaxhimin e portit, duke parë tek kompani holandeze.
 
 
Zaret janë hedhur. Kurse titulli i filmit “Horizonte të hapura”, që u citua nga kryeministri kinez,  është metafora më e bukur e marrëdhënieve mes dy shteteve, që po rilindin një marrëdhënie historike.

SHKARKO APP