Kryeministri nga Brukseli: Hapim grupkapitullin e fundit të negociatave, në një kohë rekord
Është mbajtur sot Konferenca e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me Komisioneren Marta Kos dhe ministren daneze të Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, tha the Shqipëria i hapi të gjithë grupkapitujt në një kohë rekord, brenda 12 muajve. Më tej, Rama u shpreh se vendi ynë ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, duke shtuar se deri në 2027 të kenë mbyllur grupkapitujt.
“Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe grushtet në stomak, por unë besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë ëndrrën e një viti më parë,që tashmë është transformuar në një plan pune, në një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme.
Pa fjalë formale, dua të falënderoj me zemër Marien dhe Martan. Marien për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra për zgjerimin duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara dhe Martan që është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohën e duhur. Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet.
Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që, ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

