Kryeministri paralajmëron hapjen e dosjeve sekrete. Frikë në politikë e në media
E kjo, edhe pse në shumë vende evropiane, por edhe të rajonit me histori të ngjashme me tonën, ai ka funksionuar. Por edhe pse jo pak herë, në vendin tonë, është ndërmarrë disa herë nisma për realizimin e një procesi të tillë, i konsideruar gjithmonë në funksion të një “katarsisi” apo më mirë, aministe me të kaluarën. Por duket se ky realitet do të ndryshojë shumë shpejt, teksa ka qenë ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka përmendur dje në mënyrë të tërthortë ndoshta rinisjen e këtij procesi, pikërisht gjatë një ceremonie për hapjen e bunkerit të nëndheshëm të komunizmit. Një simbol ky në fakt i asaj kohe, gjatë së cilës u krijuan pikërisht dosjet e lartpërmendura dhe që edhe sot e kësaj dite, lënia e tyre pa zbardhur e larg njohjes me publikut, ka lënë ende një skutë të errët sa i përket shkëputjes një herë e mirë me atë kohë. Konkretisht, gjatë fjalimit pasi pa nga afër atë çfarë fshihej në bunker, kryeministri Rama theksoi se hapja e këtyre dyerve nis një fazë të re me të shkuarën duke paralajmëruar kështu hapjen e dosjeve të ish-Sigurmit të Shtetit. "Ne jemi ata që i kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990. Nuk kemi asnjë problem t'ia shikojmë nga të katër anët, këndet e vështrimit dhe bëmat. Ndërkohë ne jemi ata të do të çojmë përpara projektin e çlirimit të kësaj kujtese kolektive, nga këto makthe. Ruajtja e këtij misteri dhe e këtyre mistereve, ashtu si edhe ruajtja me fanatizëm e misterit të dosjeve të të shkuarës, dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, janë në fakt vazhdimësia e të njëjtës shkollë, e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin, pavarësisht kostove”, deklaroi ai, duke paralajmëruar në këtë mënyrë se edhe në Shqipëri, si në mjaft vende me të kaluar ish-komuniste, do të konkludohet ky proces. Teksa hapja e dosjeve duhej bërë që në fillim, por edhe tani nuk është vonë, ndonëse shumë prej tyre janë pastruar, fshirë, zëvendësuar nga duar të ndryshme të shërbimeve sekrete gjatë këtyre 24 viteve, siç ka edhe të ndryshuara apo të manipuluara. Por hapja e tyre duhet bërë, sidoqë ka manipulime në disa prej tyre. Dhe Edi Rama duhet ta bëjë sa më shpejt këtë hapje të dosjeve para se të manipulohen apo zhduken prapë nga shërbimet. Njësoj në fakt, siç bëri Gjermania, e mbarsur me një histori të trishtë dosjesh nga komunizmi i dekadave të fundit që pësoi më mënyrë traumatike, shoqëruar me një ndarje simbolike në dy pjesë të territorit të saj. Kujtojmë se hapja e dosjeve të STAS-it në Gjermaninë Lindore, është një model që shërbeu dhe po shërben si pikë referimi për mjaft vende të Evropës të aplikojnë një proces të ngjashëm. “Në Gjermani, ne jemi përballur me disa situata të ngjashme të vështira. Si me periudhën e regjimit katastrofik nazist dhe më pas, me regjimin e Republikës Demokratike gjermane, duke hapur dosjet e shërbimit sekret “Stasi”. Në të dyja rastet ne hapëm dosjet dhe kur u hapën ato të periudhës komuniste të Gjermanisë Lindore, pati shumë njerëz që u shokuan, pasi mësuan se shumë nga miqtë e tyre të ngushtë ishin spiunë ose bashkëpunëtorë të regjimit. Por pavarësisht se ishte një eksperiencë pak e hidhur, është një hap i shëndetshëm. Pra mund të them që në fund ishte diçka shumë pozitive për ne. Dhe besoj se edhe te ju do të jetë diçka që do i shërbejë shoqërisë, por ky është një debat që shqiptarët duhet ta zgjidhin me njëri-tjetrin”, ka deklaruar lidhur me këtë proces vetë ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman. Dhe menjëherë pas deklarates së Ramës se do të hapë dosjet, ka plasur frika në politikë e në radhët e medias….
Sakaq, ky proces në Shqipëri deri tani duket se ka qenë ende larg realizimit, teksa prej vitesh politika e saj u përfshi në debate pa fund, për të konkluduar me miratimin në vitin 2008 të një ligji për pastërtinë e figurës të zyrtarëve të lartë, i rrëzuar më pas në Gjykatën Kushtetuese, e kësisoj, i paaplikueshëm. Ligj ky i kritikuar edhe nga vetë Komisioni i Venecias, sipas të cilit, ai dhunon ligjet ekzistuese dhe institucionet. Pa harruar as edhe të ashtuquajturit komisionet “Mezini” e “Bezhani”, në vitet ’90, ngritja e të cilëve tentoi pikërisht pastrimin e politikësnga e kaluara e tyre, por që mesa duket nuk ia arritën dot. Nga e gjithë kjo përpjekje mbi 20-vjeçare e shqiptarëve për ta konkluduar njëherë e mirë këtë “njollë” të së shkuarës duket se ka mbetur vetëm rituali i përvitshëm që në kuadrin e ditës së kujtesës për viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, partitë politike të fillojnë debatin për lustracionin ende të munguar. Dhe të mos ia kursejnë akuzat njëra-tjetrës, se i kanë radhët e tyre të mbushura me ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit …
RETROSPEKTIVË
Si i kanë hapur dosjet
vendet ish-komuniste?
BULLGARIA
Në dhjetor 2006, parlamenti i Bullgarisë kaloi një ligj për të hapur arkivat e shërbimeve të saj sekrete dhe për të zbardhur të vërtetën mbi shërbimin që quhej “Darzhavna Sigurnost”, një prej shërbimeve më famëkeqe sekrete të Luftës së Ftohtë. Sipas ligjit, publiku lejohet që të shohë dosjet. Por disa dosje mbeten sekrete për publikun, për arsye të “sigurisë kombëtare".
REPUBLIKA ÇEKE
Në vitin 2003, Republika Çeke botoi listën e personave që kanë bashkëpnuar me policinë sekrete të kohës së komunizmit, “StB”.
Ishin emrat e rreth 160 mijë personave të pretenduar si bashkëpunëtorë, bërë publikë nga ish-desidenti Petr Cibulka.
SLLOVAKIA
Ky vend hapi mijëra dosje sekrete të policisë sekrete të kohës së komunizmit “StB” në nëntor të vitit 2004. Këto dosje përmbanin emrat e më shumë se 21 mijë vetëve, ku përfshihen informatorë dhe dizidentë të pretenduar, datojnë në mesin e viteve ‘50.
GJERMANIA
Pas ribashkimit, Gjermania kaloi një ligj në vitin 1991 për hapjen e arkivave të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, “Stasi”. Çdo shtetas ka të drejtën të inspektojë dosjet personale dhe të gjejë se deri në çfarë mase “Stasi” ka ndikuar në jetën e tij. Deri tani, më shumë se dy milionë njerëz i kanë inspektuar dosjet e tyre.
HUNGARIA
Në vitin 2003 një ligj u mundësoi qytetarëve hungarezë që të shikonin dosjet e tyre të hartuara nga policia sekrete e kohës së komunizmit, për t'u krijuar kështu mundësi viktimave që të shikonin se kush i kishte spiunuar. Vetëm informacionet që vlerësohet se prekin sigurinë kombëtare mbeten sekrete.
POLONIA
Në nëntor 2006, presidenti Lech Kaczynski firmosi një ligj të ri për hapjen e dosjeve të policisë sekrete që përmbanin informacione për diplomatë aktualë, ministra qeverie dhe anëtarë të parlamentit. Përpara këtij ligji, vetëm historianët dhe gazetarët kishin mundësi t'i shihin këto dosje, të cilat mbahen në Institutin Kombëtar të Përkujtimit (IPN) të ngritur në 1998 për të përndjekur krimet naziste dhe komuniste në Poloni. Dosjet janë bërë publike, por personat që tregohen se kanë bashkëpunuar kanë të drejtë të apelojnë në gjykata për të pastruar emrat e tyre.
RUMANIA
Në vitin 1999, qeveria ngriti një komision të posaçëm, Këshilli për Studimin e Arkivave të Sigurimit (CNSAS) për të studiuar miliona dokumente të policisë sekrete, “Securitate”. Në bazë të ligjit, CNSAS-s i kërkohet që të kërkojë mes dokumentave për shenja bahkëpunëtorësh në mesin e politikanëve dhe figurave të larta publike. Në vitin 2005, të gjitha arkivat e “Securitate”-s, u hapën për publikun, me përjashtim të atyre të kanë të bëjnë me çështje të sigurisë kombëtare. Mijëra vetë kanë mundur të zbulojnë nëse të afërmit apo fqinjët e tyre kanë qënë apo jo spiunë.
ISH-BASHKIMI SOVJETIK
Në ish-Bashkimin Sovjetik, me përjashtim të republikave balltike, tendenca ka qënë për t'i mbajtur të mbyllura këto arkiva të policisë sekrete sovjetike, KGB. Ish-oficerë të lartë të KGB-së janë në krye të politikës apo biznesit në Rusi. Nga vendet ballktike, Letonia votoi në mars 2007, për hapjen e arkivave që mbanin emrat e agjentëve të ish-KGB-së. Parlamenti i Lituanisë votoi në tetor 2006 për hapjen e arkivave specialë të qeverisë ku mbahen dosjet e KGB-së, që këto dosje të jenë të hapura pa kufizime për publikun.
ISH-JUGOSLLAVIA
Në vitin 2001, shtetasit serbë u lejuan për herë të parë që të shikonin dosjet sekrete të UDBA-s. Por shoqatat për të drejtat e njeriut kundërshtuan ndaj faktit se pasuesit e UDBA-s mund të ruanin kontrollin e dosjeve. Ata gjithashtu ishin dyshues se shumë dosje mund të jenë shkatërruar në ditët dhe javët që pasuan rrëzimin e Sllobodan Millosheviçit. Pjesa më e madhe e publikut në Serbi dhe Kroaci është e interesuar lidhur me dosjet e policisë sekrete në vitet pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Në nëntor 2001, Kroacia hapi dosjet e policisë sekrete të mbajtura nga qeveria e presidentit, Franjo Tudjman.
Në prill të vitit 2003, një faqe interneti e pautorizuar afishoi informacione për 1.5 milion individë në Slloveni, të marrë nga arkivat e UDBA-s. Qeveria u përpoq që të bllokonte hyrjen në këtë faqe.