Kryeministri: “Pasqyrë Albania” nuk duhet të fshehë gabimet e qeverisë, por të tregojë sa i shëmtuar është pushteti…
Kryeministri Rama Edi Rama foli sot në mbledhjen e qeverisë për rëndësinë e transparencës së institucioneve përmes platformës “Pasqyra Albania”.
Ai theksoi se ajo nuk duhet të shërbejë për të paraqitur një imazh të zbukuruar të qeverisë, por për të pasqyruar realitetin.
Sipas Ramës, çdo projekt i financuar nga taksat e qytetarëve duhet të jetë i dokumentuar qartë, duke treguar statusin dhe provat përkatëse, edhe kur bëhet fjalë për vonesa, pezullime apo anulime.
“Për çdo projekt ku shpenzohet një shumë, sado e vogël, nga taksat, gjithçka do të jetë në pasqyrë. Statusi i çështjes, qoftë kolektive apo individuale, nuk mund të jetë një dekor apo të mbetet thjesht “në proces”; duhet të japë më shumë të dhëna. Nëse është me vonesë, thuhet që po; nëse është i përfunduar, jepet prova; nëse është i pezulluar, jepet prova; nëse është i anuluar, jepet vendimi. Sepse një shtet që nuk mban mend çfarë ka thënë dje, nuk kërkon dot besim sot.
“Pasqyra Albania” nuk është një pasqyrë ku qeveria apo të tria pushtetet shfaqen bukur para qytetarit, por është një pasqyrë që qytetari e shikon siç është. Dhe duhet të përballet me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet, jo pasqyrën. Çfarë ka bërë, çfarë po bën, janë të gjitha barrë e pushtetit; nuk janë barrë as e pasqyrës, as e qytetarit.
Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse pasqyra nuk fsheh se sa shëmtuar mund të duket realiteti në një moment të caktuar.
Ka vlerë vetëm nëse qytetari mund ta përdorë pasqyrën kundër qeverisë. Nëse përdoret kundër qeverisë, atëherë funksionon. Dhe qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por të merret me veten. Dhe, nëse nuk e bën dot, duhet të hapë krahun. Se, përndryshe, nuk është pasqyrë, por billboard reklamash qeveritare.
Por transparenca kërkon përgjegjësi, dhe pa përgjegjshmëri transparenca është kronikë. Prandaj, arsyeja e pasqyrës është e pamjaftueshme pa arsyen e besës.
Busulla që orienton qasjen e çdo pushteti, sipas meje, por këtu flasim për shumicën qeverisëse, është besa. Dhe “besa” është një fjalë shumë e madhe dhe e bukur, por, përtej impaktit që ka fjala, për ne besa nuk është vetëm ajo; është edhe akronimi: Besim, Empati dhe Angazhim”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

