Kryeministri Rama: “Flamingot”, shembull i dezinformimit. Manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritmi
Kryeministri Edi Rama ka folur sot për rrezikun që paraqesin manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja në demokracitë moderne, duke theksuar se kërcënimet e sotme nuk vijnë më vetëm nga forca ushtarake, por edhe nga dezinformimi dhe sulmet hibride.
Rama ka folur në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, ku u ndal te sfidat që, sipas tij, po përballin vendet demokratike, veçanërisht ato që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Faleminderit që jeni këtu dhe veçanërisht për ata që udhëtuan për të qenë me ne këtu. Nuk jemi këtu për një shkëmbim të mirësjellë fjalimesh diplomatike, por jemi këtu për një ndërthurje mjaft të komplikuar në ambientin ku jetojmë. Në pamje të parë, kjo konferencë ka të bëjë me algoritmet dhe ekosistemet e informacionit, por në thelb ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore: me demokracinë, besimin e publikut dhe, më së fundmi, me faktin se shoqëritë e lira zotërojnë aftësinë për të mbrojtur ambientin ku jetojnë.
Për shumë shekuj, paraardhësit tanë e kanë bërë këtë duke ngritur gardhe fizike. Gjeografia e sigurisë kombëtare ka ndryshuar në mënyrë thelbësore. Fuqia nuk matet më vetëm me ushtrinë tradicionale dhe kjo është ajo ku shkon menjëherë biseda me aleatët tanë, në përpjekjen për ta bërë fuqinë ushtarake akoma më të fortë. Fuqia matet edhe me aftësinë për të ndryshuar perceptimin.
Më shumë se 3 mijë vite më parë, jo larg nga këtu, Homeri na ka treguar historinë e Trojës. Troja nuk ra prej ushtrisë së dobët apo mureve të brishta; ra sepse kërcënimi hyri i maskuar si diçka e pafajshme. Kali i Trojës ka treguar se rreziku më i madh rrallë është ai që mësyn në derë. Kemi ardhur në një moment ku e kemi humbur tërësisht, duke pranuar lirinë e shpërndarjes si një zgjatim të lirisë së fjalës.
Manipulimi dhe ndërhyrja e jashtme në informacion mbërrijnë si një video e falsifikuar, një link në WhatsApp apo në një mënyrë tjetër, nga një person që beson se po shpërndan një të vërtetë. Kjo është edhe arsyeja pse manipulimi është kaq efektiv. Thelbi është se nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend. Hidhni një sy se çfarë ndodh në Evropën e sotme.
Sulmet nuk nisin më me dikë që kapërcen kufijtë fizikë. Vetëm dy javë më parë, në një vend afër nesh, Rumania pësoi një sulm kibernetik masiv, që ngriu komplet Kadastrën dhe paralizoi shërbimet publike. Disa muaj më parë, i njëjti vend u përball me një sulm për të manipuluar zgjedhjet. Këto nuk janë të rastësishme dhe vijnë nga i njëjti model.
Sot jam krenar të them se, edhe pse jemi sulmuar në mënyrë agresive, kemi ndërtuar një nga mbrojtjet më të forta kibernetike në Evropë. Por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse mendjet e qytetarëve tanë janë të pambrojtura, janë të ekspozuara ndaj manipulimit sa herë hapin telefonat. Demokracia ka të bëjë me përballjen me këto çarje në mënyrë të hapur.
Është kjo hapje që përbën cenueshmërinë e saj ndaj armiqve të demokracisë, të cilët gjejnë të çara për të hyrë, si Kali i Trojës. Jeni të informuar për Revolucionin e Flamingove, që është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarjeje të krijuar, që u bë një mënyrë për të hyrë për armiqtë tanë, duke bërë një operacion të madh trollësh dhe avatarësh. Është momenti të forcojmë rezistencën ndaj kërcënimeve hibride. Sjell në vëmendje hartën e vendeve që janë në proces për t’iu bashkuar BE-së.
Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia. Sa më pranë BE-së afrohet një vend, aq më shumë bëhet shënjestër e këtyre sulmeve. Ne jemi në pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata të orientuara sulmesh hibride dhe jemi detyruar të ndërhyjmë dhe të përshtatemi shpejt. Historia do të na kujtojë si një brez që u desh të vendoste nëse e vërteta duhej të mbetej më e fortë se manipulimi digjital. Zgjedhja është shumë e vështirë, sepse ne duhet të mbetemi demokraci.
Kjo e fundit ofron më shumë terren për armiqtë e saj dhe kjo e bën të vështirë zgjedhjen. Në Shqipëri kemi një thënie: “Sa të veshë e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës.” Imagjino sa xhiro ka bërë gënjeshtra në ditët e sotme, sa të veshë e vërteta pantallonat. E drejta për të shpërndarë çdo gënjeshtër nuk është saktësisht e drejta e fjalës. Kjo është edhe arsyeja pse kemi ftuar njerëz kaq të ditur, për të gjetur zgjidhje. Faleminderit për mundimin dhe shpresoj të mos kem qenë i mërzitshëm”, u shpreh Rama.
KOHA JONË SONDAZH

