Kryeministri Rama gjatë podkastit “Flasim”: Lahuta në UNESCO, promovim i identitetit kombëtar e kulturor
Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente.
Një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është tashmë pasuri botërore.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot, gjatë podkastit “Flasim”, se “ky është një nga sukseset më domethënëse të Ministrisë sonë të Kulturës e Turizmit, në mbrojtjen e promovimin e identitetit tonë kombëtar e kulturor”.
Rama tha se arti i prodhimit te lahutës, i të luajturit e të kënduarit me të, është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore Jomateriale të UNESCO-s, në listën që kërkon mbrojtje urgjente.
Kryeministri kujtoi se dosja e përgatitur sipas standardeve më të larta të UNESCO-s u dorëzua në mars 2024, ndërsa falënderoi për punën të gjitha ata, që u përfshinë me pasion në këtë proces.
Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.
KOHA JONË SONDAZH

