Kryeministri Rama, kritika kryebashkiakëve për paketën e maleve
Kryeministri Edi Rama është treguar kritik ndaj kryebashkiakëve për Paketën e Maleve. Gjatë një aktiviteti kryeministri u kërkoi atyre që të dorëzojnë sa më shpejt hartat e zonave prioritare.
Rama e nisi fillimisht me kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, më pas i vijoi kritikat me Juliana Memën, Albert Halilajn, Majlinda Bufin, Gëzim Topçiun dhe Klement Ndonin.
Rama iu drejtua kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj: Më dëgjon ti kryetari i Bashkisë së Kukësit? Ti më dëgjon por nuk di a më kupton sepse një nga shtysat kryesore për Paketën ishin kuksjanët sepse interesi për të investuar është i lartë prej aty që jetojnë jashtë.
Ka 5 muaj që i ke në dispozicion të gjithë instrumentet dhe ende nuk ke sjellë hartën që është fare e thjeshtë nuk ka shkencë. Hiq qytetin dhe i gjithë territori përveç zonave të mbrojtura është brenda kësaj pakete.
Ndërsa krybashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdarit e akuzoi se nuk e ka kuptuar ligjin për Paketën e Maleve.
Rama: Ça të ka penguar ty Kreshnik që të bësh hartën dhe t’i sjellësh.
Hajdari: E kam dërguar
Rama: Ku e ke dorëzuar?
Hajdari: I kemi shpallur zonat prioritare zoti kryeministër.
Rama: Ku i ke çuar? I çon te ministri i qeverisjes vendore.
Hajdari: Jemi duke pritur përgjigje nga ASHK-ja.
Rama: Nëse pret përgjigje nga ASHK-ja, s’ke kuptuar ligjin.
Kritika edhe për kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiun
Rama: O Gëzim po ti si më zhgënjeve sot. Ti je legjenda e pushtetit vendor sa mandate ke 7 apo 8.
Topçiu: Në fakt dhe ne kemi punuar që aplikimet janë bërë. Jemi duke përpiluar hartën. Nuk është për t’u justifikuar por do ta bëjmë.
Kryeministri Rama ka kritikuar gjithashtu dhe bashkinë e Pogradecit
“Nuk po flas për Pogradecin se është i zënë me territoret e antikitetit të thellë. Tani në fund na doli që të gjithë fermerët e Evropës origjinën e punës e kanë pasur në Pogradec. Ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec, tani duhet të kesh investime në këtë drejtim”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

