Kryeministri Rama: Po mbledhim shqetësimet e protestuesve për të reflektuar mbi mangësitë dhe boshllëqet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria po dëgjon shqetësimet e protestuesve paqësorë për të ndërtuar një reflektim mbi të metat, gabimet dhe boshllëqet e punës së saj.
Në videomesazhin lidhur me koncertin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga reperi me famë botërore Kanye West, Rama tha se “angazhohen tufa sorrash dhe laraskash për të më akuzuar mua se po sulmoj popullin që paska dalë në shesh, se po shaj rininë që qenka zgjuar, se po akuzoj emigrantët që po kërkokan llogari. Por, jo, absolutisht jo! Unë e kam bërë që në krye të herës dhe në çdo herë që kam folur dallimin e ditës së flamingos me natën e korbit dhe të sorrës”.
“Kurrë nuk i kam paragjykuar ata qytetarë që dolën në protestë paqësisht me bindjen se duan një Shqipëri më të mirë. Të gjithë ata të rinj e të reja që dolën në protestë me bindjen se duan një mjedis më të mbrojtur; ata familjarë që dolën në protestë për një shëndetësi më cilësore; ata prindër që dolën në protestë sepse duan një arsim më të mirë; ata burra dhe gra që dolën në protestë se duan një administratë më njerëzore dhe kurrë nuk mund t’i paragjykoj njerëzit në përgjithësi që duan një shtet më të drejtë në tërësinë e vet. Sepse edhe unë dua pikërisht të njëjtat gjëra”, tha Rama.
Sipas Ramës, përparimi i një vendi shoqërohet edhe me rritjen e pritshmërive të qytetarëve.
“Kur një vend përparon, pritshmëritë e njerëzve rriten më shpejt sesa vetë ritmi i përparimit. Rrugët më të mira i bëjnë gropat e mbetura më të padurueshme. Lufta frontale me korrupsionin që nuk ka ndodhur kurrë më parë e bën korrupsionin ende më të padurueshëm. Shërbimet më të shpejta si asnjëherë më parë 95% online e bëjnë çdo shërbim të prapambetur ende më të patolerueshëm. Kjo nuk është shenjë dështimi, është shenja më e qartë, më e sigurt, më kuptimplotë se shoqëria kërkon gjithnjë e më shumë dhe detyra jonë nuk është që t’i ulim pritshmëritë e qytetarëve, as t’i shohim pakënaqësitë e tyre si kundërshti ndaj nesh, por të ngushtojmë çdo ditë hendekun mes asaj që kemi arritur dhe asaj që ata me të drejtë presin nga ne”, theksoi Rama.
Prandaj, tha kreu i qeverisë, “po dëgjojmë me shumë vëmendje. Një grup i ngritur enkas qysh në ditët e para po mbledh çdo shqetësim dhe po përpiqemi të ndërtojmë një reflektim mbi të metat, gabimet, boshllëqet tona dhe pastaj sigurisht hap pas hapi do t’i komunikojmë ato me të gjithë ata njerëz të zakonshëm dhe të ndershëm të këtij vendi që kërkojnë që rrugëtimi ynë drejt shtëpisë europiane të jetë më i shpejtë dhe që Shqipëria të bëhet më shpejt ajo që ata duan, por jo vetëm duan, por dhe meritojnë”.
KOHA JONË SONDAZH

