Kryeministri Rama: Shqipëria tejkalon standardin e NATO-s për buxhetin e mbrojtjes këtë vit
Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve, duke arritur mbi 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përputhet me ose tejkalon pragun standard të përcaktuar nga NATO për vendet anëtare.
Kryeministri Edi Rama bëri këtë deklaratë gjatë podkastit “Flasim”, ndërsa renditi disa nga zhvillimet kryesore të javës, përfshirë edhe njoftimet për buxhetin e mbrojtjes nga ministri Pirro Vengu.
Sipas Ramës, ky nivel shpenzimesh nuk është thjesht një shifër mbi pragun, por tregon një qasje proaktive ndaj detyrimeve të vendit, jo vetëm në arenën ndërkombëtare, por edhe në zhvillimin e një industrie të re të mbrojtjes.
“Ministri i Mbrojtjes bëri me dije gjatë konferencës këtë javë se buxheti i vitit 2026 për mbrojtjen ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve, duke arritur mbi 2% të PBB-së, pra mbi pragun standard të NATO-s, që është i detyrueshëm për të gjitha vendet anëtare”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se ky nivel i shpenzimeve tregon një qasje proaktive edhe për zhvillimin e një industrie vendore të mbrojtjes.
Kryeministri theksoi se buxheti i vitit 2026 përfaqëson investimin më serioz historikisht në sektorin e mbrojtjes dhe shënon fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, e cila synon ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe industriale në vend.
“Ky është buxheti më i madh historikisht në mbrojtje. Struktura e financimit dhe përmasat e tij tregojnë fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet vetëm në blerje pajisjesh apo modernizim, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend. Kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, investime në prodhim për nevoja të brendshme dhe eksport, transferim teknologjie, mirëmbajtje dhe, në fund, me mundësinë që tashmë kemi krijuar për të adresuar këto sfida”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi: “Është një Shqipëri tjetër, me fuqi të reja për të bërë të mundur që sektori i mbrojtjes jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë. Duke fituar dhe riinvestuar, rriten mundësitë për punësim cilësor dhe të mirëpaguar.”
KOHA JONË SONDAZH

