Kryeministri: Transformimi i Pallatit të Kongreseve krijon tjetër pol turistik në kryeqytet
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Konkursin Ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve.
Kryeministri u shpreh se ndërtesa ka probleme serioze, por do të transformohet duke ruajtur identitetin e saj dhe duke u kthyer në një pikë strategjike të turizmit.
“Dua vetëm të falënderoj të gjitha studiot pjesëmarrëse. Ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme. Nuk ka qenë e lehtë të zgjidheshin 5 finalistët. Dua të falënderoj edhe Korporatën Shqiptare të Investimeve.
Sot, bashkë me këtë konkurs, kemi realizuar 15 konkurse ndërkombëtare. Gjithashtu, kemi 3 konkurse të tjera në përgatitje. Të gjitha janë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, jo vetëm për sa i përket pjesëmarrjes së arkitektëve më të njohur dhe përbërjes së jurive ndërkombëtare, por edhe procedurave të ndjekura.
Aktualisht janë 12 kontrata të lidhura, 7 në proces dhe 3 masterplane. Janë 20 objekte publike në zhvillim. I gjithë thelbi i aktivitetit të Korporatës Shqiptare të Investimeve është që, duke vënë në dispozicion prona shtetërore që kanë nevojë për zhvillim, të sigurojë përfitime të larta financiare në funksion të interesit publik.
Përfitimi i korporatës nga kjo fazë e parë është vlerësuar në 523 milionë euro, si përfitim i drejtpërdrejtë për shtetin. Ndërsa përfitimi ekonomik i kontraktuar tejkalon 1 miliard euro.
Edhe sot kemi një numër hapësirash që merren me qira dhe për të cilat paguhen pronarë privatë. Këtu po ndodh një ndryshim i rëndësishëm në favor të shtetit, si zotërues i aseteve, si dhe një transformim i strukturës urbane.
Pallati i Kongreseve është, ashtu siç e thatë edhe ju, një ndërtesë me probleme serioze. Ka ardhur koha për një transformim që ruan identitetin e saj. Thirrja për projektin përfshin edhe zhvillimin e një objekti pranë Pallatit të Kongreseve.
Qëllimi është që ky pallat të modernizohet nga pikëpamja teknologjike, të përmirësohet cilësia e hapësirave dhe e gjithë struktura të riorganizohet. Po ashtu, synohet që Pallati i Kongreseve dhe zona përreth të kthehen në një destinacion të ri të Tiranës turistike dhe të kryeqytetit në përgjithësi, duke krijuar më shumë jetë urbane, ashtu siç ndodhi në zonën përreth stadiumit”, u shpreh Rama.
KOHA JONË SONDAZH

