Kryeparlamentari Peleshi në Forumin e Sigurisë në Kongresin Amerikan: Shqipëria në krah të SHBA-së për sigurinë, stabilitetin dhe paqen

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mori pjesë sot në Forumin për Sigurinë të organizuar nga Kongresi amerikan, ku mbajti një fjalë mbi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje.

Në fokus të diskutimeve ishin çështjet e sigurisë në kontekstin global e rajonal, sfidat e reja gjeopolitike dhe bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me qëndrimet dhe prioritetet strategjike të SHBA-së dhe NATO-s. Gjatë fjalës së tij, Kryetari Peleshi theksoi se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA dhe një anëtare e denjë dhe aktive e NATO-s, e cila është e vetëdijshme dhe mban mbi supe barrën e saj të sigurisë.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka rritur investimet në mbrojtje në 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një trajektore të qëndrueshme rritjeje në vitet në vijim, në përputhje me angazhimet e aleatëve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurisë kolektive. Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se partneriteti Shqipëri-SHBA nuk është transaksional, por strategjik, afatgjatë dhe i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai theksoi rolin aktiv të Shqipërisë si partnere operative, kontributin në misione ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e modernizimit të forcave të armatosura dhe sigurisë kibernetike. Në fjalën e tij, Peleshi vuri theksin edhe te rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, çka kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe koordinim të ngushtë me aleatët. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Swiss Digital Mobile Reklama

Forumi mblodhi drejtues komisionesh të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, senatorë e kongresmenë, përfaqësues të lartë të sigurisë, parlamentarë dhe qeveritarë nga vendet e Europës dhe të rajonit si dhe personalitete të larta ushtarake të SHBA-së etj. Në përfundim, Peleshi ritheksoi se Shqipëria nuk kërkon përfitime pa kontribut, por synon të forcojë partneritetet strategjike mbi bazën e përgjegjësisë, besueshmërisë dhe veprimit konkret, duke e konsideruar sigurinë një investim thelbësor për paqen dhe stabilitetin afatgjatë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?