Kthesa – 40 vite pas rrëmbimit të Hanns Martin Schleyer
Rrëmbimi dhe vrasja e presidentit të Shoqatës gjermane të Punëdhënësve, Hanns Martin Schleyer para 40 vitesh shënoi një pikë kthese për RFGJ-në. Drama për vrasjen e Schleyerit e prek Gjermaninë edhe sot.
Imazhi është pjesë e ikonografisë së Republikës së atëhershme Federale të Gjermanisë, në vitin 1977 ende e re. Helmut Schmidt (SPD), kancelari gjerman përulet me drojë para Waltrude Schleyer. Bashkëshorti i saj, Hanns Martin Schleyer, ishte vrarë pak ditë më parë. Një ekzekutim i vërtetë me plumb në kokë nga terroristët e RAF-it, (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe) të komandos “Siegfried Hausner”. Prej disa javësh, Schleyer ishte rrëmbyer. Në këmbim të tij terroristët e RAF-it donin lirimin e 11 terroristëve nga burgu i sigurisë së lartë, Stammheim, Stuttgart.
Por kancelari gjerman e kishte mohuar që në fillim në mënyrë kategorike: Asnjë këmbim të terroristëve të RAF-it me Schleyerin. Në këtë pikë qeveria dhe opozita gjermane ishin të një mendimi. Ish kancelari Willy Brandt, kreu i unionit, Helmut Kohl dhe ministri i Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher. Kjo për arsye shtetërore: Shteti ligjor nuk përkulet para terroristëve, ky ishte konsesusi politik. Rrëmbimi i Schleyerit ishte fillimi një kohe që në kronikën historike gjermane ka hyrë si “vjeshta gjermane.”
Kush ishte Schleyer?
Schleyer si presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve, nga perspektiva e RAF-it përfaqësonte shtetin e urryer kapitalist. Për shkak se ai kishte qenë anëtar i SS-ve në kohën e nazizmit, njësia elitë, përgjegjëse edhe për mizoritë naziste, Schleyer shërbente për terroristët edhe si shembull për tezën e tyre të vazhdimësisë së pandërprerë të shtetit nacional-socialist me Republikën Federale.
Por Schleyer nuk ishte viktima e parë e RAF-it. Në prill të vitit 1977, ky grup terrorist kishte qëlluar për vdekje, Prokurorin e Përgjithshëm gjerman, Siegfried Buback, në korrik u vra bankieri frankfurtas Jürgen Ponto. Por me rrëmbimin e Schleyerit më 5 shtator, terrorizmi i RAF-it mori një dimensioni të ri. Në thelb shtrohej pyetja: A mund të lejojë shteti që t’i bëhet shantazh?
Shkallëzim maksimal: Rrëmbimi i “Landshut”
Përgjigjja ishte e shpejtë: Në orën 17:29 terroristët rrëmbejnë Hanns Martin Schleyer në Köln duke vrarë edhe tre policë e shoferin e presidentit të shoqatës së punëdhënësve. Në orën 23:00 në zyrën kancelarore është e qartë: nuk ka këmbim të Schleyerit me të burgosurit e RAF-it. Fillojnë javë të një lufte nervash. Për një kohë nuk ndodh asgjë, pastaj kancelari i drejtohet me një fjalim gjermanëve, por edhe RAF-it. Terrorizmi nuk ka asnjë shans, në plan afatgjatë thotë Schmidt.
Shteti reagon. Miratohet ashpërsimi i ligjeve të sigurisë me shpejtësi. Por rrëmbyesit rrisin presionin. Më 13 tetor rrëmbehet edhe një avion i Lufthansës, “Landshut” me 86 turistë gjermanë e 5 të ekuipazhit nga Mallorca në drejtim të Frankfurtit. Schleyer kishte 6 javë si peng i RAF-it. Përmes videos ai dërgon një mesazh: “Pyes veten në këtë situatë-nëse duhet të ndodhë edhe më që në Bonn të merret një vendim?”
Ora e GSG 9
Katër terroristë të PLFP, Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës rrëmbejnë avionin. Ky aksion konsiderohet një nga aksionet e para të koordinuara të grupimeve terroriste ndërkombëtare. Qeveria përpiqet të fitojë kohë, të marrë kontakt me rrëmbyesit. Por drejtuesi i grupit reagon në mënyrë agresive. “Nuk dua të flas me ty!” “Zhduku, fuck off!”
Rrëmbimi merr fund më 18. Oktober. Falë një personi, i përgatitur prej kohësh për një mision të tillë: Ulrich Wegener, kreu i njësisë elitë gjermane, GSG 9. Njësia elitë sulmon avionin e Lufthansës në Mogadishu. Asnjë nga pasagjerët nuk lëndohet, tre nga katër terroristët eliminohen.
Familja e Schleyerit shkon në gjyq – më kot
Tema e avionit “Landshut” e largon vëmendjen nga rrëmbimi i Hanns Martin Schleyerit, që kishte javë në duart e rrëmbyesve. Familja bën të pamundurën për lirimin e tij, madje edhe para Gjykatës Kushtetuese, që në 16 tetor nuk pranon të detyrojë qeverinë gjermane të lirojë Schleyerin në këmbim të terroristëve.
Gjykatësit duhej të merreshin me një çështje të patrajtuar më parë: A mund të peshohet një jetë kundrejt një tjetre? Vendimi i gjykatësve ishte si një lloj vendimi me vdekje edhe për Schleyerin. Shteti nuk ka vetëm detyrim mbrojtjen e një individi, por edhe detyrimin e mbrojtjes së bashkësisë qytetare. Madje familja pengohet edhe të paguajë 15 milionë marka gjermane për lirimin e Schleyrit- një dramë për Waltrude Schleyer dhe fëmijët.
Edhe aksioni i lirimit të “Landshut” e vulos fatin e Schleyrit. Më 19 tetor, një ditë më pas, presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë gjendet i ekzekutuar në bagazhin e një automjeti. Për familjen është e qartë: Ai u bë viktimë e “arsyes së ftohtë të shtetit”.
Schmidt ndjehej fajtor gjithë jetën
Lajmi për lirimin e avionit në Mogadishu arriti edhe në burgun e Stammheimit. Tre krerët drejues të RAF-it marrin vendimin e fundit- vetëvrasje.
Helmut Schmidt pranon më vonë se ndjehej bashkëfajtor për vdekjen e Hanns Martin Schleyerit. Megjithatë ai e mbrojti vendimin e tij. Në vitin 2013 ai merr çmimin “Hanns Martin-Schleyer”, një shenjë afrimi mes familjes dhe ish-kancelarit. “Teorikisht”, shprehet Schmidt në fjalën e tij “mund të kishim hyrë në negociata lidhur me ofertën e këmbimit të RAF-it”./DW