Kthimi në Kuvend, PS batuta dhe humor me PD
Kthimi pas gati 6 muajsh i deputetëve të Partisë Demokratike në Kuvend, veç tensioneve të negociatave, ka pasur dhe humor dhe batuta mes deputetëve. I pari që është shfaqur në Kuvend ka qenë deputeti Dashamir Shehi, i cili hyri në sallë kur ende nuk ishte marrë një vendim zyrtar për thyerjen e bojkotit. Kanë qenë deputetët e majtë ata që e kanë përshëndetur Shehin, por edhe duke i kujtuar me humor se “hyri në Kuvend, por doli përfundimisht nga PD-ja”. Pas marrjes së vendimit nga grupi i PD-së, deputetët janë nisur nga selia blu drejt Kuvendit. E para që mbërriti në sallë ishte Jozefina Topalli. Socialistët e shoqëruan hyrjen e opozitarëve edhe me batuta nga vendi, si ajo për shprehjen e mallit nga mungesa e gjatë e opozitës në sallë. Ndërkohë ironitë nuk kanë munguar dhe në deklaratat publike. “Për mua do të kishte qenë e pafalshme që të digjej mandati i Sali Berishës, megjithëse do të kishim marrë një iniciativë të jashtëzakonshme ku të miratonim pension të veçantë për një pension të qetë”,- u shpreh dje deputeti i PS-së, Taulant Balla, i cili ishte dhe një nga negociatorët e hartimit të rezolutës që u votua dje në Kuvend. Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle ka ironizuar me një poezi rikthimin e opozitës në Kuvend. Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Dokle ka zgjedhur ta përshëndes kthimin e PD-së në Kuvend me vargje. “Ora 10 në parlament. Më në fund erdhi sahati,/Opozita në Kuvend,/Qeverisë i hik rehati:/“Vijnë me mend apo pa mend?!”, shprehet Dokle. Ndërsa deputetit tjetër, Erjon Braçe ka qenë më i ashpër në qëndrimet e tij, duke u shprehur se marrëveshje shpëtoi PD-në nga përçarja. Në një postim në “Facebook”, ai shkruan se asgjë nuk ka ndodhur. Ai thotë se nuk kemi dhënë asgjë nga mandati që na ka dhënë populli. “Kemi shkruar në një letër vetëm atë që kemi bërë deri tani, për çdo ligj që kërkon shumicë të cilësuar kemi kërkuar bashkëpunimin e opozitës. Kjo marrëveshje shpëtoi mandatet e tyre. Madje dhe shpëtoi Partinë e tyre që për pak do ishte për të disatën herë kashtë dhe ko..”.
Rezoluta e miratuar dje në Kuvend
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, duke falënderuar Parlamentin Europian, grupet më të mëdha politike të tij, PPE (Partia Popullore Europiane) dhe S&D (Socialistët dhe Demokratët) dhe përfaqësuesit e tyre respektivë për mbështetjen e vazhdueshme të kësaj marrëveshjeje politike; duke njohur faktin se vendi ynë ka nevojë për dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës qeverisëse në mënyrë që të përmbushen ambiciet europiane të qytetarëve të vendit; duke nënvizuar faktin se ka një përgjegjësi të përbashkët nga të dyja palët për krijimin e kushteve dhe për të siguruar që një dialog i tillë mes partive të zhvillohet pikësëpari në parlament;
Bien dakord lidhur me:
• Rikthimin e opozitës në Kuvend dhe përfshirjen e saj të plotë në jetën parlamentare duke hequr dorë nga bojkoti i Kuvendit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5) për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur;
• Të gjitha partitë do të kontribuojnë për dialogun politik i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend, si dhe për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shumica qeverisëse dhe opozita angazhohen për rishikimin e rregullave në drejtim të funksionimit efiçent të komisioneve hetimore parlamentare, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare;
• Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias.
Procesi i ndryshimeve legjislative që do të burojnë nga kjo marrëveshje do të nisë në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar dhe do të përmbushet brenda datës 30 qershor 2015.