Ku dhe me kë e kaluan Natën e Ndërrimit të Viteve politikanët shqiptarë
Nga Albina Gjergji
Kemi hyrë në një vit të ri dhe deri tani kemi shfletuar vetëm 4 faqet e para të 365 ditëshit të 2015-ës. Me dëshirën dhe urimin për mbarësi e shëndet në familjet shqiptare kemi nisur kështu një kapitull të ri, i cili nga politikanët tanë – veçanërisht të mazhorancës – premton Erën e Ndryshimeve në vendin tonë. Të ndryshimeve mbase jo kolosale, por nga ato ndryshime thelbësore që mund të bëjnë diferencën për një jetë më të mirë nga vitet që lamë pas. Sigurisht ka edhe nga ata politikanë skeptikë, të cilët parashikojnë një 2015-të të vështirë ekonomikisht e sipas të cilëve cdo familjeje shqiptare do t’u duhet të “shtërngojë rripat”.
Megjithatë, pavarësisht bindjeve politike, pikave ku ndahen e ku bashkohen mazhoranca dhe Opozita, diçka është e sigurtë, të Majtë e të Djathtë në Natën e Ndërimit të Viteve u janë bashkuar miliona urimeve adresuar familjarëve të tyre dhe gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Cilët janë këto urime dhe ku e pritën ata Vitin e Ri? Mimi Kodheli, Mesila Doda, Petro Koçi, Albina Deda Gjoni, Majlinda Bregu, Eron Braçe, Petrit Vasili, Grida Duma, Mesila Doda, Kastriot Islami dhe Taulant Balla shprehen për “Koha Jonë”…
Mimi Kodheli
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka preferuar që këtë Fundvit ta presë në shtëpinë e saj me familjen, ndërsa nuk harron që në urimin e saj për shqiptarët, të veçojë edhe një për gazetarët.“Unë kam festuar pranë familjes sime, bashkë me djalin, tim shoq, mamanë, motrën nipat. Uroj që shqiptarët të gëzojnë më shumë qetësi, punë, shëndet, e respekt për veten dhe ambientin që i rrethon. Vit të mbarë edhe për ju gazetarët”, shprehet ministrja Kodheli, e cila si pak kolegë të saj të Majtë, duket se gëzon vlerësime për punën jo vetëm nga mbështetësit e majtë, por edhe nga opozitarët.
Bamir Topi
Shtëpia mbetet një nga strehat më të dashura edhe për politikanët tanë. Edhe ish Presidenti Bamir Topi, aktualisht kryetar i Partisë, Fryma e Re Demokratike natën e ndërrimit të viteve e ka pritur në shtëpinë e tij bashkë me familjen. “Kam festuar në shtëpnë time në Tiranë, sepse kështu e kam kaluar gjithmonë Vitin e Ri”, tregon Topi, ndërsa jep një mesazh ndryshe dhe mjaft domethënës për gjithë shqiptarët. “Sa u takon urimeve, së pari i uroj të gjithëve të kenë një vit të shëndetshëm, sepse pa shëndetin asgjë nuk ndërtohet. E dyta, meqenëse këto komunikimet mes politikanëve dhe gazetarëve janë më të shpeshta do të uroja dhe këshilloja njëkohësisht, të gjithë ata që e respektojnë fjalën time që; Njerëzit duhet të fillojnë të shkëputen nga varësia e politikës, sepse duhet të kuptojmë që, po nuk e ndërtuam vetë këtë raport as politika nuk e bën. Meqë e kam parë nga afër këtë aspekt, pra politikën kam arritur të kuptoj që marrëdhënia midis politikanëve dhe shqiptarëve ka qenë e mbushur shpesh me nota hipokrizie, që do të thotë se mesazhet e dhëna në shumicën e rasteve nuk u mbajtën, por u bënë për të tërhequr njerëz për në kutinë e votimit”, përfundon ai.
Mesila Doda
Edhe Deputetja e Partisë Demokratike, zë i fuqishëm i kësaj force politike ka festuar me familjen e saj në Tiranë “Unë si gjithmonë kam festuar në shtëpi me familjen”, shprehet për “Koha Jonë” Doda e cila uron shqiptarët për një 2015-të të shëndetshëm, si dhe ngushëllim për të hidhëruarit. “Ju uroj një vit të lumtur 2015! Shëndet e jetë në shtëpite tuaja, paqe e dashuri në zemrat e shqetësuara, ngushëllim për hidhërimet, mbarësi për familjet tuaja. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë. Pax et Bonum”!
Petro Koçi
Temperaturat e ulëta duket se e kanë penguar për të dalë e pritur jashtë Vitin e Ri kryetarin e Partisë Socialiste të Vërtetë, Petro Koçi, i cili pasi tregon se e ka pritur orën 12:00 në shtëpinë e tij, shton se moti i ftohtë është bërë pengesë për njerëzit që të dalin e festojnë jashtë. “Unë e festova në shtëpi me familjen. Ka qenë një ndërrim motftohtë vitesh dhe kjo ndikoi për të frenuar daljet e njerëzve jashtë për të festuar. Ju uroj një vit të bukur”, shprehet Petro Koçi!
Albina Deda Gjoni
“Ndërrimin e viteve ne e festuam në shtëpi. Familja ime përbëhet nga tre fëmijët, dy vajzat Alisa e Ada dhe djali Xhoni, nëna e bashkëshortit dhe ne të dy”, tregon për gazetën “Koha Jonë” deputetja e Patisë Demokratike, Albina Gjoni. “Shkëmbyem mesazhe të shumta me miqtë, kolegët dhe të afermit tanë. Mbas orës 12 vajzat me shoqërinë e tyre festuan në një lokal këtu në Rrëshen. Me datë 1 vijuam me vizita, një kafe me miqtë e mi në Rrëshen, pastaj tek motra e bashkëshortit në Tiranë dhe pastaj në darkë tek prindërit e mi në Ndërfushas afër Rrëshenit. Shumica preferojnë lokalet, kishim dhe ftesa të shumta këtu dhe jashtë vendit, por duke parë gjendjen ekonomike të rënduar të banorëve të zonës sime, ku shumë familje janë në mjerim e varfëri dhe shumica e komunave në errësirë, nuk më dukej normale të festoja në lokal dhe në kontrast me këtë realitet, pavarësisht se ishin ditë festash jam munduar që disa familje t’i ndihmoj bashkë me miqtë dhe kolegët e PD dhe Forumit Rinor, por e përgjithshmja i takon shtetit që tashmë me politikat e tij i ka braktisur qytetarët”.
Majlinda Bregu
Duke ju uruar të gjithëve një Vit të Ri mbushur me buzagaz e shëndet, deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu shprehet për “Koha Jonë” që Natën e Ndërrimit të Viteve ka zgjedhur ta kalojë në shtëpi. “Në shtëpi. Me të afermit pranë e me ata që s’ishin pranë në zemër. Paçi një Vit të Ri me shëndet, sa më shumë ditë buzagaz, ëndrra të mundura për më bukuri e urtësi për të dalluar se asgjë nuk ndodh rastësisht…”!
Erjon Braçe
Deputeti fjalëshumë në Facebook e fjalëpak në prononcime për mediat, Erjon Braçe për gazetën “Koha Jonë” tregon se datën 1 janar 2015 e ka pritur në të dashurën shtëpi me prindërit e tij. “Datën 1 janar 2015 e kam pritur në shtëpine time, bashkë me prindërit”, tregon ai, ndërsa urimin nuk preferon ta bëjë publik në gazetë, por duke shfrytëzuar hapësirën e tij në rrjetet sociale, ku ndjehet edhe më komod për t’u shprehur dhe uruar!
Shpëtim Idrizi
Shpëtim Idrizi është një nga politikanët që i pëlqen të respektojë traditën e kështu edhe ai nuk bën përjashtim për festën e Vitit të Ri, të cilën e ka kaluar me familjarët e tij në shtëpi. "Vitin e ri e kalova në shtëpi me familjen dhe prindërit, tradicionalisht e festoj kështu. Urimi për Shqiptarët? Ok. Ju uroj një vit të mbare e të bardhë. Më shumë dashuri, respekt e mirëkuptim me njëri-tjetrin”!
Grida Duma
Ish zv/ministrja e Integrimit, sot koordinatore për marrëdheniet me publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma e ka pritur në të ëmblën shtëpi Ndërrimin e Viteve bashkë me të birin dhe bashkëshortin. “Viti i ri ishte i plotë dhe i qetë në shtëpi. Festuam thjesht, unë djali dhe Iliri, pas kësaj, më datë 1 e në ditët më pas kemi takuar miq të afërm, si dhe familjen e afërt për drekë. Gëzuar 2015 miq! Uroj thellësisht t’i gëzohemi gjithçkaje që na ka falur Zoti, t’i gëzohemi asaj çka kemi ngritur me sakrifica dhe shpirt. Uroj të na bekohet më shumë forcë për të përballuar vështirësitë e kohës sonë”, mbyll prononcimin e saj Grida Duma!
Petrit Vasili
Sekretari i përgjitshëm i LSI-së, Petrit Vasili gjithashtu ka festuar në Tiranë me familjen e tij. “Kam festuar në Tiranë, domethënë në shtëpi me familjen time. Urimi im për këtë vit shkon për të gjithë shqiptaret, që të kenë një 2015-të sa më të qetë, me sa shumë lajme të mira dhe pa konflikte, shprehet Vasili.
Kastriot Islami
Për deputetin e Partisë Demokratike, Kastriot Islami në 2015, Shqipëria do të gjendet në udhëkryq, ku e presin vendime të vështira e të rëndësishme. “Viti i ri ka mbetur një festë familjare. Edhe ky vit nuk bëri asnjë ndryshim. Natyrisht deri në orën 12.00, sepse pas kësaj ore fëmijtë dalin me shoqëritë e tyre. Babai qëndroi deri në orën 12.00 dhe më vonë u shtri, ndërkohë që nëna qëndroi në shtrat ku ndodhet prej disa vitesh”, tregon për Koha Jonë Islami, i cili edhe pse skeptik mbi përmirësimin ekonomik të vendit jep një urim të sinqertë për shqiptarët. “Uroj të jetë një vit më i mirë për të gjithë shqiptarët, por personalisht jam skeptik. Ekonomikisht situata duket më vështirë dhe cdo familjeje do t’i duhet të shtërngojë më shumë rripin dhe të mbajë mbi kurriz një borxh më të lartë. Kurse politikisht është në udhëkryq. Beteja e ardhshme elektorale, ose do të jetë një përballje e oligarkisë (banditizmit) me oligarkinë (banditizmin) dhe në 2017 politikën, pra edhe çdo aspekt të jetës së vendit do ta dominojë e kontrollojë, qoftë edhe në mënyrë të maskuar e të sofistikuar, “korrupsioni, oligarkia, banditizmi”. Ose do të jetë një përplasje midis oligarkisë (banditizmit) me demokracinë (protestat popullore) dhe në këtë rast do të kishte një shans për diçka positive, nëse në këtë përballje “oligarkia, banditizmi” do të merrnin goditje. Prandaj gjykoj se 2015, do të jetë një vit i vështirë e plot të paprituara, një vit i vendimeve të rëndësishme e me pasoja në të ardhmen e vendit.
Taulant Balla
Siç edhe shihet nga prononcimet, Nata e Ndërrimit të Viteve i ka “mbledhur” në shtëpitë e tyre deputetët tanë e kalimin e 2014-ës në 2015-ën e kanë pritur pothuajse të gjithë me më të dashurit e zemrës. Po kështu edhe deputeti nga Librazhdi, Taulant Balla, i cili ka udhëtuar nga Tirana për në vendlindjen e tij për të festuar me familjarët. “Po. Kam udhëtuar drejt vendit tim, në Librazhd për të festuar me prindërit. Gëzuar gjithë shqiptarëve”!