Ku shpenzojnë europianët? – Strehimi, kategoria më e madhe. Zë 13.1% të PBB në BE
Familjet europiane kanë shpenzuar mbi 2 trilionë euro në “strehim, ujë, energji elektrike dhe gaz” në vitin 2017, shumë që është ekuivalente me 13.1% të Produktit të Brendshëm Bruto të Bashkimit Europian.
Kjo përfaqëson gjithashtu 24.2% të totalit të shpenzimeve për konsum dhe është deri më tani zëri më i madh i shpenzimeve nga familjet, ndjekur nga transporti me 13%, ushqimi dhe pijet jo-alkoolike m 12.2%, restorantet dhe hotelet me 8.82% si dhe kultura me 8.5%.
Nga të gjithë zërat e shpenzimeve të familjeve europiane, strehimi ka patur rritjen më të madhe në dekadën e fundit, duke u fryrë nga 22.7% të totalit të shpenzimeve në 2007-ën, në 24.2% në vitin 2017.
Në shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, strehimi përfaqëson kategorinë më të madhe të shpenzimeve. Për vitin 2017, shpenzimet më të mëdha për strehim u regjistruan në Finlandë, me 28.8%, ndjekur nga Danimarka me 28.7% dhe Mbretëria e Bashkuar me 26.7%.
Këtë trend e ndjek edhe Franca, Suedia dhe Republika Çeke. Nga ana tjetër, Malta është ndër vendet që shpenzon më pak në strehim, në 10.1% të totalit të shpenzimeve, ndjekur nga Lituania dhe Qipro. Rritje të këtij zëri në dekadën e fundit ka patur në Finlandë, Portugali dhe Holandë, ndërsa rënia më e madhe është regjistruar në Sllovaki, ndjekur nga Estonia, Polonia dhe Gjermania.