Kukan: Miratoni rezolutën
Pas vizitës eurodeputetit social-demokrat Knut Flekenshtajn dhe atij të Partisë Popullore Europiane Eduard Kukan në Shqipëri, më 19 dhe 22 dhjetor 2014, nisur nga përpjekjet për të inkurajuar partnerët e tyre shqiptarë për të rivendosur dialogun politik ndërpartiak dhe gjetjen e një zgjidhjeje të frytshme për funksionimin e Parlamentit, anëtarët e Parlamentit Europian lëshuan një deklaratë e përbashkët. Në qëndrimin e eurodeputetëve vihen në dukje të gjitha pikat për të cilat palët kanë rënë dakord që të votohen në formë rezolute në Kuvend. “Ne garantuan partnerët tanë politikë në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme të grupeve politike, në procesin e integrimit europian. Gjatë ditëve të fundit, ne e shfaqëm këtë mbështetje nisur nga vullneti për tu angazhuar në rinovimin e dialogut politik mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës dhe duke inkurajuar opozitën në dhënien fund të bojkotit të parlamentit”,- thuhet në deklaratën e përbashkët të deputetëve. Nga ana tjetër, ata theksojnë se “Shqipëria ka nevojë për dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes shumicës qeverisëse dhe opozitës për të përmbushur ambiciet europiane të qytetarëve të tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët për të dyja palët për të krijuar kushte për të bërë të mundur që dialogu politik ndërpartiak të zhvillohet në parlament”. Kukan dhe Flekenshtajn vënë në dukje se të gjitha palët ishin dakord për vijimin normal të punëve të Kuvendi dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Ne vlerësojmë që të gjithë partnerët tanë politikë ishin në gjendje të binin dakord me propozimet tona në lidhje me principet e bashkëveprimit në parlament. Propozimet lidhen me rifillimin e punës së frytshme dhe gjithëpërfshirëse të parlamentit, respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe angazhimin për të shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me personat me precedentë penalë që konkurrojnë për poste publike”,- thuhet në deklaratë. Kukan dhe Flekenshtajn vlerësojnë se palët duhet të punojnë së bashku për të arritur konsensus dhe të marrin përsipër përgjegjësisë. “Tashmë ne inkurajojmë udhëheqësit politikë në Shqipëri për të vazhduar dhe shtuar përpjekjet e tyre për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për funksionimin e frytshëm të parlamentit dhe konfirmimin e marrëveshjeve të tyre për hartimin e një rezolute të përbashkët parlamentare. Politikanët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësitë për një funksionim efektiv të institucioneve demokratike në vend. Prandaj ne bëjmë edhe një herë thirrje ndaj opozitës që të rinisë punën e saj në parlament dhe të marrë përgjegjësitë parlamentare që i takojnë dhe shumicës, të respektojë kushtet për një dialog politik gjithëpërfshirës në këtë institucion”,- thuhet në deklaratë. Ndërsa theksohet se dialogu dhe bashkëpunimi është i rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ne vijojmë të mbështesim përpjekjet për rivendosjen e dialogut ndërpartiak dhe bashkëpunimit, i cili është esencial për procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe besueshmërinë e Shqipërisë në union”,- përfundon deklarata.