Kukësi ngjitet në krye, e ndjek Skënderbeu

Partizani humbi kreun e klasifikimit, pas dështimit në “Qemal Stafa”, ku pësoi humbjen e dytë radhazi, në këtë fund-viti. Vllaznia i dha një leksion të mirë të kuqve, teksa arriti nga ana e saj fitoren e 5-të radhazi në Kategorinë Superiore. Goli i bukur i Tafilit, në ’38, mbeti në fuqi deri në fund. Terreni i vështirë ndihmoi skodranët të ruanin rezultatin, po ashtu edhe portieri Selimaj, që u tregua në formë. Partizani kërkoi të paktën një barazimi në minutat e fundit të ndeshjes, por nuk ia doli dhe si pasojë nga vendi i parë zbriti në vendin e tretë, pas takimeve të javës së 17-të. Ndeshjet e fundit do të luhen në fundjavë dhe të kuqtë, pas dy humbjeve radhazi, duket se e humbën edhe supermacinë që krijuan në derbi ndaj Tiranës dy javë më parë, kur fituan 2-0 dhe u ngjitën në krye të klasifikimit. Fitore të rëndësishme për objektivat e tyre shënuan edhe Laçi dhe Teuta, ndërsa Apolonia e Elbasani mbeten sërish në fund, me shpresa më të pakta mbijetese.

 

Kukësi-Tirana

Një gol i sulmuesit Vilfor Hysa, në minutëne 4-ët të ndeshjes Kukësi-Tirana, e vlefshme për javën e 17-të në Kategorinë Superiore, vendosi fatet e takimit dhe i dha tre pikë skuadrës vendase, të mjaftueshme që verilindorët të ngjiten në krye të klasifikimit. Kjo fitore do të thotë shumë për trajnerin e Kukësit, Artim Shaqiri, edhe pse skuadra e tij në fundjavë do të luajë në Vlorë me Flamurtarin, për të mbyllur pjesën e parë të këtij sezoni. -“Ishte një fitore e rëndësishme për ne, për objektivin e ekipit. Çdo ndeshje është finale. E lexuam shumë mirë këtë takim, madje e kishim menduar mirë me lojtarët se si do të luanim. Ishte një moment kur mbrojtja kundërshtare nuk e priste dhe sulmuesit tanë të vëmendshëm, e shfrytëzuan situatën. Loja e bukur? Varet nëse të lejon kundërshtari, në këto ndeshje rezultati është më i rëndësishëm se loja e bukur,” – thekson Shaqiri. Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, thotë se skuadra e tij dominoi ndeshjen, por nuk ia doli dot të gjente golin. – “Humbja është gjithmonë e hidhur, ajo që më bën të mërzitem është se është hera e tretë eapo e katërt që pësojmë në minutat e para dhe pastaj gjatë gjithë kohës do shumë punë që të rikuperosh. Në përgjithësi kemi zhvilluar një ndeshje të kënaqshme por kur nuk merr rezultat natyrisht që nuk mund të kënaqësh edhe me lojën,” – thotë Magani. Pas kësaj humbje, ai paralajmëron se disa lojtarë mund të largohen në merkaton e janarit. – “Lojtarë të veçantë nuk e përligjin besimin, sepse raste patëm. Gjithë kohën kemi qenë në mesfushën kundërshtare, kemi krijuar, kemi vertikalizuar, por mungoi goli dhe kjo është e papranueshme,” – theksoi Magani, i cili tha se për titullin kampion Tiranës më tej i duhet të fitojë edhe jashtë fushës .

Skënderbeu-Flamurtari

Goli i shënuar nga Piter Olayinka vendosi fatin e takimit Skënderbeu-Flamurtari, në Korçë, duke u dhënë kampionëve në fuqi një fitore morali, në fund të këtij viti, teksa e shohin veten në vend të dytë dhe pretendentë për titullin e pestë radhazi. Për trajnerin Mirel Josa ishte një nga ndeshjet më të mira që  korçarët kanë zhvilluar gjatë këtij sezoni.  – “Mua nuk më intereson shumë se skuadra gjeti vetëm një herë rrugën e golit. Për mendimin tim Skënderbeu luajti shumë mirë dhe e meritoi plotësisht fitoren. Jam i kënaqur me faktin se skuadra ishte shumë kompakte në fushë dhe zhvilloi një ndeshje shumë pozitive në krahasim me sfidat e kaluara.” Sa i përket titullit, Josa shtoi: – “Të 4 skuadrat janë ekipe pretendente, por të mos harrojmë edhe skuadrat e tjera që vijnë nga pas. Ne duhet të shohim gjendjen tonë. Asnjëherë nuk do të them që më tremb një skuadër në veçanti pasi Kukësi, Partizani dhe Tirana kanë po aq shanse sa ne, për titullin”. Trajneri Ernestino Ramella, i Flamurtarit, theksoi se skuadra e tij nuk meritonte pikë në Korçë, duke parë se luajti një ndeshje të dobët. – “Jemi mbrojtur mirë, i kemi lënë pak hapsira Skënderbeut, por mund të themi se ata ishin superiorë ndaj nesh dhe e merituan fitoren. Nga ekipi ynë 4-5 lojtarëishin jashtë forme dhe luajtën keq. Më duhet të uroj kundështarin që zhvilloi një ndeshje të mirë dhe e meritoi plotësisht suksesin," – theksoi Ramela. Flamurtari zbriti në vendin e 7-të në tabelën e klasifikimit, duke e detyruar Flamurtarin që të mos ketë më qartësi mbi objektivin që i duhet të arrijë, pas mbylljes së këtij sezoni. 

SHKARKO APP