Kultura e Çamërisë, pasuri kombëtare dhe europiane
Nga Nexhat Merxhushi/Në këtë shkrim jam përpjekur të hedh dritë mbi disa vlera të kulturës materialë të Çamërisë dhe posaçërisht të Qytetit të Paramithisë. Këto vlera që zakonisht emërtohen si monumente të trashëgimisë e kanë një origjinë, një funksion dhe një komunitet që i ka ndërtuar apo modeluar për të cilin kanë shërbyer. Prandaj unë që kam arritur në moshën 82 vjeç më duhet të pohoj disa prej këtyre vlerave të kulturës sime të qytetit tim dhe mbi të gjitha të Çamërisë sonë, e cila më 1913 mbeti nën konstitucionin e shtetit Grek. Për rrjedhojë çdo gjë që ka të bëjë me toponime, krahinash, malesh, lumenjsh, emra të të gjitha llojeve sidomos ato të qyteteve e fshatrave u tjetërsuan dhe në rastin më të mirë u greqizuan linguistikisht, që do të thotë përmbajtja u ruajt, por emri ndryshoi fonetikisht sipas gjuhë s greke, p.sh. atje ku ishte shqiponjë u bë ajtos.
Kësisoj harta e sotme e Thesprotisë (Çamërisë) natyrisht që figuron zyrtarisht e njohur si e tillë edhe nga Konventat respektive që bota i njeh dhe aplikon për çdo shtet. Por konventat nuk pyesin historinë dhe historia si edhe Çamëria fizikisht mbeten në duar të Greqisë.
Zëri im në këtë shkrim ka një të vërtetë me dy burime: I pari unë kam lindur në Paramithi dhe i njoh vetë këto dëshmi dhe burimi i dytë është ai i studiuesve. Kur unë isha fëmijë luaja mbi rrënoja dhe mbi mure të gurtë, por më vonë e kuptova se çfarë emra e vende të shenjta ishin ato. Lexuesit që i intereson kultura kombëtare, sidomos ata që studiojnë fushat e historisë e të trashëgimisë kulturore, me modesti ju them se mund t’ju vlejnë për t’i vënë në jetë, domethënë ti integrojnë ato në historinë tonë kombëtare, pavarësisht copëtimeve të pjesshme të trupit të Shqipërisë. Kultura çame është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi dhe siç do të shohim më poshtë, edhe ato regjionale në veçanti. Do të ishte gabim ta ndanim atë prej të tërës, pra asaj që quhet shqiptare ose ta trajtonim atë vetëm si kulturë regjionale, të një territori e popullsie që shtrihet e jeton në një territor të caktuar.
Së dyti, kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtresëzime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studiuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme e në kohën e formimit të kombësisë shqiptare. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve” se, “ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qarta se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare”. Atje ne trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjallon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive
Në Çamëri ka emër shqip çdo lis, gurë, shpellë, burim. Popullsia autoktone e shqiptarëve të Çamërisë, i ka vënë emra një are, një cepi, një shkëmbi apo një fshati etj..
Enciklopedia e Madhe Helenike përkthyer nga Ilo Mitkë Qafëzezi, thotë: “Topografikisht, etnografikisht dhe folklorikisht, Çamëria përbën një krahinë të veçantë Shqiptare.” Dhe më tutje vazhdon: “Kërthiza e Çamërisë është Paramithia.” (Enciklopedia e Madhe Helenike vol.XXIII f.405): Si një krahinë e banuar me shqiptarë çam, që grekëve u ka pëlqyer t’i quajnë Thesprot, ka emra të maleve, fushave, që u kanë vënë këta banorë të lashtë. Mali Bozhur-i (në Margëllëç) ka dy maja të larta; Flamuri i Madh dhe Flamur i Vogël. Të dyja majat së bashku quhen Dimal ( dy male). Mali Hil (në Filat), Mali i Buzëziut (në Arpicë) etj.
Problemin e trashëgimisë kulturore e historike, nuk duhet ta trajtoj si politik, megjithëse politika është prezente, pasi objekti i këtij studimi është thjesht shkencor dhe si i tillë nuk i shërben vetëm Çamërisë e çamëve, Shqipërisë dhe shqiptarëve, por Europës dhe europianëve. Shtetet mund t’i nënvleftësojnë shumë herë këto probleme, shkencëtarët e shkenca jo. Historiani amerikan Scharis M. Andreys, për vlerat që sjell trashëgimia thotë: “Trashëgimia është prehja përfundimtare e së vërtetës.” Ndërsa disidenti hungarez i shekullit të XX, Bela Hamvash, shprehet: “Niveli i qytetërimit të një vendi, varet nga fakti se sa i kushtohet kujdes e rëndësi ruajtjes së monumenteve të së kaluarës së tij.”
Gjykimi me vërtetësi i trashëgimisë është i lidhur me identitetin dhe autoktoninë e një populli. Neglizhimi, harresa dhe sidomos trajtimi sipërfaqësor, prodhon një nga fenomenet më të rrezikshme e antishkencore siç është ai i trafikimit, për interesa financiare i vlerave kulturore të një populli. Nuk dëshiroj t’i paragjykoj, por si politika ashtu dhe kisha greke, dhe në këtë rast do të japin alarmin; se shqiptarët duan të na marrin vlerat tona kulturore. Megjithatë pas paragjykimit unë do të gjykoja vlerën universale për gjithë njerëzimin, pra për rrjedhojë dhe kultura jonë i përket njerëzimit. Paragjykimin e mësipërm e mbështeta veç të tjerave edhe në thënien e Gustav Majer albanologut gjerman i cili shprehet: “Grekët janë mjeshtra aneksimesh”. Megjithatë për Çamërinë dhe historinë e saj nuk mund të lë pa përmendur edhe një historian grek Vasil Krapsiti, në librin e tij “Istoria tis Paramithias” në faqen 115 ai thotë: “Në këto territore ( të Paramithisë) janë zbuluar shenja jete që në periudhën e Paleolitit (40. 000 vjet para Krishtit) ndoshta edhe më herët”. Paramithia e Çamërisë megjithë rrethinat e saj (ashtu siç e kemi cituar më sipër nga Enciklopedia Greke) është vendi i shumë monumenteve të kulturës historike e fetare, të cilat do mundohem t’i vendos sipas një harte greke të shkallës 1:130.000.
Historiani grek Spiro Muselimi, në librin “Shëtitje historike nëpër Thesproti” shprehet: “ Paramithia është kryeqyteti i Thesprotisë, ndërtuar në rrëzë të malit Korilla dhe përreth saj, janë mbetjet e qyteteve të lashta. Historiani Kristo Frashëri në: “Dropulli dhe Bylis, toponime të hershme Ilire” thotë -Paramithia nuk ka prejardhje greke, por Ilire. Ky emërtim është vendosur para periudhës Helenistike. Emërtimi ka kuptimin e qytetit të vendosur para lumit Thiami. Ndërsa historiani Zija Shkodra thotë: “Qytetet kryesore të Shqipërisë… ishin Shkodra, Durrësi, Vlora, Ohri, Kosturi, Gjinokastra, Përmeti, Paramithia, Margëllëçi, Filati”.
Nga qendra e Paramithisë Dodona 27.3 km, Vija Egnatia 2.6 km, Shën Donati 7.1 km.
Dodona
I thonë Dodona e Thesprotisë ose Thesprotia e Dodonës, pra që gjendet në Çamëri. Hyjnitë e kësaj bashkësie ishin Dielli, Toka, Qielli, Uji, Zjarri. Disa nga këto thënie janë shprehur edhe nga Tukididi, ( 1-46-4 vepra). Për Dodonën kanë folur dhe ende flasin historian të ndryshëm.
Vija Egnatia
Romakët në gjysmën e dytë të shekullit të dytë para Krishtit projektuan dhe bene një rrugë komunikimi midis perëndimit e lindjes. Kjo rrugë vinte nga Epidamnus, Apollonia etj., dhe kalonte në Paramithi, rrëzë malit Korrilla dhe kalonte mbi shtëpitë tona. Të vjetrit thoshin se kjo rrugë “E glatë ishtë ” d.m.th. ( e gjatë ë shtë ). Për këtë rrugë flet edhe Straboni.
Shën Donati
Grekët i thonë “Ajeos Donates”. Sipas studiueses Engjëllushe Varfi, Shën Donati jetoi në gjysmën e parë të shek IV. Mbante titullin Peshkop dhe i përkiste ritit Lindor me qendër në Eure ( periferi e Paramithisë). Selia e tij ishte ngritur në një mal të gdhendur nga natyra me shkallë, që sot quhet Paramithi (Ajdonat). Ne si fëmijë nuk ngjiteshim deri atje lart.
Kështjella, kulla e ndërtime të ndryshme
Kështjella e Paramithisë ngaqë ishte në kohën time e rrënuar ne i thoshim (të prishurat) ndërsa historiani V. Krapsiti faqe 115 në librin që citova më lart i quan “Ta hallazmata” d.m.th të prishurat. Ndërsa piktori dhe hulumtuesi anglez Eduart Lir për këtë kështjellë është shprehur se: “Në veri të këtij qyteti, vihej re Kështjella e Gurtë, mbështetur pas maleve e shpateve në forma të magjishme. Poshtë kësaj kështjelle janë shpërndarë vendbanimet e grupuara piktoreske të përziera me selvi dhe me të gjitha llojet e pemëve. Kishat dhe xhamitë ishin ndërtuar me gurë të punuar bukur. Para se të largohesha nga ky qytet i lashtë, realizova portretin e një vajze shqiptare nga Paramithia. Vajza kishte një hijeshi e bukuri të mahnitshme”
Kulla e Bollatatve
Sipas autorëve grek Spiro Muselimi dhe Vasil Krapsiti kjo kullë është ndërtuar në 1200 nga Venecianët, megjithëse ata nuk janë fort të bindur për këtë. Kjo kullë është ndërtuar me gurë dhe sipër saj kishte një ulli. Përveç kësaj me dhjetëra shtëpi karakteristike natyrisht me mure guri të latuar bukur do të zinin vend të veçantë në një studim tjetër për arkitekturën e këtij qyteti. Vlen të veçohet shtëpia e Xhemil Efendiut si dhe shtëpia e Sali Muhedinit (Sali Hafuzit)
Objekte kulti e ndërtime të tjera të periudhës osmane
Pas Islamizimit të një pjese të banorëve të Çamërisë, natyrisht ndërtimtaria e objekteve të kultit u zhvillua edhe në Paramithi. Xhamia e Vasilus (e mbretit) është objekti i kultit më i rëndësishëm i këtij qyteti. V.Krapsiti thotë se sipas një dokumenti që ndodhet në Dhimarhion e Paramithisë (në komunën e Paramithisë), kjo xhami është ndërtuar më 1490 nga Sulltan Bajaziti. Në këtë xhami më kujtohet për pak kohë mësova të shkruaj në gjuhën shqipe d.m.th kjo tregon se në fëmijërinë time ajo përdorej edhe si shkollë.
Çezma e Sebehit
Ndodhet pranë xhamisë së Vasilus. Nga pikpamja arkitekturore dhe ndërtimore është shumë e veçantë dhe monumentale. Përveç kësaj Paramithia ka pasur 12 çezma natyrisht të modeluara me gurë dhe jo thjesht burime natyrore të rastësishme. Kjo tregon edhe për një kulturë higjiene të nivelit të lartë, pasi uji nuk të shuan vetëm etjen. Këto vakëfe kanë qenë të shumta dhe më 1935 në periudhën e Metaxait u shtetëzuan. Në një dokument lëshuar nga kryetari i komunës së Paramithisë Anastas Haliqa që mban numrin 354 thuhet se:… në bazë të nenit 131 të Kodit Agrar, pronat e xhamive të shenjta janë shpronësuar. Këto prona ndodhen në fshatrat e Paramithisë, natyrisht pas këtij shtetëzimi ato figurojnë të tjetërsuara, por unë jam i detyruar ti përmend emrat e tyre si më poshtë:
Agora (Lugati), Zervohori (Dragomi), Rahliu (Ciflia), Qira Panaja, Ve’lani, Gardhiqi, Sta’novo, Mininas, Nihori, Prodhromi
Gjetje arkeologjike
Me pasion dhe dëshirë të madhe për të gjetur vlera të kulturës së shqiptarëve të Çamërisë, studiuesi arvanitas Niko Stillo ka gjetur një pllakë varri që daton në shekullin e V pas Krishtit në fshatin Huvjan të Paramithisë Në të cilën shkruhet: “Unë sitë ula, pres teksa hij në rrotullimet e Diellit, gjithnjë duke rënkuar.” Një zbulim i çmuar në Paramithi u bë më 1771.Ja si shprehet Henri Holland për të: “Më 1771 disa fshatarë shqiptarë çam pranë Paramithisë ( Çamëri) gjetën disa statuja të Venusit, perëndeshë romake e dashurisë që i përkisnin një shtëpie të pasur romake”. Po në këto shënime ai vazhdon duke thënë se: “Pata rastin të shohë brenda mureve të kështjellës, mbeturina të mureve të vjetra që tregojnë se Paramithia është qytet i lashtë i Epirit. U interesova në lidhje me bustet e vjetra prej bronxi, që thuhet se janë gjetur atje…”. Më tej ai vazhdon “Këto 19 statuja bronxi të Perëndeshës Romake të Dashurisë , më të bukurat që kam parë ndonjë herë , thuhet se janë gjetur atje dhe disa prej këtyre bronxeve ndodhen në koleksionin Z.P.R. Krright, disa zotërohen nga J. Havvkins, kurse të tjerat janë regjistruar në Rusi dhe sot ndodhen në Muzeun e Londrë s. Janë 8 figura të plota, që thuhet që janë nga Paramithia. Ka dy Jupiter dhe një Apollon, bronxe nga më të bukurat që ekzistojnë në botë ”
( H.Holland “Ravles in the Jonian isles Albania, Thesaly, Macedonia, Byron”. (udhëtimi në Ishujt Jonian… gjatë viteve 1812-1813.Londër 1815).Statujat prej bronxi të gjetura në Paramithi, janë të ekspozuara në British Muzeum Londër, dhoma 70 me mbishkrimet e mësipërme. Keto janë 19 statuja prej bronxi të shek. 2 para Krishtit, për të cilat flet edhe historian I antikitetit, anglezi Nicholas Hammond në librin “Epiri”.
Tradita ekonomike
Zhvillimi i tregtisë dhe ekonomisë është vënë re nga të huajt që kanë kaluar në territoret e Çamërisë. Çamët eksportonin mallrat e tyre në Janinë, Korfuz dhe thellë në Greqi, por njëkohësisht merrnin prej andej ato që i duheshin. Në Paramithi çdo vit, në javën e fundit të shtatorit bëhej një panair i madh i cili quhej Llabova. Ja si e përshkruan këtë panair historiani grek Niko Zhango: “Çdo vit, në Paramithi, javën e fundit të shtatorit gjatë gjithë javës bëhej Llabova. Dy tre ditë përpara vinin çam nga e gjithë Çamëria. Ata, hipur nëpër kuaj, elegant me kostumet karakteristike të tyre, zbrisnin nga kuajt e drejtoheshin në han. Pastaj, leventët çamë uleshin në kafe, gjithë hijerëndë, me mustaqe të holla dhe me kalcet e bardha, binin në bisedë me vendasit për mallrat që do të tregtonin. Ato ditë s’kishte shtëpi paramithiote që të mos priste si miq çamët leventë. S’kishte më shumë sesa rregulli e pastërtia e këtij pazari.” Niko Zhango tek libri “Imperializmi Anglez dhe lufta e popullit Grek për liri”, faqe (260-261) thotë: Unë jam dëshmitari i këtij panairi. Në atë kohë shtëpitë e Merxhushejve mbusheshin me çam të ardhur në këtë event me rëndësi. Për këtë panair flet edhe Sami Frashëri “Paramithia është Kasaba që njihet për tregti dhe në shtator të çdo viti bëhet Llabovo që zgjat 4-5 ditë”.
Edhe Martin Lik më 1814 flet për këtë panair. Punimet Artizanale të Çamërisë zinin vend nderi në Ekspozitat që bëheshin në Europë. Zv. Konsulli Francez në Epir me qendër në Janinë më 1 korrik 1883 cituar nga Zija Shkodra thoshte: “ Qilimat e Çamërisë ishin mjaft të bukura e të qëndrueshme.” “Punimi i velenxave të llojit Fllokadë që punoheshin në Janinë, Konicë, Çamëri, ishin të cilësisë së lartë dhe shiteshin në tregjet e Napolit dhe Triestes. Ato zënë vend nderi në Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit organizuar më 1855”. (Pukivil Viquesnel Voyage dans la Turquie Paris 1868 vol. 1 f.303-307). Anglezi Brukton thotë; “Kostumi çam dallohej për bukurinë dhe elegancën e tij. Veshjet e femrave janë fantastike dhe ndryshojnë nga fshati në fshat.” (Broughton G.C. (13) Travels in Albania and o therr Provinces of Turkey in 1809-1810 Londër 1858 faqe 9).
Pukivili vazhdon : “Ata burra të hijshëm me ato qëndisma të arta lara-lara, të veshur me një kostum të shkëlqyer, të mrekullueshëm … duken si një kolonë ushtarësh të praruar me plaçkë të Trojës që kanë zbarkuar sërish në Epir” (“Voyage … Vëll. 2, fq. 529-530)
Poeti i madh anglez Bajron shprehet :
“Kostumi çam (shqiptar) me mëngë prej ari të lëshuar në formë flatrash engjëllorë dhe fluturonjëse, me fustanellën e bardhë si dëborë e mbërthyer në brez me qëllim që të nxjerrë në pah harkun e hijeve dhe që bie në gjunjë në mënyrë të ujdisur në formë ujëvare, me kalsat e punuara hollë-hollë nga duart e vajzave të reja dhe një mori detajesh që është vështirë t’i përshkruash.” (Revista “Albania” nr. 5 Bruksel 1897)
(Syrja Rexho. Po aty) fq. 199
***
Kultura çame është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi dhe ato regjionale në veçanti. Do të ishte gabim ta ndanim atë prej të tërës, pra asaj që quhet shqiptare ose ta trajtonim atë vetëm si kulturë regjionale, të një territori e popullsie që shtrihet e jeton në një territor të caktuar.
Kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtresëzime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studiuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme e në kohën e formimit të kombësisë shqiptare.
Atje ne trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjallon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive.
Ky punim vë në dukje identitetin dhe autoktoninë e popullsisë shqiptare të Çamërisë, lashtësia e të cilit njihet edhe nga të huajt, por edhe nga autorët grekë të lashtësisë. Njohja e Çamërisë dhe e vlerave të saj bëhet më e plotë nëpërmjet paraqitjes me dokumente të sakta të kulturës materiale të këtij populli të lashtë. Me dashamirësi ftoj studiues të tjerë çamë dhe jo çamë që sa të munden t’i shtrijnë njohuritë e tyre e të kontribuojnë në kulturën tonë kombëtare.