Kumbaro dhe Vengu prezantojnë kampusin e ri akademik ushtarak
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, vizituan kampusin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, një investim modern prej 7,600 m² që ofron kushte bashkëkohore për formimin e profesionistëve të ardhshëm të FA.
Kampusi përfshin klasa me teknologji të lartë, auditorë, laboratorë, poligon stërvitor, pishinë, ambiente sportive dhe hapësira funksionale sipas standardeve të NATO-s, duke krijuar një mjedis të kompletuar akademik dhe profesional.
Gjatë vizitës, ministrja Kumbaro theksoi se ky projekt, edhe pse nuk është pjesë direkte e buxhetit të Ministrisë së Arsimit, mbetet një investim publik në arsim, siç janë buxhetet e arsimit profesional, të Shkollës së Magjistraturës apo të ardhurat e universiteteve.
“Është një investim fantastik për një degë studimi që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi. Uniforma ushtarake ka prezencë në tavolinat ndërkombëtare, edhe për çështje të sigurisë. Ky investim i shtohet paketës së madhe të investimeve në arsim, ndërsa kërkesa për këtë degë është në rritje dhe duhet të zgjerojmë ofertën. Masteri i kombinuar në marinë, aviacion dhe inxhinieri në Universitetin e Vlorës krijon rrjetëzim ndëruniversitar dhe mundësi ndërkombëtarizimi, për të siguruar jetëgjatësi dhe cilësi të arsimit të lartë,” tha Kumbaro.
Ndërsa ministri Vengu nënvizoi rolin e kampusit si qendër ekselence në formimin ushtarak dhe akademik, duke theksuar se standardet e reja infrastrukturore dhe pedagogjike do të përgatisin kuadro të afta për misione kombëtare dhe ndërkombëtare.
“80% e punës ka përfunduar tashmë, dhe ky vit shënoi një rekord regjistrimesh: 1,630 aplikime për vetëm 80 vende. Në muajin shkurt kampusi do të jetë gati për programet bachelor dhe master. Përveç një akademie ushtarake të mirëfilltë, ofrojmë edhe formim për profesionistë të inxhinierisë dhe ekonomisë, që shërbejnë kryqëzimit të jetës civile me aktivitetin e FA. Do të ketë kurse akademike dhe kurse specialitetesh, si masteri në sigurinë kibernetike, gjithnjë më i kërkuar, që mbështet edhe sektorë të tjerë shtetërorë,” tha Vengu.
Ministri shtoi se studentët e akademisë trajtohen me pagesë gjatë studimeve dhe kanë mundësi specializimi në akademi prestigjioze në Evropë dhe SHBA.
Ky investim konsolidon rolin e FA në edukimin e sigurisë kombëtare dhe vendos një standard të ri për arsimimin ushtarak në Shqipëri, si pjesë e vizionit të integrimit euroatlantik dhe modernizimit të institucioneve të mbrojtjes.
KOHA JONË SONDAZH

