Kumbaro: Rritje pagash për mësuesit në 2026, nis projekti i liceut franko–shqiptar në Korçë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi sot shkollën “Raqi Qirinxhi” në Korçë, ku u njoh nga afër me mjediset e institucionit dhe programet pas shkollore.

Gjatë vizitës, Kumbaro vlerësoi historinë dhe traditën e shkollës, e cila lidhet me liceun francez të viteve ’30, duke theksuar se suksesi i saj qëndron tek pasioni dhe puna e mësuesve dhe nxënësve.

“Kjo është një nga shkollat më të vjetra të Korçës. E ndërtuar në vitet ’70, është e pajisur me laboratorë dhe kabinete që i japin jetë gjatë gjithë kohës. Këtu po punojmë për një projekt shumë të veçantë, liceun franko-shqiptar, iniciuar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emmanuel Macron, që sot ndodhet në një fazë të avancuar,” – u shpreh Kumbaro.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas saj, janë përgatitur kurrikulat dhe programet mësimore, ndërsa puna po vijon për projektin e shkollës së re, që synon të shndërrohet në model kombëtar të ekselencës me diploma të dyfishta, të njohura nga ministritë e arsimit në të dy vendet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministrja bëri gjithashtu të ditur se buxheti i arsimit për vitin 2026 parashikon një rritje të re pagash për të gjithë trupën mësimore.

“Me buxhetin e vitit 2026, qeveria ka parashikuar një rritje pagash prej 3 mijë lekësh në muaj, ose 36 mijë lekë në vit, që vazhdon zinxhirin e rritjeve që kemi bërë ndër vite, sepse mësuesit janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë,” – deklaroi Kumbaro.

Në përfundim të vizitës, Kumbaro njoftoi se investimet në infrastrukturën arsimore do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.

Ajo theksoi se gjatë 2026-s pritet mbyllja e 42 kantiereve të shkollave të reja ose të rindërtuara në mbarë vendin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?