Kur ishte i vogël “Taulanti kërkonte një motër”…çfarë kërkon ai sot?
Ai është nga ata personazhe që kur e shohin në rrugë e thërrasin me emrin e rolit. Edhe pse jeta e tij profesionale ka marrë një drejtim tjetër, ai mbetet një aktor që thuajse e njohin të gjithë shqiptarët që prej fëmijërisë së tij. Kjo për shkak të rolit aq të spikatur të një fëmije sa të llastuar e tekanjoz, aq edhe të çiltër dhe kurioz për të zbuluar çfarë ndodhte përreth. Bëhet fjalë për Donald Kokonën, ose siç e njohin të gjithë, Taulanti që kërkonte një motër.
Ai ndihet krenar që, edhe pse vetëm 4 vjeç, ka kontribuar në familje, pasi për çdo rol që ka interpretuar është paguar. Kanë kaluar shumë kohë dhe ai tashmë është rritur, por tiparet e Taulantit të vogël vazhdon ti ketë ende. Janë sytë që e identifikojnë më së shumti dhe fjalia “Ku të kam parë unë ty?” është ndër më të dëgjuarat deri tani. Kështu pohon vetë ai dhe njëherësh thotë se kjo gjë nuk i pëlqen aspak. Në intervistën për “Shekullin”, Donald Kokona tregon momentet si u përzgjodh për të luajtur rolin e Taulantit, pse nuk vazhdoi rrugën e kinematografisë pas katër filmave ku ai aktroi, pasionin për dublimin, por edhe çfarë kërkon ai tani, pas 31 vitesh kur kërkoi një motër, në film.
Si u përzgjodhët për lë luajtur tek “Taulanti kërkon një motër”?
U përzgjodha me audicion, kinoprovë. Në atë kohë, zgjidheshe në bazë të asaj që kërkonte regjisori, njësoj si sot. Për shembull, kur xhirohet një film sot, regjisori thotë na duhet një fëmijë me këto karakteristika. Në rastin tim, asistent regjisorët i kishin marrë udhëzimet dhe kërkonin një fëmijë të llastuar. Na merrnin nëpër kopshte dhe na çonin tek Pallati i Pionerëve, ku është sot Vila e Zogut. Atje na rreshtonin, 100, 200, por me turne. Dhe na thoni të recitonim një vjershë, na linin edhe të lirë për të parë reagime, pastaj bëhej selektimi. Mendoj që do ketë qenë punë e bukur, se unë nuk mbaj mend gjë se 4 vjeç kam qenë. Unë e imagjinoj si mund të ketë qenë situata tani që jam i rritur. Pas përzgjedhjes, ndodhte edhe që të ishte dështim, dhe pastaj ndërrohej aktori. Kjo ishte zgjedhja.
Kemi dëgjuar që Taulanti ka qenë pak kokëfortë gjatë xhirimeve. Sa e vërtetë është kjo?
Po, i llastuar dhe tekanjoz. Sepse kam qenë fëmijë pleqërie, i lindur vonë, nuk kisha vëlla, vetëm një motër më të madhe. I llastuar nga prindërit, me të gjitha të mirat, nuk më mungonte asgjë. Edhe në film e kisha shumë të lehtë të aktroja në atë mënyrë, se isha fiks për filmin, i pastër, me duar në xhepa.
A ka ndonjë situatë pikante nga filmi që e mbani mend?
Kam qenë i vogël tek “Taulanti”, nuk i mbaj mend. Më kujtohet Yllka Mujo, ishte nëna ime tek filmi dhe në skenar ishte që të më gjuante me shpullë. Më gjuajti me shpullë, por ai dubël nuk u dha. Dhe herën e dytë më kapi nga veshi, siç reagonte në mënyrë spontane. Unë që e kisha problem të qaja, s’dija dhe nuk doja, edhe pse duhej, por nuk e jepja veten, më hante inati, sedra, se nuk isha mësuar, nuk më preknin me dorë as prindërit, as edukatorja. Më thoshin: “Qaj, se të gjuajti”, unë shtrëngoja dhëmbët dhe nuk qaja.
Si ishte raporti juaj me regjisoren dhe aktorët e tjerë të rritur?
Raporti im me aktorët e rritur ka qenë shumë i mirë. Dua të përmend Matilda Makoçin, Roza Anagnosti, Marjeta Larja kanë qenë shumë të dhembshura, shumë të dashura, ndërsa meshkujt, Viktor Zhusti, Vasjan Lami e të tjerë kanë qenë të gjithë babaxhanë, shumë të mirë. Edhe tani i ruaj kontaktet me disa prej tyre, sepse shumica janë larguar nga Shqipëria, për shembull me Gerti Ferrën i kam ruajtur kontaktet sepse ai është këtu. Gerti ka luajtur te “Shpella e piratëve”.
Pasi filmi doli në kinema dhe juve ju njihnin pothuajse të gjithë, si ndiheshit?
Nuk e kam duruar kurrë. Të gjithë njerëzit e kanë qejf të njihen, ndërsa unë e kam pasur bezdi. Madje edhe sot kur më thonë “O Taulantiii…”. Mbaj mend që ditën e parë kur është dhënë premiera, te kinema “Partizani”, aty kuptova çfarë ishte vëmendja, më vinin teta të ndryshme, më puthnin, por unë isha i llastuar.
Filmi i fundit ku ju luajtët ishte "Shpella e piratëve" me rolin e Ilirit, film i xhiruar në prag të ndërrimit të sistemit. Sa ndryshe ishte ky filmi nga të tjerët?
Kanë qenë vitet 90 dhe ne ishim duke xhiruar filmin, kur sa u hapën ambasadat. Kur u hapën ambasadat unë kam qenë në Itali bashkë me disa fëmijë të tjerë. Kisha dubluar një film më herët, filmin “Djali elastik”. Dhe unë i dublova filmin regjisorit brenda dy javësh, dhe ai u kënaq shumë. Vitin tjetër bëhej festivali i filmit për fëmijë “Giffoni”, që bëhet sot e kësaj dite. Në atë festival duhet të shkonte një film shqiptar si çdo vit dhe atë vit unë po xhiroja “Shpella e piratëve” që do të shkonte në vitin ’91, paçka se nuk vajti se atë vit u shkatërrua gjithçka. Të gjithë ishim djem dhe vajza të udhëheqjes, por njëri pak më ndryshme, më tha: “Do rrimë në Itali? Mos kthehemi më”, meqë në Shqipëri kishin filluar trazirat dhe unë isha vetëm 12 vjeç, dhe në atë moment e ndjeva veten të rritur. Pata frike, jo frikë nëse qëndroja se qejfin e kisha, por për familjarët. Vihet re tek “Shpella e piratëve”, dhe ka qenë ndër të pakët, që kur u montua regjisorët, ngaqë kuptuan që po vinte ndryshimi, futën një këngë të huaj dhe një pjesë intimiteti të prindërve të mi, të Ilirit domethënë, se ishte në korrik të vitit ’90 kur u hapën ambasadat dhe ne ishim duke xhiruar.
Pas suksesit në filmin e parë, pse nuk vendosët të ndiqnit rrugën e kinemasë?
Për tri arsye. E para sepse nuk e konsideroja “aktorllëkun” zanat, e quaj hobi. Është e vështirë ta kesh zanat, pa ofenduar aktorët. Kur të rritesha doja të bëhesha një person që prodhonte, ndërtonte, bënte diçka të vërtetë. Nuk më pëlqejnë profesionet që kanë fjalë. Do e kisha bërë kollaj, por vendosa të mos e zgjedh. E dyta, sepse nuk kishte të ardhme. Për fat të keq, në ’90-n ra sistemi dhe u shkatërrua çdo gjë si me thikë. Por edhe sot, nuk jetohet dot me këtë zanat. Dhe e treta, sepse kisha talent për pikturë. U fokusova tek arkitektura më vonë, tek projektet sepse kuptova që kjo gjë më pëlqente.
Sot në rrugë ju njohin njerëzit akoma?
Jo, sepse më kanë rënë flokët. (Qesh) E has shpesh, dhe pyetja e parë që më bëjnë “Ku të kam parë?”, pastaj “Ah, po”. Por jam mësuar, edhe pse nuk është qejf. (Qesh)
I shihni shpesh filmat tuaj?
Asnjëherë. Kur do vendosja për shkollën e lartë, për një vit pata shumë dëshirë të vazhdoja për regjisurë, sepse është shumë degë e bukur. Dhe kur shikoj filmat e mi, shikoj shumë defekte që s’do doja të ishin, ndaj i evitoj.
Po tani, ju merr malli të luani në një film?
Hmm, jo.
Pse?
Filmi është i bukur, por është i vështirë dhe unë nuk jam më i zoti për këtë punë. Unë mund të isha i zoti kur isha fëmijë, që kisha njëlloj origjinaliteti nga fëmija, por fëmija e humb origjinalitetin. Që të bëhesh aktor filmash apo në teatër, duhet të mësohesh, duhet të mbarosh shkollën. Unë e bëj, po të më thonë e bëj, kam besim tek vetvetja. Por mendoj që tani nuk ka punë për ata që janë, jo më për ata që s’janë.
Jashtë filmit, a e kishit dëshirën e të pasurit një motër apo vëlla?
Te roli i Taulantit e kam gjetur veten vetëm te llastimi, i ngjante tekës së një fëmije që do një lodër. Por motër, vëlla, nuk kam dashur. Për çfarë t’i doja, për të ndarë lodrat, rrobat, vëmendjen? Prandaj nuk e kërkoja.
Nëse dikur thuhej “Taulanti kërkon një motër”, sot çfarë kërkon Donaldi?
Sot jam arkitekt, kam studion time bashkë me një shok, punojmë fort dhe jemi në treg prej kohësh. Në aspektin profesional jam goxha i plotësuar. Në aspektin tjetër, jam beqar, as i fejuar as i martuar. Jam shumë rehat në këtë aspekt. Prindërit, familja janë shumë mirë shyqyr Zotit, kështu që nuk kërkoj gjë.
E kërkoni një nuse?
Po unë derën nuk ia kam zënë njeriu… Nuk kërkoj gjë. (Qesh)
Po nëse në të ardhmen, fëmija juaj do të kërkojë një motër apo vëlla, si do veprosh ndaj kësaj situate?
Unë fëmijën tim nuk do ta llastoj. Prindërit e mi kanë qenë shumë të urtë me mua, ndërsa unë do jem diktator. (Qesh)
Anxhela Devole