Kursimet e ekonomisë shqiptare – Ruan 1/7 e të ardhurave, pranë mesatares rajonale, larg BE
Në raportin e fundit të “Perspektivës ekonomike rajonale” për Europën, Fondi Monetar Ndërkombëtar i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe sektorit bankar në rajon, duke i dedikuar edhe pjesën më të madhe të raportit me një analizë të posaçme.
Një ndër indikatorët që ilustron institucioni me bazë në Washington është edhe ai për kursimet kombëtare bruto. Për vendin tonë, këto kursime fiksohen në 14% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë pranë Serbisë në thuajse 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Rezulton se, në këtë drejtim, Shqipëria është më mirë se Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, por më keq se Kosova, që thuajse shkëlqen në çdo indikator për shkak të natyrës së veçantë që ka, një sistem juridik mjaft të ri.
Në Maqedoni ndërkohë, kjo normë ngjitet në 31%, që jo rrjedhimisht është diçka pozitive. Indikatori i kursimeve kombëtare bruto mat kursimet personale, ato të biznesit dhe ato të qeverisë, duke përjashtuar ato të huaja. Pra, një normë negative tregon se një shoqëri shpenzon më shumë se ç`prodhon dhe një shifër pozitive tregon shpenzime më të ulëta se prodhimi ekonomik. E ndërkohë që një shifër mjaft e ulët tregon të ardhura të ulëta, një normë mjaft e lartë, si rasti i Maqedonisë tregon se ka shpenzime të ulëta.
Analiza e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka për synim të tregojë se sa larg janë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, nga Bashkimi Europian, duke krahasuar 6 ekonomitë me ato të 5 anëtarëve më të rinj të unionit. Në këtë indikator, pra atë të kursimeve kombëtare bruto, rezulton se, Shqipëria është rreth 8 pikë përqindje larg.
Indikatori në fjalë është një ndër më të rëndësishmit për të kuptuar gjendjen reale të një ekonomie dhe shoqërie të caktuar, pasi në terma më të thjeshtuar, kursimet përkthehen në investime për vitin tjetër. /Scan