Kush do të paguajë borxhin e huaj?
Nga Sadedin Çeliku
Borxhi i huaj i marrë kryesisht nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka për Rindërtim e Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve tashmë konsiderohet si kanceri i ekonomisë, kjo dhe për shkak se ekonominë shqiptare e kanë drejtuar drejtues mediokër, jo profesionistë madje dhe dashakeqës të vendit tyre. Arsyeja tjetër por më e rëndësishmja është korrupsioni që mesa duket nuk ka gjasa të ndalet e të luftohet nga asnjë forcë politike. Duke analizuar në thelb këtë problem nuk ka sesi të mos shkojë mëndja tek koha e diktaturës e cila nuk i kishte borxh askujt, paçka varfërisë që kishin shqiptarët. Ato u krijuan pas vitit 1985 kur për mungesë fondesh u shpikën marrëveshjet tregtare me pagesë të vonuar. Firmat tradicionale që punonin me Shqipërinë besonin qorrazi sepse e dinin se tregtia e jashtme ishte monopol i shtetit dhe garancia për ato ishte shteti shqiptar. Kështu viti 1990 e gjeti Shqipërinë me një borxh prej 600 miljon dollarë shifër kjo krahasuar me borxhin e sotëm simbolikisht mjaft e vogël me atë që ka. Sot Shqipëria ka një borxh prej rreth 8 miliardë euro ose mbi 10 miliardë dollarë, pa llogaritur interesat që nuk janë të vogla, mjaft i madh për një vend të vogël dhe shumë vështirë të likujtohet. Më kujtohet udhëheqësi jugosllav Josif Broz Tito i cili kishte marrë një borxh prej 22 miliardë dollarë por për një shtet prej 22 milionësh në atë kohë dhe thoshte se “ne po rindërtojmë Jugosllavinë e re ndërsa ju brezat e ardhshëm duhet të lani borxhet. Duke parë borxhin e madh që ka vendi ynë natyrshëm lind pyetja a thua vlen deklarimi i tij dhe për Shqipërinë? Le ti kthehemi problemit tonë për të cilën po flasim. Duke shfletuar faqen e Bankës Botërore rezulton se shumica e kredive nuk kanë rezultuar me efektivitet dhe as rentabile. Shumica e tyre ka shkuar për dreka, darka, trajnime, pritje-përcjellje, hoteleri, por e sigurte që edhe pse një borxh marramendës, vendit nuk i ka mbetur as dhe një gjurmë nga kreditë e marra. Qysh kur Shqipëria u bë antare e Bankës Botërore në vitin 1991, ajo me kreditë e akorduara ka financuar sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Portofoli aktual përbëhet nga dhjetë projekte të përgjithshme prej 615 miljon dollarë të kredive të IDA-s dhe grandeve e huave të IBRD. Disa nga projektet e miratuara nga Banka Botërore janë: Zhvillimi i kontabilitetit të sektorit publik, projekti për sektorin DPL financiar, projekti i integruar të zhvillimit urban dhe turizmit (PIUTD), mbështetja e industrisë nxjerrëse,
Të gjithë e dinë mirë që Shqipëria ka nevojë për investime e para, por deri më tash nuk shikojmë asnjë pozivitet në zhvillimin ekonomik për shkak se kreditë nuk kanë lënë gjurmë, janë marrë pa një program, pa studime dhe pa prognoza se ku do të na çojë ky borxh. Shkurt kreditë nuk i kanë shërbyer shqiptarëve dhe nuk kanë çuar për rritjen e mirëqenies së popullit.
Siç dihet jo vetë kreditë por dhe detyrimet e tjera që burojnë nga aderimi i Shqipërisë në konventa, konferenca, eurobonde, obligacione, dëftesa, shoqata dhe organizata të tjera ndërkombëtare, kanë një zë të veçantë në buxhetin e çdo viti. Dhe kjo sa vjen e shtohet, dinamizohet në promocion të drejtë me masën e kredive dhe detyrimeve të tjera. Pra të gjitha janë detyrime që duhet ti paguajnë taksapaguesit por në të njëjtën kohë këto detyrime rëndojnë shtresat në nevojë, kufizojnë politikat sociale të qeverisë dhe një barrë jo të vogël duhet të paguajnë mosha e tretë pra pensionistët. Rritja e borxhit huaj krahas të tjerave është i lidhur me mjaft probleme e shqetësime që ka vendi për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit, mungesës së reformave dhe isufiçencave që vihen re shpesh në realizimin e të ardhurave nga doganat, tatimet si dhe shfaqjet përmanente të invazionit fiskal, trafiqeve, që të gjitha këto pra burojnë nga paaftësia profesionale, kultura e dobët demokratike, dhe tranzicioni i gjatë që mbahet peng nga korrupsioni eko-politik përgjatë këtij çerekshekulli.
Në kushtet e një papunësie të paparë ndonjëherë, dhe të një emigracioni tejet i madh, vështirë se do të mund të paguhet ky borxh. Papunësia pavarsisht se nga institucionet përgjegjëse raportohet 13 %, de fakto e kalon nivelin e 25 %, por nuk është vetëm kjo. Nga Shqipëria janë larguar mbi dy miljon banorë nga arsye të ndryshme por ndër kryesoret është papunësia dhe largimi për një jetë e të ardhme më të mirë. Deri dje emigronin vetëm moshat e reja por tashmë vërejmë se edhe moshat e mëdha po ikin sepse i është mbushur mëndja se ky vënd me këto soj politikanësh nuk bëhet. Sipas raportimit që vjen nga Instituti i Statistikës rezulton se mosha e aftë për punë ka vajtur 37 vjeç dhe tendenca do ketë një rritje të shpejtë nëse nuk merren masa që të ndalet kjo hemoragji.
Projeksioni global i popullsisë tregon se nga viti 1950 deri në vitin 2100, shqiptarët do të kenë rënie drastike të popullsisë, sipas Organizatës Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1, 7 miljon banorë me një rënie prej 1, 2 miljon. Përveç uljes së popullsisë vërehet një përkeqësim i ndjeshëm i natalitetit të popullsisë.
Përpos kësaj njerëzit dhe profesionistët e vërtetë nuk e gjejnë veten në Shqipëri përballë militantëve dhe njerzëve që kanë zënë punë me diploma universitare e grada shkencore të blera, të trukuara pse jo dhe të trafikuara. E çuditshme por e vërtetë që ka pushtetarë të nivelit parë të qeverisë që nuk kanë kryer shkollën e lartë por figurojnë të diplomuar. Por ka shumë që në jetëshkrimin e tyre ka mjaft të pavërteta sepse nuk verefikohen.
Një pjesë e mire e trurit janë larguar nga vëndi të zhgënjyer dhe punojnë në vënde të tjera. Të shumtë intelektuale e shkencëtarë punojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, në selitë e BE-së dhe shumë prej tyre janë biznesmenë e miljonerë por që nuk preferojnë të investojnë në Shqipëri sepse këtu të kërkojnë para dhe e kanë më të thjeshtë bashkëpunimin me të huaj. Pra, ndodhemi në një situatë emergjence ku pas një ose dy dekadash në Shqipëri nuk ka kush të punojë sepse deri atëhere mosha mesatare e aftë për punë do të ketë arritur mbi 45 vjeç.
Ndërsa vihet re një përpjekje e qeverisë për uljen e borxhit publik (borxhi i brëndëshëm ) e cila është ulur në masën tre përqind, nuk mund thuhet e njëjta gjë për borxhin e huaj e cila ka rritje dinamike. Sipas statistikave, Serbia e Mali i Zi të cilët kanë patur rritjen më të shpejtë të borxhit, kanë filluar ta vënë nën kontroll dhe sot ata thuajse i kanë ndërprerë huat. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk po arrin ta vërë nën kontroll të plotë problemin e borxhit. Sigurisht që borxhe edhe do marrim se kështu funksionon ekonomia por problemi është se ne e marrim atë ma menduar dhe pa asnjë studim. Janë marrë 30 miljon dollarë kredi për ofrimin e shërbimit social në komunitet. A më thotë kush se a e ka parë gjëkundi këtë shërbim që nuk ekziston? Janë marrë 20 miljon dollarë kredi nga BB për sigurinë rrugore. Aksidentet janë shtuar, pikat e zeza nuk u eleminuan, sinjalistikat nuk u vendosën dhe efektiviteti zero, u morën të tëra paratë me trainime njerëzish, dreka, darka, qera e hoteleri dhe shpenzime pritje-percjellje. Pra efektiviteti i kredimarrjes është i ulët dhe kësisoj instuticionet dhe qeveria duhet të bëhen pengesë për të marrë kredi që nuk përfiton askush por vetëm një grusht njerëzish të interesuar për tu pasuruar dhe për korrupsion. Duke parë shpërdorimin e madh në kërkesat për kredi gjykoj që të gjitha kreditë rast pas rasti të kalojnë përmes miratimit në parlament dhe të mos ketë të drejtën e vendimmarrjes qeveria. Nëse rritja e kredive do të jetë dinamike të jeni të sigurtë se nuk do të mund ta paguajmë as ne dhe as brezat që vijnë dhe në këto kushte do të ketë pasoja të mëdha që lidhen me identitetin tonë kombëtar dhe sovranitetin e vendit. Masat duhen marrë sa nuk është vonë dhe mundësitë për ta korrigjuar i kemi në dorë ne shqiptarët.